Pages

Mos grumbulloni ar, as argjend as bakër në qesen tuaj - E Enjte 11 Korrik 2013

Leximi i parë: Zanafilla 44:18-21, 23-29, 45:1-5
Psalm: Psalm 105:16-21
UNGJILLI: Mateu 10:7-15


Leximi i parë: Zanafilla 44:18-21, 23-29, 45:1-5

18. Atëherë Juda iu afrua Jozefit dhe i tha: "Të lutem, zotëria im, lejoje shërbëtorin tënd që t`i thotë një fjalë zotërisë tim, dhe mos u zemëro me shërbëtorin tënd, sepse ti je si Faraoni.

19. Zotëria im i pyeti shërbëtorët e tij duke thënë: "A keni ju baba apo vëlla?".

20. Dhe ne iu përgjegjëm zotërisë tim: "Kemi një baba që është plak me një bir të ri, që i ka lindur në pleqëri; i vëllai ka vdekur, kështu ai ka mbetur i vetmi bir i nënës së tij dhe i ati e do".

21. Atëherë ti u the shërbëtorëve të tu: "Sillmani këtu që të mund ta shoh me sytë e mi".

23. Por ti u the shërbëtorëve të tu: "Në rast se vëllai juaj më i ri nuk zbret bashkë me ju, ju nuk do ta shihni më fytyrën time".

24. Kështu që kur u ngjitëm përsëri te shërbëtori yt, ati im, i treguam fjalët e zotërisë tim.

25. Atëherë ati ynë tha: "Kthehuni të na blini pak ushqime".

26. Ne u përgjegjëm: "Nuk mund të zbresim atje poshtë; do të zbresim vetëm në rast se vjen me ne vëllai ynë më i vogël; sepse nuk mund ta shohim fytyrën e atij njeriu po të jetë se vëllai ynë më i vogël nuk është me ne".

27. Dhe shërbëtori yt, ati ynë, na u përgjegj: "Ju e dini që gruaja ime më lindi dy bij;

28. njëri prej tyre më la dhe unë i thashë: Me siguri ai është bërë copë e çikë dhe nuk e kam parë më qysh atëherë;

29. dhe po të ma hiqni edhe këtë dhe i ndodh ndonjë fatkeqësi, ju do të kallni në varr pleqërinë time të dhembshme".

1. Atëherë Jozefi nuk e përmbajti dot më veten para tërë të pranishmëve dhe briti: "Nxirrini jashtë të gjithë nga prania ime!". Kështu nuk mbeti asnjëri me Jozefin kur ai u tregoi vëllezërve të tij se kush ishte.

2. Dhe qau aq fort sa që e dëgjuan edhe vet Egjiptasit, dhe ky lajm arriti edhe në shtëpinë e Faraonit.

3. Pastaj Jozefi u tha vëllezërve të tij: "Unë jam Jozefi, a është ende gjallë ati im?". Por vëllezërit e tij nuk mund t`i përgjigjeshin, sepse ishin të tronditur thellë në praninë e tij.

4. Atëherë Jozefi u tha vëllezërve të tij: "Afrohuni, pra, tek unë!". Ata iu afruan dhe ai u tha: "Unë jam Jozefi, vëllai juaj, që ju e shitët që ta çonin në Egjipt.

5. Por tani mos u trishtoni dhe mos t`ju vijë keq që më shitët me qëllim që të çohesha këtu poshtë, sepse Perëndia më ka dërguar para jush për të ruajtur jetën tuaj.

Psalm: Psalm 105:16-21

16. Pastaj solli zinë e bukës në vend dhe shkatërroi çdo burim ushqimesh.
17. Dërgoi para tyre një njeri, Jozefin, që u shit si skllav.
18. I shtrënguan këmbët me pranga dhe u rëndua me zinxhirë hekuri.
19. Fjala e Zotit e vuri në provë, deri sa u plotësua ajo që kishte thënë.
20. Atëherë mbreti dërgoi ta zgjidhnin, sunduesi i popujve dërgoi ta çlironin,
21. dhe e bëri zot të shtëpisë së tij dhe qeveritar mbi të gjitha pasuritë e tij.

NGJILLI: Mateu 10:7-15

7. Shkoni dhe predikoni duke thënë: "Mbretëria e qiejve u afrua".

8. Shëroni të sëmurët, pastroni lebrozët, ngjallni të vdekurit, dëboni demonët; falas morët, falas jepni.

9. Mos grumbulloni ar, as argjend as bakër në qesen tuaj,

10. as trasta për udhë, as dy palë tunika, as sandale, as shkop, sepse punëtori është i denjë për ushqimin e vet.

11. Në çfarëdo qytet ose fshat që të hyni, pyetni në se ka aty ndonjë njeri të denjë dhe banoni tek ai deri sa të niseni.

12. Dhe kur hyni në shtëpi, e përshëndetni.

13. Dhe në se ajo shtëpi është e denjë, le të vijë paqja juaj mbi të; por, në se nuk është e denjë, paqja juaj le të kthehet përsëri tek ju.

14. Dhe në se dikush nuk ju pret dhe nuk i dëgjon fjalët tuaja, duke dalë nga ajo shtëpi ose nga ai qytet, shkundni pluhurin nga këmbët tuaja.

15. Dhe në të vërtetë po ju them se ditën e gjyqit, vendi i Sodomës dhe i Gomorës do të trajtohet me më shumë tolerancë se ai qytet.