Pages

Biri i njeriut do të vijë në lavdinë e Atit të vet bashkë me engjëjt e tij; dhe Ai do të shpërblej secilin sipas veprës së tij - E Merkure 10 Korrik 2013

Leximi i parë: 2 e Korintasve 4:6-11, 16, 17
Psalm: Psalm 59:2, 10, 17
UNGJILLI: Mateu 16:24-27


Leximi i parë: 2 e Korintasve 4:6-11, 16, 17

6. Sepse Perëndia që tha: ``Le të ndriçojë drita në errësirë``, është i njëjti që shkëlqeu në zemrat tona për t`na ndriçuar në njohurinë e lavdisë së Perëndisë, në fytyrën e Jezu Krishtit.

7. Dhe ne e kemi këtë thesar në enë prej balte që epërsia pashoqe e kësaj fuqie të jetë nga Perëndia dhe jo nga ne.

8. Ne jemi të shtrënguar në çdo mënyrë, por nuk jemi të ngushtuar deri në fund; jemi në dyshim por jo të dëshpëruar;

9. jemi të përndjekur por jo të braktisur; të rrëzuar, por jo të shkatëruar;

10. kurdo ne e mbajmë në trupin tonë vdekjen e Zotit Jezus, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në trupin tonë.

11. Ne që jetojmë, jemi vazhdimisht të dorëzuar në vdekje për Jezusin, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në mishin tonë të vdekshëm.

16. Prandaj nuk na lëshon zemra; por, edhe pse njeriu ynë i jashtëm shkon në shkatërrim, ai i brendshëm përtërihet nga dita në ditë.

17. Sepse trishtimi ynë i lehtë që është vetëm për një moment, prodhon për ne, një peshë të pamasë e të pashoqe të amshueshme lavdie;


Psalm: Psalm 59:2, 10, 17

2. Më çliro nga ata që bëjnë paudhësi dhe më shpëto nga njerëzit gjakatarë.
10. Perëndia im i dhembshur do të më dalë përballë; Perëndia im do të më bëjë të shoh atë që dëshiroj mbi armiqtë e mi.
17. O forca ime, ty do të këndoj lavdet, sepse ti, o Perëndi, je kështjella ime, Perëndia që ka mëshirë për mua.


UNGJILLI: Mateu 16:24-27

24. Atëherë Jezusi u tha dishepujve të vet: ``Në qoftë se dikush do të vijë pas Meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë.

25. Sepse ai që do të dojë ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do ta humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë atë.

26. Ç`përfitim ka njeriu nëse fiton gjithë botën dhe pastaj e humb shpirtin e vet? Ose çfarë do të japë njeriu si shkëmbim të shpirtit të vet?

27. Sepse Biri i njeriut do të vijë në lavdinë e Atit të vet bashkë me engjëjt e tij; dhe atëherë ai do të shpërblejë secilin sipas veprës së tij.