Pages

Unë nuk erdha për t`i shfuqizuar (ligjin dhe profetet), po për t`i plotësuar. - E Hene 15 Korrik 2013

Leximi i parë: 1 e Korintasve 2:6-13
Psalm: Psalm 16:5-9, 11
UNGJILLI: Mateu 5:13-19


Leximi i parë: 1 e Korintasve 2:6-13

6. Dhe ne flasim dituri në mes njerëzish të pjekur, por jo diturinë e kësaj kohe dhe as të pushtetarëve të kësaj kohe, që nuk arrin asgjë,

7. por flasim diturinë e Perëndisë të fshehur në mister, që Perëndia e kishte paracaktuar përpara kohërash për lavdinë tonë,

8. të cilën asnjë nga pushtetarët e kësaj kohe nuk e ka njohur; sepse, po ta kishin njohur, nuk do të kishin kryqëzuar Zotin e lavdisë.

9. Por, sikurse është shkruar: ``Ato gjëra që syri nuk i ka parë dhe veshi nuk i ka dëgjuar dhe nuk kanë hyrë në zemër të njeriut, janë ato që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan atë``.

10. Po Perëndia na i ka zbuluar me anë të Frymës së tij, sepse Fryma heton çdo gjë, edhe të thellat e Perëndisë.

11 . Sepse cili nga njerëzit, pra, njeh gjërat e njeriut, përveç se fryma e njeriut që është në të? Po kështu asnjëri s`i njeh gjërat e Perëndisë, përveç Fryma e Perëndisë.

12. Dhe ne nuk kemi marrë frymën e botës, por Frymën që vjen nga Perëndia, që të njohim gjërat që na janë dhuruar falas nga Perëndia.

13. Për këto edhe flasim, por jo me fjalë të mësuara nga dituria njerëzore, por të mësuara nga Fryma e Shenjtë, duke i krahasuar gjëra frymërore me fjalë frymërore.


Psalm: Psalm 16:5-9, 11

5. Zoti është pjesa ime nga trashëgimia dhe kupa ime; ti, o Zot, ruaje fort atë që më ka rënë në short.

6. Mua fati më ka rënë në vende të këndshme; po, një trashëgimi e bukur më ka rënë.

7. Unë do të bekoj Zotin që më këshillon; zemra ime më mëson edhe natën.

8. Unë e kam vënë vazhdimisht Zotin përpara syve të mi; duke qenë se ai rri në të djathtën time, unë nuk do të hiqem kurrë nga vendi.

9. Prandaj zemra ime gëzohet dhe shpirti im ngazëllon për lavdinë e trashëgimisë sime; edhe mishi im do të qëndrojë tërë besim dhe në siguri,

11. Ti do të më tregosh shtegun e jetës; ka shumë gëzim në praninë tënde; në të djathtën tënde ka kënaqësi në përjetësi.


UNGJILLI: Mateu 5:13-19

13. ``Ju jeni kripa e tokës; por në qoftë se kripa bëhet e amësht, me se mund ta rifitojë shijen? Nuk vlen për asgjë, veçse për t`u hedhur dhe ta shkelin njerëzit.

14. Ju jeni drita e botës; një qytet i ngritur në majë të malit nuk mund të fshihet.

15. Po ashtu nuk ndizet një qiri për ta vënë nën babunë, por për ta vënë mbi shandan, dhe t`u bëjë dritë të gjithë atyre që janë në shtëpi.

16. Ashtu le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej``.

17. ``Mos mendoni se unë erdha për të shfuqizuar ligjin ose profetët; unë nuk erdha për t`i shfuqizuar, po për t`i plotësuar.

18. Sepse në të vërtetë ju them: Deri sa qielli dhe toka, të kalojnë asnjë jotë a asnjë pikë e ligjit nuk do të kalojnë, para se të plotësohet gjithçka.

19. Ai, pra, që do të shkelë një nga këto urdhërime më të vogla, dhe do t`u ketë mësuar kështu njerëzve, do të quhet më i vogli në mbretërinë e qiejve; kurse ai që do t`i vërë në praktikë dhe do t`ua mësojë të tjerëve, do të quhet i madh në mbretërinë e qiejve.