Pages

Bariu i mirë e jep jetën e vet për delet - E Hene 19 Gusht 2013

Leximi i parë: Ezekieli 34:11-16
Psalm: Psalm 23:1-6
UNGJILLI: Gjoni 10:11-16


Leximi i parë: Ezekieli 34:11-16

11 Sepse kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë vetë do ti kërkoj delet e mia e do të kujdesem për to. 
12 Sikurse bariu që kujdeset për grigjën e vet kur gjendet mes deleve të veta të shpërndara, po ashtu edhe unë do të përkujdesem për delet e mia. Unë do t’i bashkoj nga çdo vend ku kanë qenë shpërndarë ditën e thellimit e të territ. 
13 Do t’i nxjerr nga popujt e do t’i bashkoj nga vendet e huaja, do t’i sjell në tokën e tyre, do t’i kullot në bjeshkë të Izraelit, në fushë dhe në të gjitha vendet e banuara. 
14 Do t’i kullot në kullota të pasura: kullotat e tyre do të jenë në bjeshkët e larta të Izraelit. Do të mrizojnë në bar të gjelbër, do të kullotin në kullota të shijshme nëpër male të Izraelit! 
15 Unë vetë do t’i mballoj delet e mia, unë vetë do t’i mrizoj ‑ thotë Zoti Hyj. 
16 Të humburën do ta kërkoj, të ndarën do ta kthej, të thyerën do ta lidh me kshtalla, të ligshtuarën do ta kërthndez, të majmen e të fortën do ta ruaj: do t’i ruaj me drejtësi.

Psalm: Psalm 23:1-6

1. Zoti është bariu im, asgjë nuk do të më mungojë.
2. Ai më çon në kullota me bar të njomë, më drejton pranë ujërave që të çlodhin.
3. Ai ma përtërin shpirtin, më çon nëpër shtigjet e drejtësisë, nga dashuria që ka për emrin e tij.
4. Edhe sikur të ecja në luginën e hijes së vdekjes, nuk do të kisha frikë nga asnjë e keqe, sepse ti je me mua; shkopi yt dhe thupra jote janë ato që më japin zemër.
5. Ti shtron para meje tryezën në prani të armiqve të mi; ti vajos kokën time me vaj; kupa ime po derdhet.
6. Me siguri pasuri dhe mirësi do të më shoqërojnë në gjithë ditët e jetës ime; dhe unë do të banoj në shtëpinë e Zotit ditë të gjata.

UNGJILLI: Gjoni 10:11-16

11 Unë jam Bariu i mirë. Bariu i mirë e jep jetën e vet për delet.
12 Rrogëtari ‑ që s’është baritë cilit nuk i përkasin delet ‑ kur sheh se po vjen ujku lë delet e ikën ‑ e ujku i rrëmben dhe i shpërndan:
13 është rrogëtar dhe nuk shqetësohet për delet.
14 Unë jam Bariu i mirë: i njoh të miat dhe ato më njohin mua.
15 Sikurse Ati më njeh mua dhe unë e njoh Atin edhe jetën e jap për delet.
16 Kam edhe të tjera dele, që nuk janë të kësaj vathe. Edhe ato më duhet t’i bashkoj dhe do ta dëgjojnë zërin tim, do të bëhet një grigjë e vetme e një Bari i vetëm.