Pages

Kush betohet me Qiell, betohet me fronin e Hyjit dhe me Atë që rri në të - E Hene 26 Gusht 2013

Leximi i parë: 1 e Selanikasve 1:1-5, 8-10
Psalm: Psalm 149:1-6, 9
UNGJILLI: MATEU 23:13-22


Leximi i parë: 1 e Selanikasve 1:1-5, 8-10

1 Pali, Silvani dhe Timoteu: Kishës së selanikasve në Hyjin Atë dhe në Jezu Krishtin Zot. Paçi hir dhe paqe!

Feja dhe shembulli i selanikasve

2 Gjithmonë e falenderojmë Hyjin për ju të gjithë dhe vazhdimisht ju kujtojmë në lutjet tona 
3 duke pasur para sysh fenë vepruese tuajën, dashurinë vetëmohuese dhe shpresën e qëndrueshme në Zotin tonë Jezu Krishtin para Hyjit, Atit tonë.
4 Sepse, o vëllezërit e dashur prej Hyjit, e dimë se jeni të zgjedhur, 
5 pasi Ungjilli ynë nuk erdhi ndër ju vetëm me anë të fjalës, por edhe i përcjellë me fuqi dhe me Shpirt Shenjt dhe me mbushmendje të plotë. Të tillë, pra, siç e dini, kemi qenë ndër ju për ju.
8 Sepse, prej jush, jo vetëm jehoi Fjala e Zotit nëpër Maqedoni e Akajë, por edhe feja juaj në Hyjin aq fort u përhap gjithkah, sa që ne s’kemi nevojë të flasim për këtë gjë. 
9 Sepse njerëzit vetë tregojnë për ne: ç’pritje na bëtë, si u kthyet kah Hyji prej idhujsh që t’i shërbeni Hyjit të gjallë e të vërtetë
10 dhe që ta prisni nga qielli Birin e tij, të cilin e ngjalli nga të vdekurit, Jezusin, që na shpëton nga hidhërimi i ardhshëm.


Psalm: Psalm 149:1-6, 9

1

Aleluja. Këndojini Zotit një këngë të re, këndoni lavdinë e tij në kuvendin e shenjtorëve.

2

Le të ngazëllohet Izraeli tek ai që e ka bërë, le të ngazëllohen bijtë e Sionit te Mbreti i tyre.

3

Le të lëvdojnë emrin e tij me valle, të këndojnë lavdet e tij me dajre dhe me qeste,

4

sepse Zoti kënaqet me popullin e tij; ai i kurorëzon me shpëtim njerëzit e përulur.

5

Le të ngazëllohen shenjtorët në lavdi, le të këndojnë nga gëzimi mbi shtretërit e tyre.

6

Le të kenë në gojën e tyre lavdet e Perëndisë dhe në dorën e tyre një shpatë që pret nga të dy anët;

9

për të zbatuar mbi ta gjykimin e shkruar. Ky është nderi që u rezervohet mbarë shenjtorëve të tij. Aleluja.


UNGJILLI: MATEU 23:13-22

13 Vaj për ju, skribë e farisenj, shtiracakë, sepse ua mbyllni njerëzve derën e Mbretërisë së qiellit! Ju vetë nuk hyni as nuk i lini të hyjnë ata që duan të hyjnë![14].
15 Vaj për ju, skribë e farisenj, shtiracakë, që kërkoni det e tokë për të fituar një proselit e, kur kthehet, e bëni bir të ferrit dy herë më të keq se veten!
16 Vaj për ju, udhëheqës të verbër, që thoni: ‘Nëse ndokush betohet me Tempull, ai betim s’detyron, por, nëse betohet me arin e Tempullit, atëherë e detyron betimi.’ 
17 Të marrë e të verbër! Po cili është më i madh: ari apo Tempulli, që e shenjtëron arin? 
18 Ju thoni edhe: ‘Kush betohet me lter s’detyron ai betim, porse, kush betohet me dhuratën që është mbi lter, atëherë e detyron betimi!’ 
19 Të verbër! Po çka është më e madhe: dhurata apo lteri që e shenjtëron dhuratën? 
20 Tashti kush betohet me lter, betohet me të dhe me krejt çka ka në të! 
21 Kush betohet me Tempull, betohet me të dhe me Atë që banon në të. 
22 Kush betohet me Qiell, betohet me fronin e Hyjit dhe me Atë që rri në të.