Pages

Pastroje më parë brendinë e gotës, që edhe përjashta të jetë e pastër - E Marte 27 Gusht 2013

Leximi i parë: 1 e Selanikasve 2:1-8
Psalm: Psalm 139:1-3, 4-6
UNGJILLI: MATEU 23:23-26


Leximi i parë: 1 e Selanikasve 2:1-8

1 Nga ana tjetër edhe ju vetë e dini mirë, o vëllezër, se ardhja jonë ndër ju nuk qe e kotë, 
2 por, përkundrazi edhe pse, siç e dini, qemë të salvuar e të poshtëruar në Filipe, prapë morëm guxim, me ndihmën e Hyjit tonë, ta predikojmë Ungjillin e Hyjit ndër ju sadoqë me luftë të madhe. 
3 Vërtet, predikimi ynë nuk vjen nga gabimi, as nuk ka qëllime të papastra, as nuk mbështetet në dinakëri, 
4 por, sikurse Hyji vendosi të na e besojë Ungjillin, ashtu ne edhe e predikojmë; jo, sikurse të donim t’u pëlqejmë njerëzve, por Hyjit që i shqyrton zemrat tona. 
5 Sepse, siç e dini mirë, askurrë nuk përdorëm fjalë përkëdhelëse dhe ‑ Hyjin e kemi dëshmitar ‑ as dëshirë të fshehtë të lakmimit të pasurisë. 
6 Nuk kërkuam as lavdi prej njerëzve ‑ as prej jush as prej tjetërkujt ‑ edhe pse mundëm ta vëmë në pah autoritetin tonë si apostuj të Krishtit. 
7 Përkundrazi qemë ndër ju të butë, porsi nëna që ushqen e kujdeset për fëmijët e vet. 
8 Këndej, prej dashurisë që kemi për ju, ishim të gatshëm t’ju shpallim jo vetëm Ungjillin e Hyjit, por t’ju jepnim edhe jetën tonë, kaq ju kemi pasur për zemër.

Psalm: Psalm 139:1-3, 4-6

1. Ti më ke hetuar, o Zot, dhe më njeh.
2. Ti e di kur ulem dhe kur ngrihem, ti e kupton nga larg mendimin tim.  
3. Ti e shqyrton me kujdes ecjen time dhe pushimin tim dhe i njeh thellë të gjitha rrugët e mia.
4. Sepse, edhe para se të jetë fjala mbi gojën time ti, o Zot, e di atë plotësisht.
5. Ti më rrethon nga pas dhe përpara dhe vë dorën tënde mbi mua.
6. Njohja jote është shumë e mrekullueshme për mua, aq e lartë sa unë nuk mund ta arrij. 

UNGJILLI: MATEU 23:23-26

23 Vaj për ju, skribë e farisenj, shtiracakë, që lani të dhjetën e mendrës, të murajës e të kimit, por lini pas dore atë që është më e rëndësishme në Ligj: drejtësinë, mëshirën e besnikërinë! Këtë është dashur ta bëni e nga ajo e para, s’është dashur të hiqni dorë. 
24 Udhëheqës të verbër! Ju shtrydhni mushkonjën e kapërdini gamilen!
25 Vaj për ju, skribë e farisenj, shtiracakë, sepse pastroni anën e jashtme të gotës e të enës, ndërsa përbrenda janë plot rrëmbime e papërkormëri! 
Farise i verbër! Pastroje më parë brendinë e gotës, që edhe përjashta të jetë e pastër!