Pages

Këtë gjë ju urdhëroj; duajeni njëri‑tjetrin! - E Merkure, 14 Gusht 2013

Leximi i parë: 1 e Gjonit 3:13-18
Psalm: Psalm 116:10-13, 16-17
UNGJILLI: Gjoni 15:12-17


Leximi i parë: 1 e Gjonit 3:13-18

Dashuria vëllazërore

13 Mos u çuditni, vëllezër, nëse ju urren bota! 
14 Ne e dimë se kemi kaluar prej vdekjes në jetë, për arsye se i duam vëllezërit. Kush nuk ka dashuri, mbetet në vdekje. 
15 Kushdo e urren të vëllanë, është vrasës. Dhe mirë e dini se asnjë vrasës nuk e ka në vetvete jetën e pasosur. 
16 Me këtë gjë e njohëm dashurinë: Jezusi e dhuroi jetën e vet për ne. Edhe ne e kemi për detyrë ta japim jetën tonë për vëllezër. 
17 Kush i ka të mirat e kësaj bote dhe e sheh vëllain e vet në ngushticë dhe e mbyll zemrën e vet para tij – në ç’mënyrë dashuria e Hyjit qëndron në të? 
18 Fëmijëzit e mi, mos të duam me fjalë e me gjuhë, por me vepra e në të vërtetë!

Psalm: Psalm 116:10-13, 16-17

10. Unë kam besuar dhe prandaj flas. Unë isha shumë i pikëlluar,
11. dhe thoja gjatë përhumbjes sime: "Çdo njeri është gënjeshtar".
12. Ç`do t`i jap Zotit në këmbim të të gjitha të mirave që më ka bërë?
13. Unë do të ngre kupën e shpëtimit dhe do të thërres emrin e Zotit.
16. Unë jam me të vërtetë shërbëtori yt, o Zot, jam shërbëtori yt, bir i shërbëtores sate; ti i këpute lidhjet e mia.
17. Unë do të të ofroj një flijim falenderimi dhe do të përmend emrin e Zotit.


UNGJILLI: Gjoni 15:12-17

12 Ky është urdhri im: duajeni njëri‑tjetrin sikurse unë ju desha ju!
13 Dashuria më e madhe që ndokush mund të tregojë është: të japë jetën e vet për miqtë e vet.
14 Ju jeni miqtë e mi nëse bëni çka ju urdhëroj unë.
15 Nuk ju thërras më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk di çka bën zotëria i tij;
unë ju quajta miq,sepse ju zbulova gjithçka që dëgjova prej Atit tim.
16 Ju nuk më zgjodhët mua,por unë ju zgjodha ju dhe ju caktova të shkoni e të jepni fryt e fryti juaj të qëndrojë; dhe që Ati t’ju japë çkado të kërkoni në Emër tim.
17 Këtë gjë ju urdhëroj; duajeni njëri‑tjetrin!”