Pages

Jezusi ushqen pesë mijë vetë - E Hene 5 Gusht 2013


Leximi i parë: Numrat 11:4-15
Psalm: Psalm 81:12-17
UNGJILLI: Mateu 14:13-21


Leximi i parë: Numrat 11:4-15

Populli qahet për shkak të manës
4 Njerëzit e huaj, që u ishin mbështetur atyre, e kapi dëshira e grykësisë dhe bashkë me ta u ulën edhe bijtë e Izraelit e të filluan të ankohen: “Kush do të na ngijë me mish? 5 Na bie në mend peshku që e hanim falas në Egjipt. Na bien në mend trangujt, shalqiri, purrinjtë, qepët dhe hudhrat! 6 Tani na u tha fyti: sytë tanë nuk shohin tjetër përveç manës”!

7 Tashti mana ishte në gjasim të kokrrës së koriandrit në të shikuar si bdeli. 8 Populli shkonte përreth për ta mbledhur e pastaj ose e bluante në mokër ose e shtypte në shtypëse. E ziente në kusi e pastaj e bënte kuleç; e kishte shijen si kulaçi i përgatitur në vaj. 9 Natën kur në fushim binte vesë, binte gjithashtu edhe mana.

Ndërmjetësimi i Moisiut
10 Moisiu e dëgjoi popullin se si ankohej, secili në familjen e vet, në hyrje të çadrës së vet. Zemërimi i Zotit u ndez flakë. Po edhe Moisiut iu duk punë e padurueshme 11 e i tha Zotit: “Pse e mundon shërbëtorin tënd? Pse nuk gjeta hir para teje? Pse e ngarkove mbi mua peshën e tërë këtij populli? 12 Po a thua se prej meje u ngjiz ose leu i gjithë ky popull që të më thuash: ‘Mbarte ngrykë siç e mbart nëna foshnjën kur i jep gji dhe çoje në tokën për të cilën u përbetove etërve të tyre?’ 13 Ku ta marr mishin që t’ia jap këtij populli? Ankohen kundër meje e thonë: ‘Na jep të hamë mish!’ 14 Unë nuk jam i zoti ta mbart vetëm tërë këtë popull, sepse është për mua tepër i rëndë. 15 Nëse do të veprosh kështu me mua, të lutem ma merr jetën, në qoftë se u pëlqej ndonjë fije syve të tu, që të mos i shikoj më të këqijat e mia”.


Psalm: Psalm 81:12-17

12 Por populli im s’e dëgjoi zërin tim, Izraeli nuk qe në kujdes për mua.
13 Prandaj i lashë në ngurtësinë e zemrës së tyre, le të jetojnë si u pëlqen atyre.
14 Po, sikur të më dëgjonte mua populli im, sikur të ecte Izraeli udhëve të mia,
15 po, atëherë shpejt do t’i përulja armiqtë e tij, do ta rëndoja dorën mbi kundërshtarët e tij.
16 Armiqtë e Zotit do ta përkëdhelnin atë, fati i tyre do të ishte i vulosur për amshim.
17 Unë do t’i ushqeja me më të mirin grurë, do t’i ngija me mjaltë të nxjerrë nga shkëmbi”.


UNGJILLI: Mateu 14:13-21

Jezusi ushqen pesë mijë vetë
(Mk 6, 30 44; Lk 9, 10 17; Gjn 6, 1 14)

13 Kur dëgjoi Jezusi, shkoi prej andej me barkë dhe u shmang në një vend të pabanuar   në vetmi. Por, kur e hetoi populli, u nis pas tij në këmbë prej qyteteve. 14 Kur doli Jezusi prej barke, pa një turmë të madhe njerëzish, pati dhembshuri për ta dhe i shëroi të sëmurët e tyre.
15 Në mbrëmje iu afruan nxënësit e thanë:
Vendi është i shkretë dhe u bë vonë; lëri njerëzit të shkojnë në fshatra e të blejnë ushqim.”
16 Jezusi u përgjigj:
Nuk është nevoja të shkojnë: jepuni ju të hanë!”
17 Ata iu përgjigjën:
S’kemi këtu veçse pesë bukë e dy peshq.”
18 Jezusi vijoi:
M’i sillni këtu!”
19 Pastaj i dha urdhër popullit të ulet në bar.
I mori pesë bukët e dy peshqit, i çoi sytë kah qielli, i bekoi, i ndau dhe ua dha nxënësve, kurse nxënësit turmës.
20 Të gjithë hëngrën e u nginë. I mblodhën tepricat: dymbëdhjetë shporta plot me copa. 21 E ata që hëngrën, pa i numëruar gratë e fëmijët, ishin rreth pesë mijë meshkuj.