Pages

Ky është më i madhi dhe i pari urdhërim - E Premte 23 Gusht 2013

Leximi i parë: Ruth 1:1, 3-6, 14-16, 22
Psalm: Psalm 146:5-10
UNGJILLI: MATEU 22:34-40


Leximi i parë: Ruth 1:1, 3-6, 14-16, 22

1 Në kohën e Gjyqtarëve u bë zi buke në vend. Një njeri prej Betlehemit të Judës shkoi për të jetuar me gruan e me dy djemtë në dheun e Moabit. 
3 Vdiq Elimeleku, burri i Noemisë. Mbeti kështu ajo me dy djemtë. 
4 Këta u martuan me vajza moabite. Njëra quhej Orfë e tjetra Ruthë. Jetuan në atë vend rreth dhjetë vjet. 
5 Vdiqën të dy: Mahaloni e Kelioni. Mbeti gjallë gruaja pa djemtë e pa burrin.
6 Atëherë ajo u bë gati për t’u kthyer prej dheut të Moabit në atdhe me të dy rejat. Kishte dëgjuar se Zoti e kishte parë popullin e saj dhe se u kishte dhënë drithëra. 
14 Prapë ia filluan të qanin me zë të lartë. Orfa e puthi vjehrrën dhe u kthye; kurse Rutha nuk dëgjoi të ndahet prej vjehrrës.
15 Atëherë Noemia i tha: “Ja, u kthye kunata jote te populli i vet e te zotat e vet, shko edhe ti me të”. 
16 Ajo u përgjigj: “Mos m’u vër më që të të lë e të shkoj: kudo që të shkosh ti, do të vij edhe unë, ku të jetosh ti, dua të jetoj edhe unë: populli yt do të jetë populli im, Hyji yt do të jetë Hyji im.
22 Erdhi pra Noemia bashkë me të renë e vet Ruthin moabite, u kthye prej mërgimit në Betlehem kur po fillonte korrja e elbit.


Psalm: Psalm 146:5-10

5. Lum ai që ka Perëndinë e Jakobit si ndihmë, shpresa e të cilit është tek Zoti, Perëndia i tij,
6. që ka krijuar qiejtë dhe tokën, detin dhe gjithçka është në to, që ruan besnikërinë përjetë,
7. që u jep të drejtë të shtypurve dhe ushqim të uriturve. Zoti çliron të burgosurit.
8. Zoti u hap sytë të verbërve, Zoti ngre ata që janë rrëzuar, Zoti i do të drejtët.
9. Zoti mbron të huajt, ndihmon jetimin dhe gruan e ve, por përmbys udhën e të pabesëve.
10. Zoti mbretëron përjetë, Perëndia yt, o Sion, brez pas brezi. Aleluja.


UNGJILLI: MATEU 22:34-40

Më i madhi urdhërim
(Mk 12, 28‑34; Lk 10, 25‑28)

34 Farisenjtë, kur morën vesh se ua mbylli gojën saducenjve, u bashkuan 
35dhe njëri prej tyre [mësues Ligji], për ta vënë në provë, e pyeti:
36 “Mësues, cili është më i madhi urdhërim i Ligjit?”
37 Jezusi u përgjigj:
Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë mendjen tënde! 
38 Ky është më i madhi dhe i pari urdhërim. 
39 I dyti është i barabartë me të: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!’ 
40 Në këto dy urdhërime varet i tërë Ligji dhe Profetët.”