Pages

Biri i njeriut nuk erdhi që t`i shërbejnë, por për të shërbyer - E Enjte 25 Korrik 2013

Leximi i parë: 2 e Korintasve 4:7-15
Psalm: Psalm 126:1-6
UNGJILLI: Mateu 20:20-28


Leximi i parë: 2 e Korintasve 4:7-15

7. Dhe ne e kemi këtë thesar në enë prej balte që epërsia pashoqe e kësaj fuqie të jetë nga Perëndia dhe jo nga ne.

8. Ne jemi të shtrënguar në çdo mënyrë, por nuk jemi të ngushtuarderi në fund; jemi ndërdyshas por jo të dëshpëruar;

9. jemi të përndjekur por jo të braktisur; të rrëzuar, por jo të shkatëruar;

10. kurdo ne e mbajmë në trupin tonë vdekjen e Zotit Jezus, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në trupin tonë.

11. Ne që jetojmë, jemi vazhdimisht të dorëzuar në vdekje për Jezusin, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në mishin tonë të vdekshëm.

12. Dhe kështu tek ne vepron vdekja, ndërsa në ju jeta.

13. Por, duke pasur të njëjtën frymë besimi, sikurse është shkruar: ``Unë besova, prandaj fola``, edhe ne besojmë, prandaj edhe flasim,

14. duke ditur se ai që ringjalli Zotin Jezus, do të na ringjallë edhe ne nëpërmjet Jezusit dhe do të na paraqesë bashkë me ju.

15. Sepse të gjitha këto gjëra janë për ju, që hiri, duke arritur me anë të shumë personave, të prodhojë falenderim me tepri për lavdi të Zotit.


Psalm: Psalm 126:1-6

1. Kur Zoti i bëri robërit e Sionit të kthehen, na u duk si ëndërr.

2. Atëherë goja jonë u mbush me qeshje dhe gjuha jonë me këngë gëzimi, atëherë thuhej midis kombeve: "Zoti ka bërë gjëra të mëdha për ta".

3. Zoti ka bërë gjëra të mëdha për ne, dhe jemi tërë gëzim.

4. Bëj të rikthehen robërit tanë, o Zot, ashtu si përrenjtë në jug.

5. Ata që mbjellin me lotë, do të korrin me këngë gëzimi.

6. Vërtetë ecën duke qarë ai që mban farën që do të mbillet, por ai do të kthehet më këngë gëzimi duke sjellë duajt e tij.


UNGJILLI: Mateu 20:20-28

20. Atëherë nëna e bijve të Zebedeut iu afrua bashkë me bijtë e vet, ra përmbys para tij dhe i kërkoi diçka.

21. Dhe ai i tha: ``Çfarë do?``. Ajo u përgjigj: ``Urdhëro që këta dy bijtë e mi të ulen njeri në të djathtën dhe tjetri në të majtën në mbretërinë tënde``.

22. Dhe Jezusi, duke u përgjigjur tha: ``Ju nuk dini çfarë kërkoni; a mund ta pini ju kupën që unë do të pi dhe të pagëzoheni me pagëzimin me të cilin unë do të pagëzohem? Ata i thanë: ``Po, mundemi``.

23. Atëherë ai u tha atyre: ``Ju me të vërtetë do ta pini kupën time dhe do të pagëzoheni me pagëzimin me të cilin unë do të pagëzohem; por nuk është në dorën time që të uleni në të djathtën time ose në të majtën time, por u është rezervuar atyre, të cilëve u është përgatitur nga Ati Im``.

24. Kur i dëgjuan këto fjalë, të dhjetët të tjerët u indinjuan kundër të dy vëllezërve.

25. Dhe Jezusi i thirri ata pranë vetes dhe u tha: ``Ju e dini se të parët e kombeve i sundojnë ato dhe të mëdhenjtë përdorin pushtet mbi ato,

26. por midis jush kështu nuk do të ndodhë; madje secili prej jush që do të dojë të bëhet i madh, qoftë shërbëtori juaj;

27. dhe kushdo prej jush që do të dojë të jetë i pari, qoftë skllavi juaj.

28. Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t`i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetëve.