Pages

Je më e bekuar ne të gjitha gratë dhe i bekuar është fryti i kraharorit tënd - E Enjte 15 Gusht 2013

Festë: Ngritja në Qiell e Virgjërës së Bekuar Mari

Leximi i parë: Zbulesa 11:19; 12:1-6, 10
Psalm: Psalm 45:10-12, 16
Leximi i dytë: 1 e Korintasve 15:20-27
UNGJILLI: Luka 1:39-56


Leximi i parë: Zbulesa 11:19; 12:1-6, 10

19 Atëherë u hap tempulli i Hyjit që është në qiell dhe u duk Arka e Besëlidhjes së tij në tempullin e tij, shpërthyen vetëtima, gjëmë e rrufe, tërmet dhe breshër i madh!
1 Në qiell u duk një shenjë e madhërueshme: një Grua e veshur me diell, me hënë nën këmbë, në kokë kezën me dymbëdhejtë yje!
2 Shtatëzënë, bërtiste në mundime, në dhimbjet e lindjes.
3 Pastaj në qiell u duk edhe një shenjë tjetër: Ja, Dragoi! I madh, i zjarrtë, me shtatë kokë e dhjetë brirë! Mbi kokë shtatë kurorë!           
4 Bishti i tij tërhiqte pas vetes një të tretën e yjeve të qiellit - dhe i rrëzoi për tokë! Dragoi zuri vend para Gruas që po lindte fëmijën që, posa të lindte fëmijën, t’ia hante.
5 Dhe Ajo lindi fëmijën - një Djalosh - që do të sundojë të gjithë popujt me skeptër hekuri. Por Fëmija i Saj qe sjellë te Hyji dhe te froni i tij, 
6 kurse Gruaja iku në shkretëtirë ku Hyji i përgatiti një vend që atje të ushqehej për një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë.
10 Atëherë dëgjova një zë të madh në qiell, që thoshte: »Ja, tani koha e shëlbimit, e pushtetit dhe e Mbretërisë së Hyjit tonë dhe e sundimit të Krishtit të tij! Sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë që ditë e natë i padiste para Hyjit tonë.

Psalm: Psalm 45:10-12, 16

10. Dëgjo, vashë, shiko dhe vër veshin; harro populin tënd dhe shtëpinë e atit tënd,
11. dhe mbreti do të dëshirojë me të madhe bukurinë tënde; bjer përmbys para tij, sepse ai është Zoti yt.
12. Bija e Tiros do të të sjellë disa dhurata dhe të pasurit e popullit do të kërkojnë favoret e tua.
16. Bijtë e tu do të zënë vendin e etërve të tu; ti do t`i bësh princa për tërë tokën.

Leximi i dytë: 1 e Korintasve 15:20-27

20 Por, vërtet, Krishti u ngjall prej të vdekurve! Ai është fryti i parë i të vdekurve!
21 Kështu, pra, nëpër një njeri erdhi vdekja, përsëri nëpër një NJERI vjen ngjallja prej së vdekuri. 
22 Dhe, sikurse në Adamin vdesin të gjithë njerëzit, ashtu nëpër Krishtin të gjithë njerëzit do ta rifitojnë jetën. 
23 Veçse, secili sipas radhës së vet: një herë fryti i parë ‑ Krishti, pastaj, në Ditën e Gjyqit, ata që i përkasin Krishtit, 
24 pastaj ‑ mbarimi, kur Krishti t’ia dorëzojë mbretërinë Hyjit Atë, pasi të ketë asgjësuar çdo parësi, çdo pushtet e çdo fuqi. 
25 Sepse Atij i takon të mbretërojë derisa t’i vërë nën këmbët e tij të gjithë armiqtë e tij.
26 Armiku i fundit që do të asgjësohet, do të jetë vdekja. 
27 Sepse “gjithçka ka vënë nën këmbët e tij”. E kur thotë Shkrimi i shenjtë: “Gjithçka i ka vënë nën këmbë” ‑ merret vesh, gjithçka, me përjashtim të Atij, që ia nënshtroi të gjitha. 

UNGJILLI: Luka 1:39-56

39 Ndër ato ditë Maria u nis me nxitim për krahinën malore në një qytet të Judës. 
40 Ajo hyri në shtëpinë e Zakarisë dhe e përshëndeti Elizabetën.
41 Tashti, Elizabetës, posa e dëgjoi përshëndetjen e Marisë, i kërceu foshnja në kraharor. Elizabeta u mbush me Shpirtin Shenjt 
42 dhe brohoriti me zë të lartë:
“Je më e bekuar se të gjitha gratë dhe i bekuar është fryti i kraharorit tënd! 
43 Dhe, nga e pata fatin të vijë tek unë Nëna e Zotit tim?! 
44 Ja, që, posa zëri i përshëndetjes sate arriti në veshët e mi, foshnja prej hareje kërceu në kraharorin tim. 
45 E lumja ti që besove se do të plotësohet çka të qe thënë prej Zotit!”

Himni i Marisë

46 Atëherë Maria tha:
“Shpirti im e madhëron Zotin,
47 shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
48 sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvuajtur:
ja, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
49 sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm
‑ i shenjtë është Emri i tij!
50 Mëshira e tij brezni më brezni
për ata që e druajnë.
51 E tregoi fuqinë e krahut të vet:
i hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
52 i rrëzoi princat prej froneve të tyre
e i lartësoi të përvuajturit.
53 Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë
e të pasurit i nisi duarthatë.
54 I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
55 ‑ si ua pati premtuar etërve tanë ‑
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve
të tij në amshim.”

56 Maria ndenji me Elizabetën rreth tre muaj e atëherë u kthye në shtëpinë e vet.