Pages

Është më lehtë të përshkohet deveja nëpër vrimë të gjilpërës, se i pasuri të hyjë në Mbretërinë e Hyjit - E Marte 20 Gusht 2013

Leximi i parë: Gjyqtarët 6:11-24
Psalm: Psalm 85:9, 11-13
UNGJILLI: Mateu 19:23-30


Leximi i parë: Gjyqtarët 6:11-24

Të dukurit e engjëllit të Zotit Gjedeonit

11 Erdhi engjëlli i Zotit e ndenji nën qarrin që ishte në Efër dhe që ishte i Joasit, prej barkut të Abiezerit. Ndërsa Gjedeoni, biri i tij, po fshinte me shqupi dhe po pastronte grurin për ta fshehur prej madianëve, 
12 iu dëftua engjëlli i Zotit e i tha: “Zoti me ty, o burrë i fortë”! 
13 Gjedeoni iu përgjigj: “Më fal, Imzot; nëse Zoti është me ne, pse na gjetën të gjitha këto të zeza? Ku janë të gjitha ato mrekullitë e tija, për të cilat na folën etërit tanë e na thanë: ‘Zoti na nxori nga Egjipti!?’ Por tani Zoti na la e na lëshoi në duart e Madianit”. 
14 Zoti ia nguli sytë dhe i tha: “Me atë fuqi që ke shko dhe çliroje Izraelin prej dorës së Madianit! Dije se unë të dërgova”!
15 Por Gjedeoni iu përgjigj: “Më fal, o Zot, po si do ta çliroj Izraelin? Ja, barku im është më i vogël në Manasé e unë më i vogli në shtëpinë e tim eti”! 
16 E Zoti i tha: “Unë do të jem me ty. Ti do ta shfarosësh Madianin si të ishte një njeri i vetëm”. 
17 Gjedeoni vijoi: “Nëse vërtet gjeta hir para teje, më jep një shenjë që je Ti që po flet me mua. 
18 Mos u largo prej këndej para se të kthehem e të të sjell një dhuratë për ta kushtuar”. Ai iu përgjigj: “Do të të pres derisa të kthehesh”.
19 Gjedeoni hyri në shtëpi, përgatiti një edh dhe një ef miell bukë ndore. Mishin e qiti në shportë e lëngun e mishit në vorbë, i solli të gjitha nën qarr dhe ia shtroi përpara.
20 Atëherë engjëlli i Hyjit i tha: “Merre mishin dhe bukët ndore e vëri në atë gur dhe hidh mbi ta lëngun e mishit”. Kur ai bëri ashtu, 
21 engjëlli preku me majë të shkopit që kishte në dorë mishin dhe bukët ndore. Shpërtheu zjarri prej qetës dhe përpiu mishin e bukët e pabrumë. Atëherë engjëlli i Zotit u zhduk prej syve të tij. 
22 Kur pa Gjedeoni se kishte qenë engjëlli i Zotit, tha: “Heu! Keq për mua, o Zot Perëndi! Po unë e pashë engjëllin e Zotit faqe‑faqas”!
23 Por Zoti i tha: “Paqja me ty! Mos u tremb! Jo, nuk do të vdesësh”.
24 Gjedeoni në atë vend ndërtoi një lter për nder të Zotit dhe e quajti: “Zoti ‑ Paqe”. Edhe sot e kësaj dite gjendet në Efër të bijve të Abiezerit.

Psalm: Psalm 85:9, 11-13

9. Me siguri shpëtimi i tij është afër atyre që kanë frikë prej tij, sepse lavdia e tij mund të banojë në vendin tonë.
11. E vërteta do të mbijë nga toka dhe drejtësia do të shikojë nga qielli.
12. Po, Zoti do të japë atë që është e mirë, dhe toka jonë do të prodhojë frytin e saj.
13. Drejtësia do të ecë para tij dhe do të përgatisë udhën për hapat e tij.

UNGJILLI: Mateu 19:23-30

23 Atëherë Jezusi u tha nxënësve të vet:
“Për të vërtetë po ju them: vështirë do të hyjë i pasuri në Mbretërinë e qiellit. Prapë po ju them: 
24 Është më lehtë të përshkohet deveja nëpër vrimë të gjilpërës se i pasuri të hyjë në Mbretërinë e Hyjit.”
25 Nxënësit, kur i dëgjuan këto fjalë, u habitën së tepërmi dhe thoshin:
“Vallë, atëherë, kush do të shpëtojë?”
26 Jezusi i shikoi dhe u tha:
“Për njerëz është punë që s’bëhet, porse Hyji mund të bëjë gjithçka!”
27 Atëherë Pjetri mori fjalën dhe e pyeti:
“Ja, ne lamë çdo gjë dhe erdhëm pas teje, çka, pra, do të fitojmë?”
28 Jezusi u tha:
“Për të vërtetë po ju them: ju që erdhët pas meje, në ripërtëritje të botës ‑ kur Biri i njeriut të rrijë mbi fronin e lavdisë së vet ‑ edhe ju do të rrini mbi dymbëdhjetë frone dhe do të gjykoni dymbëdhjetë fiset e Izraelit. 
29 Edhe kushdo që të lërë, për dashuri të emrit tim, shtëpi ose vëllezër, ose motra, ose babë ose nënë, ose grua ose fëmijë, ose ara, do të marrë njëqind për një dhe do të fitojë jetën e pasosur.
30 Shumë prej atyre që janë të parët, do të jenë të fundit, kurse shumë prej atyre të fundit do të jenë të parët.”