Pages

Kush e përul vetveten e bëhet i vogël si ky fëmijë .....E Marte 13 Gusht 2013

Leximi i parë: Ligji i Përtërirë 31:1-8
Psalm: Ligji i Përtërirë 32:3-4, 7-9, 12
UNGJILLI: Mateu 18:1-5, 10, 12-14


Leximi i parë: Ligji i Përtërirë 31:1-8

1 Moisiu erdhi e i drejtoi mbarë Izraelit këto fjalë.
2 Ai u tha:
“Unë jam sot njëqind e njëzet vjeç. S’jam më i zoti të dal as të hyj e sidomos pasi edhe Zoti më ka thënë: ‘Ti s’do ta kalosh Jordanin!’ 
3 Vetë Zoti, Hyji yt, do të kalojë para teje. Ai do t’i asgjësojë këta popuj ndër sy të tu e ti do t’i trashëgosh. Ty do të të prijë Jozuehu siç ka urdhëruar Zoti. 
4 Zoti do të bëjë me ta siç ua bëri Sehonit e Ogut, mbretërve të amorrenjve e tokës së tyre kur ua treti farën. 
5 Kur t’jua dorëzojë, pra, bëni po ashtu siç ju kam urdhëruar. 
Veproni trimërisht e kini guxim! Mos u trembni as të mos ju lëshojë zemra në praninë e tyre, sepse Zoti, Hyji yt, ai është prijësi yt; ai s’do të të lërë as s’do të heqë dorë prej teje.”
7 Moisiu e grishi Jozuehun dhe i tha në sy të mbarë Izraelit: “Ji burrë e ki guxim, sepse ti do ta shtiesh këtë popull në tokën për të cilën Zoti iu përbetua etërve të tyre se do t’ua japë. Ti atë ndajua me short. 
8 Vetë Zoti, që është prijësi yt, do të jetë me ty; ai s’do të të lëshojë as do të heqë dorë prej teje: mos u tremb as mos ki frikë!”


Psalm: Ligji i Përtërirë 32:3-4, 7-9, 12

3 T’ Zotit Emrin do t’lëvdoj:lartësoni Hyjin tonë!
4 I qetë është Ai, n’vepra i përsosur, udhët e tij janë drejtësi:
Hyj besnik, pa asnjë t’keqe, krejt i drejtë e i patëmetë.”
7 Të t’bien në mend kohërat e lashta, të t’bien në mend breznitë e shkuara!
Pyete t’atë e do të t’ tregojë, t’parët e tu e do të t’kallëzojnë!
8 Kur Zoti popujt i ndau, kur i ndau bijtë e Adamit:
kufijtë popujve ua caktoi sipas numrit t’ izraelitëve:
9 pronë e Zotit u bë populli i tij, pjesë për vete mor Zoti Jakobin.
12 Zoti vetëm e udhëhoqi, tjetër zot nuk qe me Të.


UNGJILLI: Mateu 18:1-5, 10, 12-14

1 Në atë moment nxënësit iu afruan Jezusit dhe e pyetën: Kush, pra, është më i madhi në Mbretërinë e qiellit?”
2 Atëherë Jezusi thirri një fëmijë, e vuri para tyre 
3 e u tha: “Përnjëmend po ju them: nëse nuk ktheheni e nuk bëheni si fëmijët, nuk do të hyni në Mbretërinë e qiellit. 
4 Prandaj, kush e përul vetveten e bëhet i vogël si ky fëmijë, ai është më i madhi në Mbretërinë e qiellit. 
5 Dhe kushdo e pranon në Emër tim një fëmijë siç është ky, ai më pranon mua.”
10 “Ruajuni se përbuzni ndonjë prej këtyre të vegjëlve, sepse po ju them: engjëjt e tyre në qiell shohin vazhdimisht fytyrën e Atit tim qiellor.
12 Ç’ju thotë mendja? Po pati ndokush njëqind dele dhe po i humbi njëra prej tyre, a nuk i lë të nëntëdhjetenëntat në mal e nuk shkon për të kërkuar atë që i humbi? 
13 Dhe, po ia doli ta gjejë, për të vërtetë po ju them: për atë gëzohet më tepër se për nëntëdhjetenëntë të tjerat, që nuk i humbën. 
14 Kështu as Ati juaj që është në qiell nuk do të humbë asnjë ndër këta të vegjëlit.”