Pages

Pse keni frikë, o njerëz besimpakë? - E Marte 2 Korrik 2013

Leximi i parë: Zanafilla 19:15-29
Psalm: Psalm 26:2-3, 9-12
UNGJILLI: Mateu 8:23-27


Leximi i parë: Zanafilla 19:15-29

15. Sa doli agimi, engjëjt e nxitën Lotin duke thënë: "Çohu, merr gruan dhe bijat e tua që gjenden këtu, që ti të mos vdesësh në dënimin e këtij qyteti".

16. Duke qenë se ai po ngurronte, ata njerëz e morën për dore atë, të shoqen dhe dy bijat e tij, sepse Zotit i kishte ardhur mëshirë për të, e nxorrën jashtë dhe i shpëtuan jetën duke e çuar jashtë qytetit.

17. Ndërsa po i çonin jashtë, njëri prej tyre tha: "Ik shpejt për të shpëtuar jetën tënde! Mos shiko prapa e mos u ndal në asnjë vend të fushës; shpëto në mal që të mos vdesësh!".

18. Por Loti iu përgjegj atyre: "Jo, zoti im!

19. Ja, shërbëtori yt gjeti hir para syve të tu dhe ti u tregove shpirtmadh ndaj meje, duke më shpëtuar jetën, por unë nuk do të mund të arrij malin para se të më zërë fatkeqësia dhe unë të vdes.

20. Ja, ky qytet është mjaft i afërt për ta arritur dhe është i vogël. Më lër, pra, të iki shpejt aty (a nuk është i vogël?) dhe kështu do të shpëtoj jetën".

21. Engjëlli i tha: "Unë po ta plotësoj edhe këtë kërkesë: të mos shkatërroj qytetin për të cilin fole.

22. Shpejto, ik atje, sepse unë nuk mund të bëj asgjë para se ti të arrish atje". Për këtë arsye ky qytet u quajt Coar.

23. Dielli po ngrihej mbi tokë kur Loti arriti në Coar.

24. Atëherë Zoti bëri që nga qielli të binte squfur dhe zjarr mbi Sodomën dhe Gomorën, nga ana e Zotit.

25. Kështu ai shkatërroi ato qytete, tërë fushën, tërë banorët e qytetit e gjithçka mbinte mbi tokën.

26. Por gruaja e Lotit solli kryet për të shikuar prapa dhe u bë një statujë prej kripe.

27. Abrahami u ngrit herët në mëngjes dhe shkoi në vendin ku kishte qëndruar para Zotit;

28. pastaj drejtoi shikimin nga Sodoma dhe Gomora si dhe nga tërë krahina e fushës, dhe kështu pa një tym që ngrihej nga toka, si tymi i një furre.

29. Kështu ndodhi që kur Perëndia shkatërroi qytetin e fushës, Perëndisë iu kujtua Abrahami dhe e largoi Lotin nga gjëma kur shkatërroi qytetet ku Loti kishte banuar.


Psalm: Psalm 26:2-3, 9-12

2. Më heto, o Zot, dhe më vër në provë; pastro me zjarr trurin dhe zemrën time.
3. Sepse mirësia jote më rri përpara syve dhe unë po eci në vërtetësinë tënde.
9. Mos e vër shpirtin tim bashkë me atë të mëkatarëve dhe mos më bashko me njerëzit gjakatarë,
10. sepse ata kanë në duart e tyre plane të këqija dhe dora e tyre e djathtë është plot dhurata.
11. Por unë do të eci në ndershmërinë time; më shpengo dhe ki mëshirë për mua.
12. Këmba ime është e qëndrueshme në vënd të sheshtë. Në kuvende unë do të bekoj Zotin.


UNGJILLI: Mateu 8:23-27

23. Dhe mbasi ai hipi në barkë, dishepujt e tij e ndiqnin.

24. Dhe ja, që u ngrit në det një stuhi aq e madhe, sa valët po e mbulonin barkën, por ai flinte.

25. Dhe dishepujt e tij iu afruan dhe e zgjuan duke i thënë: ``O Zot, na shpëto, ne po mbarojmë!``

26. Por ai u tha atyre: ``Pse keni frikë, o njerëz besimpakë?``. Dhe, pasi u ngrit, qortoi erërat dhe detin, dhe u bë bunacë e madhe.

27. Atëherë njërëzit u mrekulluan dhe thoshnin: ``Kush është ky, të cilit po i binden deti dhe erërat?``.