Pages

Gëzohuni më shumë që emrat tuaj janë shkruar në qiej - E Diele 7 Korrik 2013

Leximi i parë: Isaia 66:10-14
Psalm: Psalm 66:1-7, 16, 20
Leximi i dytë: Galatasve 6:14-18
UNGJILLI: Luka 10:1-12, 17-20


Leximi i parë: Isaia 66:10-14

10. Gëzohuni me Jeruzalemin dhe ngazëlloni me të, ju të gjithë që e doni. Gëzohuni me të madhe me të, ju të gjithë që mbani zi për të,

11. me qëllim që të pini qumësht dhe të ngopeni në gjirin e përdëllimeve të tij, me qëllim që të pini me bollëk dhe të kënaqeni me mbushullimin e lavdisë së tij.

12. Sepse kështu thotë Zoti: "Ja, unë do të bëj që paqja t`i arrijë si një lumë dhe pasuria e kombeve si një përrua që vërshon, dhe ju do të pini qumësht, do t`ju mbajnë në ijët e tij dhe do t`ju përkëdhelin mbi gjunjët e tij.

13. Ashtu si një nënë e gëzon fëmijën e saj, kështu unë do t`ju gëzoj dhe do të ngushëlloheni në Jeruzalem.

14. Ju do ta shihni këtë, dhe zemra juaj do të gëzohet, kockat tuaja do të marrin përsëri fuqi si bari i njomë. Dora e Zotit do t`u bëhet e njohur shërbëtorëve të tij dhe do të zemërohet me të madhe kundër armiqve të tij.


Psalm: Psalm 66:1-7, 16, 20

1. Lëshoni klithma gëzimi Perëndisë, ju të gjithë banorë të tokës;
2. i këndoni himne lavdisë së emrit të tij; bëjeni zulmëmadh lëvdimin e tij.
3. I thoni Perëndisë: "Sa të tmerrshme janë veprat e tua! Për shkak të madhështisë së fuqisë sate armiqtë e tu do të të nënshtrohen ty.
4. Tërë toka do të të adhurojë dhe do të këndojë për ty, do të këndojë lëvdimet e emrit tënd. (Sela)
5. Ejani dhe admironi atë që Perëndia ka bërë; ai është i tmerrshëm në veprat tij për bijtë e njerëzve.
6. Ai e ndryshoi detin në tokë të thatë; populli i tij e kaloi lumin me këmbë të thata; le të gëzohemi, pra, bashkë me të.
7. Me fuqinë e tij ai mbretëron në përjetësi; sytë e tij këqyrin kombet. Mos lejoni që rebelët të ngrenë krye. (Sela)
16. Ejani dhe dëgjoni, ju të gjithë që i trëmbeni Perëndisë, dhe unë do t`ju tregoj atë që ai bëri për shpirtin tim.
20. Qoftë i bekuar Perëndia, që nuk e hodhi poshtë lutjen time dhe nuk më mohoi mirësinë e tij.


Leximi i dytë: Galatasve 6:14-18

14. Sa për mua, mos ndodhtë kurrë që unë të mburrem me tjetër gjë, veç për kryqin e Zotit tonë Jezu Krisht, për të cilin bota është kryqëzuar tek unë edhe unë te bota.

15. Sepse në Jezu Krishtin as rrethprerja, as parrethprerja s`kanë ndonjë vlerë, por krijesa e re.

16. Dhe të gjithë ata që do të ecin sipas kësaj rregulle paçin paqe dhe mëshirë, e ashtu qoftë edhe për Izraelin e Perëndisë.

17. Tash e tutje askush të mos më trazojë, sepse unë mbaj në trupin tim shenjat e Zotit Jezus.

18. Vëllezër, hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me frymën tuaj. Amen.


UNGJILLI: Luka 10:1-12, 17-20

1. Pastaj Zoti caktoi shtatëdhjetë të tjerë dhe i nisi dy nga dy përpara tij, në çdo qytet dhe vend, ku ai do të shkonte.

2. Dhe u thoshte atyre: ``E korra është e madhe, kurse punëtorë janë pak; lutni Zotin e të korrës që të çojë punëtorë në të korrën e vet.

3. Shkoni; ja, unë ju dërgoj si qengja në mes të ujqërve.

4. Mos merrni me vete as çanta, as trasta, as sandale dhe mos përshëndetni asnjeri rrugës.

5. Dhe në cilëndo shtëpi ku të hyni, më përpara thoni: "Paqe në këtë shtëpi".

6. Dhe nëse është aty një bir i paqes, paqja juaj do të zbresë mbi të; nëse jo, do të kthehet tek ju.

7. Rrini, pra, në të njëjtën shtëpi, hani dhe pini atë që do t`ju japin, sepse punëtori meriton shpërblimin e vet. Mos kaloni nga një shtëpi në një tjetër.

8. Dhe në çdo qytet ku të hyni, nëse ju pranojnë, hani çfarë t`ju vënë përpara.

9. Dhe shëroni të sëmurit që do të jenë në të dhe u thoni atyre: "Mbretëria e Perëndisë ju është afruar".

10. Por në çdo qytet ku të hyni, nëse nuk ju pranojnë, dilni në rrugët e tij dhe thoni:

11. "Ne po shkundim kundër jush edhe pluhurin e qytetit tuaj që na u ngjit; veç ta dini se mbretëria e Perëndisë ju është afruar".

12. Unë ju them se atë ditë Sodoma do ta ketë më të lehtë sesa ai qytet.

17. Dhe të shtatëdhjetët u kthyen me gëzim dhe thanë: ``Zot, edhe demonët na nënshtrohen në emrin tënd``.

18. Dhe ai u tha atyre: ``Unë e shikoja Satanin që po binte nga qielli si një rrufe.

19. Ja, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj dhe akrepa, dhe mbi çdo pushtet të armikut; dhe asgjë nuk do të mund t`ju dëmtojë.


20. Megjithatë mos u gëzoni për faktin se po ju nënshtrohen frymërat, por gëzohuni më shumë që emrat tuaj janë shkruar në qiej``.