Pages

Po nuk patë shenja e mbrekulli, ju nuk besoni - E Hënë 31 Mars 2014

Leximi i parë: Isaia 65:17-21
Psalm: Psalm 30:2, 4-6, 11-13
UNGJILLI: GJONI 4:43-54


Leximi i parë: Isaia 65:17-21

17 Sepse, ja, unë po krijoj,
qiell të ri e tokë te re,
të kaluarat s’do të kujtohen,
më ndër mend nuk do të bien.

18 Por do të gëzohet e do të galdohet përgjithmonë
në ato që unë po krijoj:
Jerusalemin do ta bëj gëzim,
popullin e tij do ta bëj hare.

19 Do të galdoj mbi Jerusalem,
do të kënaqem me popullin tim.
Në të më nuk do të dëgjohet
zë vajtimi as zë dënesjeje.

20 Aty më s’do të ketë foshnjë që rron pak ditë,
as plak që të mos ia arrijë moshës së vet,
sepse djalosh do të mbahet
kush të vdesë njëqind vjeç,
e ai që s’i mbush njëqind vjet,
do të mbahet për njeri të mallkuar.

21 Do të ndërtojnë shtëpi e do të banojnë në to,
do të mbëltojnë vreshta e do t’i hanë frytet e tyre.


Psalm: Psalm 30:2, 4-6, 11-13

2 Të madhëroj, o Zot, pse më shpëtove
e nuk lejove të ngihen armiqtë e mi mbi mua.

4 ti, o Zot, ma nxore shpirtin nga Nëntoka,
më ktheve në jetë që të mos zbres në varr.

5 Këndoni Zotit ju, o besimtarët e Tij,
falenderojeni Emrin e Shenjtë të Tij!

6 Sepse një çast zgjat hidhërimi i Tij
e tërë jetën dashamirësia e Tij!
Mbrëmja vjen me lot,
e mëngjesi plot hare!

11 Më dëgjoi Zoti e pati mëshirë për mua,
Zoti u bë ndihmëtari im.

12 Ti vajin ma ktheve në valle,
ma zhveshe grathoren time e më ngjeshe me hare,

13 që shpirti im të të këndojë e të mos pushojë:
“O Zot, Hyji im, do të të lavdëroj për amshim”!


UNGJILLI: GJONI 4:43-54

Shërimi i djalit të nëpunësit mbretëror
(Mt 8, 5‑13; Lk 7, 1‑10)

43 Pas këtyre dy ditëve shkoi prej andej në Galile. 

44 Në të vërtetë Jezusi kishte thënë se profeti nuk nderohet në vendin e vet. 

45 Kur arriti në Galile, galileasit e pritën mirë, sepse kishin parë se çka kishte bërë në Jerusalem në kohë të festës. Sepse edhe ata kishin qenë për festë.

46 Erdhi, pra, prapë në Kanë të Galilesë, ku e kishte shndërruar ujin në verë. Aty ishte një nëpunës i mbretit, i cili e kishte djalin të sëmurë në Kafarnaum.

47 Ky, kur mori vesh se Jezusi kishte ardhur prej Judesë në Galile, shkoi tek ai e iu lut të zbriste t’ia shëronte djalin që ishte në fill të vdekjes. 

48 Jezusi i tha:
Po nuk patë shenja e mrekulli, ju nuk besoni.”

49 Nëpunësi mbretëror iu përgjigj:
“Zotëri, eja para se të më vdesë fëmija.”

50 “Shko ‑ i tha Jezusi ‑ djali yt është shëndoshë!”
Njeriu i besoi fjalës që i tha Jezusi dhe shkoi. 

51 Ndërsa ai po zbriste, shërbëtorët e tij i dolën para dhe i thanë: “Djali yt është shëndoshë e mirë!” 

52 I pyeti për kohë kur filloi të bëjë më mirë. Ata i thanë:
“Dje rreth orës shtatë e lëshuan ethet!”

53 I ati e kuptoi se ajo ndodhi në atë orë, kur Jezusi i tha: “Djali yt është shëndoshë!” Dhe besoi ai e mbarë shtëpia e tij.

54 Kjo ishte mrekullia e dytë që Jezusi bëri, kur u kthye prej Judesë në Galile.


Nderi më i madh që Zoti mund t’i bëj një shpirti nuk është që t’i japi shumë, por të kërkoj shumë prej tij.

-- Shën. Teresa e Lisieux