Pages

Shndërrimi i Jezusit ne mal - E Marte 6 Gusht 2013


Leximi i parë: Danieli 7:9-10, 13-14
Psalm: 97:1-2, 5-6, 9
Leximi i dytë: 2 e Pjetrit 1:16-19
UNGJILLI: Luka 9:28-36


Leximi i parë: Danieli 7:9-10, 13-14

Vegimi i të Tejetlashtit dhe i Birit të njeriut

9 Vrojtoja
dhe ja, u shtruan fronet
dhe i Tejetlashti ndenj.
Petku i tij i bardhë porsi bora,
flokët e kokës së tij porsi leshi i pastër;
froni i tij porsi flaka e zjarrit,
rrotat e tij zjarr i ndezur flakë!
10 Lumë i zjarrtë rridhte
e dilte përpara tij,
mijëra mijërash i shërbenin
e miliarda miliardash qëndronin përpara tij:
po bëhej gjyqi,
u hapën librat!

13 Unë po shikoja kështu në vegimin e natës:
dhe ja, në retë e qiellit,
po vinte dikush si Biri i njeriut!
Arriti deri tek i Tejetlashti i motit
dhe qe paraqitur para tij.
14 Ai i dha pushtetin, nderin e mbretërinë.
Të gjithë popujt, fiset e gjuhët
u shtruan nën shërbimin e tij:
pushteti i tij pushtet i amshuar
që kurrë s’do të merret,
mbretëria e tij
kurrë nuk do të prishet.


Psalm: 97:1-2, 5-6, 9

Zoti ngadhënjen
1 Zoti mbretëron! Le të galdojë toka,
le të gëzohen ishujt e shumtë!
2 Re e errësirë janë përreth tij,
e Drejta e Drejtësia themeli i fronit të tij.

5 Para fytyrës së Zotit si dylli shkrihen malet,
para fytyrës së Zotit të mbarë botës!
6 Qiejt e shpallin drejtësinë e tij,
të gjithë popujt e shohin lavdinë e tij.

9 Sepse ti je, o Zot,
i Tejetlarti mbi mbarë dheun,
ti je tejet i lartë mbi të gjithë zotat.


Leximi i dytë: 2 e Pjetrit 1:16-19

Lavdia e Krishtit dhe fjala profetike

16 Sepse nuk ju shpallëm Fuqinë dhe Ardhjen e Zotit tonë Jezu Krishtit të bazuar në përralla të trilluara, por pse e kemi parë me sytë tanë shkëlqimin e tij. 17 Sepse prej Hyjit Atë mori nder dhe lavdi, kur zëri që vinte nga Lavdia e madhërueshme, i tha: »Ky është Biri im, i Dashuri, në të cilin unë u kënaqa«. 18 - zë të cilin, tek zbriste nga qielli e dëgjuam edhe ne që ishim bashkë me të në Malin e shenjtë.
19 Kështu u vërtetua fjala e profetëve dhe bëni shumë mirë që mbështeteni në të si në dritën që ndriçon në vend të errët - derisa të zbardhë dita e të lindë Ylli i Dritës në zemrat tuaja.


UNGJILLI: Luka 9:28-36

Shndërrimi i Jezusit
(Mt 17, 1 8; Mk 9, 2 8)

28 Reth tetë ditë pas këtyre predikimeve, Jezusi mori me vete Pjetrin, Gjonin dhe Jakobin e u ngjit në mal për t’u lutur.
29 Ndërsa po lutej, fytyra iu shndërrua e petkat iu bënë të bardha e të shndritshme si vetëtima.
30 Dhe ja, dy njerëz po bisedonin me të! Ishin Moisiu dhe Elia. 31 Ata u dukën të rrethuar me lavdi e bisedonin me të për kalimin e tij nga kjo jetë që do ta bënte së shpejti në Jerusalem. 32 Pjetrin dhe shokët e tij i kishte lodhur gjumi, por qëndruan zgjuar dhe e panë lavdinë e tij dhe ata dy burra që po qëndronin me të; 33 dhe, ndërsa ata po ndaheshin prej tij, Pjetri i tha Jezusit:
Mësues, është mirë për ne të qëndrojmë këtu. Po bëjmë tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë!” Nuk dinte ç’thoshte.
34 Ndërsa ky ende po fliste, ra një re dhe i mbuloi me hijen e vet. Kur hynë nën re, nxënësit i kapi frika. 35 Prej resë u dëgjua një zë: “Ky është Biri im   i Zgjedhuri! Atë dëgjojeni!”
36 Ndërsa ky zë po jehonte, Jezusi mbeti vetëm.
Nxënësit heshtën dhe ndër ato ditë s’i treguan askujt çka kishin parë.