Pages

Atyre që janë si këta (fëmijë) u përket Mbretëria e Qiellit - E Shtune 17 Gusht 2013

Leximi i parë: Jozuehu 24:14-29
Psalm: Psalm 16:1-2, 5, 7-8, 11
UNGJILLI: Mateu 19:13-15


Leximi i parë: Jozuehu 24:14-29

Izraeli zgjedh Zotin

14 “Tani, pra, druani Zotin e shërbejini Atij me zemër të përsosur e plotësisht besnike! Flakni tej zotat të cilëve u shërbyen etërit tuaj në Mesopotami e në Egjipt dhe shërbejini Zotit! 
15 Por, në qoftë se u duket punë e ligë që t’i shërbeni Zotit, zgjidhni ju sot se kujt doni t’i shërbeni: zotave të cilëve u shërbyen të parët tuaj në Mesopotami, apo zotave të amorrenjve, në tokën e të cilëve banoni. Sa për mua e për shtëpinë time, ne do t’i shërbejmë Zotit”!
16 Populli u përgjigj:
“Zoti mos e thëntë që ta lëmë Atë e t’u shërbejmë zotave të huaj! 
17 Zoti, Hyji ynë, Ai na nxori ne dhe etërit tanë nga toka e Egjiptit, prej shtëpisë së skllavërimit. Ndër sy tanë bëri shenja mrekullisht të mëdha dhe na ruajti në çdo udhë ngado kaluam dhe në mes të gjithë popujve, ndër të cilët kaluam. 
18 Pastaj, Zoti i dëboi para nesh të gjithë këta popuj, posaçerisht amorrenjtë, banorët e këtij vendi, në të cilin hymë ne. Pra, edhe ne do t’i shërbejmë Zotit, sepse Ai është Hyji ynë”!
19 Atëherë Jozuehu i tha popullit:
“Ju nuk do të mund t’i shërbeni Zotit. Ai është Hyj i shenjtë, Hyj ziliqar që s’mund t’i durojë dot paudhësitë e mëkatet. 
20 Nëse do ta lini Zotin e do t’u shërbeni zotave të huaj, Ai do të kthehet kundër jush, do t’ju ndëshkojë e do t’ju shpartallojë, pasi ju ka bërë gjithë ato të mira”.
21 Populli i tha Jozuehut: “Assesi! Ne do t’i shërbejmë Zotit”!
22 Atëherë Jozuehu i tha popullit: “Pra, ju vetë jeni dëshmitarë kundër vetvetes, se ju vetë e zgjodhët Zotin për t’i shërbyer”.
U përgjigjën: “Jemi dëshmitarë”!
23 Jozuehu shtoi: “Hiqni pra, tani, zotat e huaj që janë ndër ju, dhe ktheni zemrat tuaja te Zoti, Hyji i Izraelit!
24 E populli iu përgjigj Jozuehut: “Do t’i shërbejmë Zotit, Hyjit tonë, dhe do t’i dëgjojmë urdhërimet e tija”.

Besëlidhja e Sikemit

25 Kështu, pra, Jozuehu në këtë ditë lidhi me popull Besëlidhjen në Sikem. Caktoi ligje dhe rregullore. 
26 Atëherë këto fjalë i shënoi në Librin e Ligjit të Hyjit. Pastaj mori një gur tejet të madh dhe e vendosi aty nën qarr, që ishte në Shenjtëroren e Zotit, 
27 dhe i tha mbarë popullit: “Ja, ky gur le të jetë dëshmitar kundër jush, sepse i dëgjoi të gjitha fjalët e Zotit që i tha ndër ne, që më vonë të mos keni se si ta mohoni e të gënjeni Zotin, Hyjin tuaj”.
28 Atëherë e la popullin të shkojë secili në pronën e vet.
29 Pas këtyre ngjarjeve vdiq Jozuehu, i biri i Nunit, shërbëtori i Zotit, njëqind e dhjetë vjetësh.

Psalm: Psalm 16:1-2, 5, 7-8, 11

1. Më mbro, o Perëndi, sepse unë po kërkoj strehë te ti.
2. I thashë Zotit: "Ti je Zoti im; nuk kam asnjë të mirë veç teje".
5. Zoti është pjesa ime nga trashëgimia dhe kupa ime; ti, o Zot, ruaje fort atë që më ka rënë në short.
7. Unë do të bekoj Zotin që më këshillon; zemra ime më mëson edhe natën.
8. Unë e kam vënë vazhdimisht Zotin përpara syve të mi; duke qenë se ai rri në të djathtën time, unë nuk do të hiqem kurrë nga vendi.
11. Ti do të më tregosh shtegun e jetës; ka shumë gëzim në praninë tënde; në të djathtën tënde ka kënaqësi në përjetësi.

UNGJILLI: Mateu 19:13-15

Jezusi bekon fëmijët
(Mk 10, 13‑16; Lk 18, 15‑17)

13 Atëherë i sollën disa fëmijë të vegjël që t’i bekonte e të lutej mbi ta; porse nxënësit u bërtisnin. 
14 Atëherë Jezusi u tha:
“Lërini fëmijët e mos ua ndaloni të vijnë tek unë! Sepse atyre që janë si këta u përket Mbretëria e qiellit.”
15 E, pasi i bekoi, u largua prej andej.