Pages

Fara që ra në tokë të mirë, dha fryt - E Merkure 24 Korrik 2013

Leximi i parë: Eksodi 16:1-5, 9-15
Psalm: Psalm 78:18-19, 23-28
UNGJILLI: Mateu 13:1-9


Leximi i parë: Eksodi 16:1-5, 9-15

1. Pastaj ata u nisën nga Elimi dhe tërë asambleja e bijve të Izraelit arriti në shkretëtirën e Sinit, që ndodhet midis Elimit dhe Sinait, ditën e pesëmbëdhjetë të muajit të dytë mbas nisjes së tyre nga vendi i Egjiptit.

2. Dhe tërë asambleja e bijve të Izraelit murmuriti kundër Moisiut dhe Aaronit në shkretëtirë.

3. Bijtë e Izraelit u thanë atyre: "Ah, le të kishim vdekur nga dora e Zotit në vendin e Egjiptit, ku uleshim pranë tenxhereve me mish dhe hanim bukë sa ngopeshim! Sepse ju na çuat në këtë shkretëtirë që të vdesë nga uria tërë kjo asamble".

4. Zoti i tha Moisiut: "Ja, unë do të bëj që të bjerë manë mbi juve nga qielli; dhe populli do të dalë çdo ditë për të mbledhur racionin e ditës, sepse unë dua ta vë në provë për të parë në se do të ecë ose jo simbas ligjit tim.

5. Por ditën e gjashtë, kur do të përgatisin nozullimin që duhet të çojnë në shtëpi, ai do të jetë dyfishi i atij që mbledhin çdo ditë".

9. Pastaj Moisiu i tha Aaronit: "Thuaji gjithë asamblesë së bijve të Izraelit: "Afrohuni para Zotit, sepse ai i dëgjoi murmuritjet tuaja"".

10. Ndërsa Aaroni i fliste tërë asamblesë së bijve të Izraelit, ata u sollën drejt shkretëtirës; dhe ja lavdia e Zotit u shfaq në re.

11. Dhe Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:

12. "Unë i dëgjova murmuritjet e bijve të Izraelit; folu atyre, duke thënë: "Në të ngrysur do të hani mish dhe në mëngjes do të ngopeni me bukë; dhe do të mësoni që unë jam Zoti, Perëndia juaj"".

13. Dhe kështu, aty nga mbrëmja ndodhi që shkurtat u ngritën dhe mbuluan kampin; dhe në mëngjes kishte një shtresë vese rreth kampit.

14. Pastaj shtresa e vesës u zhduk, dhe ja, mbi sipërfaqen e shkretëtirës u duk një gjë e hollë dhe e rrumbullakët, e hollë si bryma mbi tokë.

15. Kur bijtë e Izraelit e panë, i thanë njeri tjetrit: "Çfarë është?", sepse nuk e dinin se ç`ishte. Dhe Moisiu u tha atyre: "Kjo është buka që Zoti iu dha për të ngrënë.


Psalm: Psalm 78:18-19, 23-28

18. dhe e tunduan Perëndinë në zemër të tyre, duke kërkuar ushqim sipas dëshirave të tyre.

19. Dhe folën kundër Perëndisë, duke thënë: "A mund të shtrojë Perëndia një sofër në shkretëtirë?

23. Megjithatë ai i urdhëroi retë e sipërme dhe hapi dyert e qiellit,

24. dhe bëri që mbi ta të binte mana për të ngrënë dhe u dha atyre grurin e qiellit.

25. Njeriu hëngri bukën e engjëjve; ai u dërgoi atyre ushqime sa të ngopeshin.

26. Ai bëri të ngrihet në qiell era e lindjes dhe në sajë të fuqisë së tij bëri të ngrihet era e jugut,

27. bëri të binin mbi ta mish si pluhuri dhe zogj si rëra e detit.

28. Bëri që këto të binin në mes të kampit të tyre, rreth çadrave të tyre.


UNGJILLI: Mateu 13:1-9

1. Tani po atë ditë, Jezusi doli nga shtëpia dhe u ul në breg të detit.

2. Turma të mëdha u mblodhën rreth tij kështu që ai hipi mbi një barkë dhe u ul; dhe gjithë populli rrinte në këmbë në breg.

3. Dhe ai u paraqiti shumë gjëra në shëmbëlltyrë, duke thënë: ``Ja, një mbjellës doli për të mbjellë.

4. Ndërsa po mbillte, një pjesë e farës ra përgjatë rrugës; dhe zogjtë erdhën dhe e hëngrën.

5. Një pjesë tjetër ra në gurishte, ku nuk kishte shumë tokë, dhe mbiu shpejt sepse terreni nuk ishte i thellë;

6. por kur doli dielli u fishk dhe u tha sepse s`kishte rrënjë.

7. Një pjesë tjetër ra midis ferrave dhe ferrat u rritën dhe ia zunë frymën.

8. Një tjetër ra në tokë të mirë dhe dha fryt duke dhënë njëra njëqindfish, tjetra gjashtëdhjetëfish dhe tjetra tridhjetëfish.

9. Kush ka vesh për të dëgjuar, le të dëgjojë!``.