Pages

Do ta shihni qiellin e hapur dhe engjëjt e Hyjit duke u ngjitur e duke zbritur mbi Birin e njeriut - E Shtune 24 Gusht 2013

Leximi i parë: Zbulesa 21:9-14
Psalm: Psalm 145:10-13, 17-18
UNGJILLI: GJONI 1:45-51


Leximi i parë: Zbulesa 21:9-14

Jerusalemi i ri

9 Atëherë u afrua njëri nga shtatë engjëjt që mbanin shtatë gotat plot me shtatë plagët e fundit dhe më tha: "Eja, do të ta tregoj të fejuarën, Gruan e Qengjit!"
10 Më kaloi në shpirt në majë të një mali të lartë dhe ma tregoi qytetin e shenjtë, Jerusalemin: po zbriste nga qielli, prej Hyjit!
11 Shkëlqente nga Lavdia e Hyjit: i shndritshëm porsi guri i paçmueshëm, porsi guri jaspis, kristalor.
12 Rreth e rreth me mure të mëdha e të larta; kishte dymbëdhjetë dyer e në dyer dymbëdhjetë engjëj dhe të shkruar emrat e dymbëdhjetë fiseve të bijve të Izraelit.
13 Në lindje tri dyer, në veri tri dyer, në jug tri dyer e në perëndim tri dyer.
14 Muret e qytetit kishin dymbëdhjetë themele e mbi to dymbëdhjetë emrat e dymbëdhejtë apostujve të Qengjit. 
15 Engjëlli që fliste me mua kishte masën - një kallam ari - për të matur qytetin, dyert e tij dhe muret e tij.

Psalm: Psalm 145:10-13, 17-18

10. Tërë veprat e tua do të të kremtojnë, o Zot, dhe shenjtorët e tu do të të bekojnë.
11. Ata do të flasin për lavdinë e mbretërisë sate dhe do të tregojnë për fuqinë tënde,
12. për t`u bërë të njohura bijve të njerëzve mrekullitë e tua dhe shkëlqimin e madhërishëm të mbretërisë sate.
13. Mbretëria jote është një mbretëri përjet dhe sundimi yt vazhdon brez pas brezi.
17. Zoti është i drejtë në të gjitha rrugët e tij dhe dashamirës në të gjitha veprat e tij.
18. Zoti është pranë gjithë atyre që kërkojnë, pranë gjithë atyre që e kërkojnë në të vërtetë.

UNGJILLI: GJONI 1:45-51

45 Filipi takoi Natanaelin dhe i tha: “E gjetëm atë, për të cilin shkrou Moisiu në Ligj dhe Profetët: Jezusin, birin e Jozefit, nga Nazareti.”
46 “A mund të dalë gjë e mirë nga Nazareti?” ‑ i tha Natanaeli.
“Eja e shih”! ‑ iu përgjigj Filipi.
47 Kur Jezusi e pa Natanaelin duke u afruar, tha për të:
“Ja një izraelit i vërtetë në të cilin nuk ka dredhi!”
48 “Nga më njeh?” ‑ i tha Natanaeli.
Jezusi iu përgjigj:
Para se të të thërriste Filipi, të pashë nën fik!”
49 Atëherë Natanaeli i tha:
“Rabbi, ti je Biri i Hyjit! Ti je mbreti i Izraelit!”
50 Jezusi iu përgjigj:
“Pse të thashë: ‘Të pashë nën fik’, po beson. Do të shohësh më shumë se kaq!”
51 Dhe shtoi:
“Për të vërtetë, për të vërtetë po ju them: do ta shihni qiellin e hapur dhe engjëjt e Hyjit duke u ngjitur e duke zbritur mbi Birin e njeriut.”