Pages

Egjra do te digjet, por gruri do te ruhet - E Shtune 27 Korrik 2013

Leximi i parë: Eksodi 24:3-8
Psalm: Psalm 50:1-2, 5-6, 14-15
UNGJILLI: Mateu 13:24-30


Leximi i parë: Eksodi 24:3-8

3. Atëherë Moisiu erdhi dhe i tregoi popullit tërë fjalët e Zotit dhe tërë ligjet. Dhe gjithë populli u përgjigj me një zë dhe tha: "Ne do të bëjmë tërë gjërat që Zoti ka thënë".

4. Dhe Moisiu i shkroi tërë fjalët e Zotit; pastaj u ngrit herët në mëngjes dhe ngriti në këmbët e malit një altar dhe dymbëdhjetë shtylla për të dymbëdhjetë fiset e Izraelit.

5. Pastaj dërgoi bij të rinj të Izraelit për të ofruar olokauste dhe për të flijuar dema të rinj si theror falënderimi ndaj Zotit.

6. Dhe Moisiu mori gjysmën e gjakut dhe e vuri në legenë; dhe gjysmën tjetër të gjakut e shpërndau mbi altar.

7. Pastaj mori librin e besëlidhjes dhe ia lexoi popullit, i cili tha: "Ne do të bëjmë tërë ato që ka thënë Zoti, dhe do t`i bindemi".

8. Pastaj Moisiu mori gjakun, spërkati popullin me të dhe tha: "Ja gjaku i besëlidhjes që Zoti ka lidhur me ju sipas tërë këtyre fjalëve".


Psalm: Psalm 50:1-2, 5-6, 14-15

1. Perëndia i plotfuqishëm, Zoti ka folur dhe ka thirrur në mbledhje gjithë dheun, nga lindja në perëndim.

2. Nga Sioni, përsosmëri e bukurisë, Perëndia shkëlqen.

5. dhe do të thotë: "Mblidhni shenjtorët e mi, që kanë lidhur një besëlidhje me mua me anë të flijimit".

6. Dhe qiejtë do të shpallin drejtësinë e tij, sepse vetë Perëndia është gjykatësi. (Sela)

14. Dhuroji Perëndisë flijime lëvdimi dhe plotëso zotimet e tua që i ke bërë Shumë të Lartit.

15. Kërkomë ditën e fatkeqësisë, unë do të të çliroj dhe ti do të më lëvdosh".


UNGJILLI: Mateu 13:24-30

24. Ai u propozoi atyre një shëmbëlltyrë tjetër: ``Mbretëria e qiejve i ngjan një njeriu që mbolli farë të mirë në arën e vet.

25. Por, ndërsa njerëzit po flinin, erdhi armiku i tij dhe mbolli egjër nëpër grurë dhe iku.

26. Kur më pas gruri u rrit dhe jepte fryt u duk edhe egjra.

27. Dhe shërbëtorët e padronit të shtëpisë iu afruan atij dhe i thanë: "Zot, a nuk ke mbjellë farë të mirë në arën tënde? Vallë nga doli egjra?

28. Dhe ai u tha atyre: "Këtë e ka bërë armiku". Atëherë shërbëtorët i thanë: "A do ti të shkojmë e ta shkulim?".

29. Por ai tha: "Jo, kam frikë se, duke shkulur egjrën, bashkë me të, do të shkulni edhe grurin.

30. I lini të rriten bashkë deri në të korra. Në kohën e korrjes unë do t`u them korrësve: Mblidhni më parë egjrën, lidheni në duaj për ta djegur; por grurin futeni në hambarin tim"``.