Pages

Pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë, ... E Enjte 4 Korrik 2013

Leximi i parë: Isaia 58:6-11
Psalm: Psalm 107:2-9
UNGJILLI: Mateu 25:31-46


Leximi i parë: Isaia 58:6-11

6. Agjërimi që më pëlqen a nuk është vallë ky: të thyesh zinxhirët e ligësisë, të zgjidhësh verigat e zgjedhës, t`i lësh të lirë të shtypurit, të dërmosh çdo zgjedhë?

7. A nuk konsiston vallë në ndarjen e bukës sate me atë që ka uri, në sjelljen në shtëpinë tënde të të varfërit pa strehë, në të veshurit e atij që është lakuriq, pa lënë pas dore ata që janë nga gjaku yt?

8. Atëherë drita jote do të shpërthejë si agimi dhe shërimi yt do të mbijë menjëherë, drejtësia jote do të të pararendë dhe lavdia e Zotit do të jetë praparoja jote.

9. Atëherë do të thërrasësh dhe Zoti do të të përgjigjet, do të bërtasësh dhe ai do të thotë: "Ja ku jam!". Në rast se ti heq dorë nga zgjedha, tregimi me gisht dhe të folurit mbrapsht,

10. në rast se plotëson nevojat e të uriturit dhe ngop shpirtin e pikëlluar, atëherë drita jote do të lindë nga terri dhe terri yt do të jetë si mesdita.

11. Zoti do të të udhëheqë vazhdimisht, do të ngopë shpirtin tënd në vendet e thata dhe do t`u japë forcë kockave të tua; ti do të jesh si një kopsht i vaditur dhe si një burim uji, ujërat e të cilit nuk shterojnë.


Psalm: Psalm 107:2-9

2. Kështu thonë të shpenguarit prej Zotit që ai i ka çliruar nga dora e kundërshtarit,
3. dhe që ka mbledhur nga vende të ndryshme, nga lindja dhe perëndimi, nga veriu dhe nga jugu.
4. Ata endeshin nëpër shkretëtirë, në vënde të shkretuara, dhe nuk gjenin asnjë qytet ku të banonin.
5. Të uritur e të etur, jeta e tyre po ligështohej.
6. Por në fatkeqësitë e tyre ata i thirrën Zotit dhe ai i çliroi nga ankthet e tyre;
7. dhe i çoi në rrugën e drejtë, me qëllim që të arrinin në një qytet ku të banonin.
8. Le të kremtojmë Zotin për mirësinë e tij dhe për mrekullitë e tij në dobi të bijve të njerëzve.
9. Sepse ai ka ngopur shpirtin e etur dhe e ka mbushur me të mira shpirtin e uritur.


UNGJILLI: Mateu 25:31-46

31. ``Dhe kur të vijë Biri i njeriut në lavdinë e tij, bashkë me të gjithë engjëjt e shenjtë, atëherë do të ulet mbi fronin e lavdisë së vet.

32. Dhe të gjithë kombet do të mblidhen para tij; dhe ai do ta ndajë njërin nga tjetri ashtu si i ndan bariu delet nga cjeptë.

33. Dhe delet do t`i vërë në të djathtën e tij dhe cjeptë në të majtën.

34. Atëherë Mbreti do t`u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: "Ejani, të bekuar të Atit tim; merrni në trashëgim mbretërinë që u bë gati për ju që nga krijimi i botës.

35. Sepse pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë; isha i huaj dhe më pritët,

36. isha i zhveshur dhe më veshët, isha i sëmurë dhe ju më vizitonit, isha në burg dhe erdhët tek unë".

37. Atëherë të drejtët do t`i përgjigjen duke thënë: "Zot, kur të pamë të uritur dhe të dhamë për të ngrënë; ose të etur dhe të dhamë për të pirë?

38. Dhe kur të pamë të huaj dhe të pritëm ose të zhveshur dhe të veshëm?

39. Dhe kur të pamë të lënguar ose në burg dhe erdhëm te ti?".

40. Dhe Mbreti duke iu përgjigjur do t`u thotë: "Në të vërtetë po ju them: sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua.

41. Pastaj ai do t`u thotë edhe atyre që do të jenë në të majtë: "Largohuni nga unë, të mallkuar, në zjarr të përjetshëm, të përgatitur për djallin dhe engjëjt e tij.

42. Sepse pata uri dhe nuk më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe nuk më dhatë për të pirë,

43. isha i huaj dhe nuk më pritët, i zhveshur dhe nuk më veshët, i sëmurë dhe në burg dhe nuk erdhët të më shihni".

44. Atëherë edhe ata do t`i përgjigjen duke thënë: "Zot, kur të pamë të uritur ose të etur, ose të huaj, ose të zhveshur, ose të lëngatë ose në burg dhe nuk të shërbyem?".

45. Atëherë ai do t`u përgjigjet atyre duke thënë: "Në të vërtetë ju them: sa herë nuk ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre më të vegjëlve, këtë nuk ma bëtë as edhe mua".

46. Dhe ata do të shkojnë në mundim të përjetshëm, dhe të drejtët në jetën e përjetshme``.