Pages

Të fundit do të jenë të parët, e të parët të fundit - E Merkure 21 Gusht 2013

Leximi i parë: Gjyqtarët 9:6-15
Psalm: Psalm 21:2-7
UNGJILLI: MATEU 20:1-16


Leximi i parë: Gjyqtarët 9:6-15

6 U bashkuan, pra, të gjithë burrat e Sikemit e të shtëpisë së Melos e shkuan dhe e bënë mbret Abimelekun te qarri që gjendej në Sikem.

Përrallëza e Joatamit

7 E njoftuan për këtë Joatamin. Ky shkoi e zuri vend në majë të malit Garizim, bërtiti me sa zë pati e tha: “Më dëgjoni, zotërinj të Sikemit, dhe Hyji ju dëgjoftë ju.
8 Qëmoti u nisën për rrugë lëndët për të shuguruar një mbret mbi vete e i thanë ullirit: ‘Mbretëro mbi ne!’
9 Por ulliri u përgjigj: ‘A të heq dorë nga vaji im, me të cilin nderohen zotët dhe njerëzit, e të vij të luhatem përmbi lëndë?!’
10 I thanë pra, lëndët edhe drurit të fikut: ‘Eja e mbretëro mbi ne.’
11 Edhe fiku u përgjigj: ‘A të heq dorë nga ëmbëlsia ime e nga frutat e mi të shijshëm që të luhatem përmbi lëndët e tjera?!’
12 Atëherë lëndët i thanë hardhisë: ‘Eja ti e na sundo!’
13 E hardhia u përgjigj: ‘A të heq dorë nga vera ime që gëzon zotë e njerëz
e të vij që të bashkëluhatem mbi lëndët e tjera?!’
14 Të gjitha lëndët atëherë i thanë ferrëmanzës: ‘Eja e mbretëro mbi ne!’
15 Ferrëmanza u përgjigj: ‘Nëse vërtet po më bëni mbret tuajin,
ejani e pushoni nën hijen time. Por në qoftë se nuk është ashtu
daltë zjarri prej ferrëmanzës e i përpiftë cedrat e Libanit!’


Psalm: Psalm 21:2-7

2. Ti ia plotësove dëshirën e zemrës së tij dhe nuk hodhe poshtë kërkesën e buzëve të tij. (Sela)
3. Sepse ti i dole para me bekime begatie, i vure mbi kokë një kurorë prej ari shumë të kulluar.
4. Ai të kishte kërkuar jetë dhe ti i dhe ditë të gjata në përjetësi.
5. E madhe është lavdia e tij për shpëtimin tënd; ti i dhe madhështi dhe lavdi,
6. sepse ti e bën shumë të bekuar përjetë, e mbush me gëzim në praninë tënde.
7. Duke qenë se mbreti ka besim te Zoti dhe në mirësinë e Shumë të Lartit, ai nuk do të hiqet kurrë.


UNGJILLI: MATEU 20:1-16

1”Mbretëria e qiellit është e ngjashme me atë zot shtëpie, i cili doli herët në mëngjes që të gjejë punëtorë për vreshtin e vet. 
2 E, si u mor vesh me punëtorët me nga një denarë në ditë, i çoi në vreshtin e vet. 
3 Pastaj doli edhe rreth orës tre, pa disa të tjerë duke ndenjur të papunë në treg 
4 e u tha: ‘Shkoni edhe ju në vreshtin tim e do t’ju jap sa të jetë e drejtë.’ 
5 Shkuan edhe ata. Prapë doli rreth orës gjashtë dhe orës nëntë e bëri ashtu. 
6 Doli përsëri rreth orës njëmbëdhjetë, gjeti të tjerë që po rrinin të papunë dhe u tha: ‘Përse rrini këtu të papunë gjithë ditën?’ 
7 Ata iu përgjigjën: ‘Sepse askush nuk na mori në punë.’ Ai u tha: ‘Shkoni edhe ju në vresht!’
8 Si u bë mbrëmje, i zoti i vreshtit i tha kujdestarit të vet: ‘Thirri punëtorët dhe jepu pagën ‑ fillo prej atyre të fundit e deri në të parët.’ 
9 Erdhën kështu ata të të njëmbëdhjetës orë e morën secili nga një denar. 
10 Kur erdhën të parët, menduan se do të merrnin më shumë. Por edhe ata morën nga një denar. 
11 Duke e marrë i ankoheshin të zotit të shtëpisë
12 e thoshin: ‘Këta të fundit punuan vetëm një orë e ti i barazove me ne që mbartëm mundin e ditës e vapën.’
13 E ai iu përgjigj njërit prej tyre: ‘Mik, s’po të bëj padrejtësi! A nuk u more vesh me mua për nga një denar? 
14 Merr sa të përket e nisu! Unë dua t’i jap edhe këtij të fundit sa ty! 
15 A nuk kam të drejtë të bëj me pasurinë time si më pëlqen mua? Vallë a duhet të jesh ti smirëzi pse jam unë i mirë?’
16 Kështu të fundit do të jenë të parët, e të parët të fundit!”