Pages

Përbrenda jeni krejt hipokrizi e padrejtësi - E Merkure 28 Gusht 2013

Leximi i parë: 1 e Selanikasve 2:9-13
Psalm: Psalm 139:7-12
UNGJILLI: MATEU 23:27-32


Leximi i parë: 1 e Selanikasve 2:9-13

9 Dhe vërtet, vëllezër, patjetër do t’ju bien ndër mend mundimi dhe vuajtjet tona: kemi punuar natë e ditë që të mos i bëheshim ndokujt barrë dhe ju predikuam Ungjillin e Hyjit. 
10 Dëshmitarë ju kemi ju dhe Hyjin se me ç’mënyrë të shenjtë, të drejtë dhe të patëmetë jemi sjellë kundrejt jush, besimtarëve. 
11 Dhe, siç e dini, secilin prej jush ‑ si babai fëmijët, 
12 e kemi nxitur, i kemi dhënë zemër dhe e kemi përbetuar të jetojë në mënyrë të denjë për Hyjin që ju thërret në Mbretërinë e vet dhe në lumturi.
13 Prandaj edhe ne, prej anës sonë, pa pushim i faleminderit Hyjit për ju që, kur e morët fjalën e Hyjit, të dëgjuar prej nesh e morët, jo porsi fjalë njerëzish, por pikërisht ashtu si në të vërtetë është ‑ porsi fjalën e Hyjit ‑ që vazhdimisht vepron në ju që besoni.


Psalm: Psalm 139:7-12

7. Ku do të mund të shkoja larg Frymës sate, ose ku do të mund të ikja larg pranisë sate?
8. Në rast se ngjitem në qiell, ti je atje; në rast se shtrij shtratin tim në Sheol, ti je edhe aty.
9. Në rast se marr krahët e agimit dhe shkoj të banoj në skajin e detit,
10. edhe aty dora jote do të më udhëheqë dhe dora jote e djathtë do të më kapë.
11. Po të them: "Me siguri terri do të më fshehë", madje edhe nata do të bëhet dritë rreth meje:
12. terri vetë nuk mund të të fshehë asgjë, madje nata shkëlqen si dita; terri dhe drita janë të barabarta për ty.


UNGJILLI: MATEU 23:27-32

27 Vaj për ju, skribë e farisenj, shtiracakë, që u përngjani varrezave të zbardhuara me gëlqere, që duken përjashta të bukura e përbrenda janë plot eshtra të vdekurish me gjithfarë ndyrësie. 
28 Kështu edhe ju përjashta njerëzve u dukeni të drejtë, kurse përbrenda jeni krejt hipokrizi e padrejtësi.
29 Vaj për ju, skribë e farisenj, shtiracakë, që u ndërtoni profetëve varrezat e u stolisni të drejtëve monumentet 
30 dhe thoni: ‘Të kishim jetuar në kohën e etërve tanë, nuk do të kishim bashkëpunuar me ta në vrasjen e profetëve.’
31 Kështu ju vetë dëshmoni kundër vetvetes se jeni bijtë e atyre që vranë profetët. 
32 Mirë, pra, kryeni ç’filluan baballarët tuaj!