Pages

Mos u brengosni për të nesërmen, sepse e nesërmja do të kujdeset vetë për vete - E Djelë, 2 Mars 2014

Leximi i parë: Isaia 49:14-15
Psalm: Psalm 62:2-3, 6-9
Leximi i dytë: 1 e Korintasve 4:1-5
UNGJILLI: MATEU 6:24-34


Leximi i parë: Isaia 49:14-15

14 Tha Sioni: “Zoti më la, më harroi Zoti!”

15 E harron ‑ thua ‑ gruaja foshnjën e vet, që të mos ketë dhimbje për frytin e barkut të vet? Po edhe nëse ndonjëra do të harronte, unë ty kurrë nuk të harroj!


Psalm: Psalm 62:2-3, 6-9

2 Vetëm në Hyjin pusho, shpirti im,
sepse prej tij vjen shpëtimi im.

3 Vetëm ai është qeta ime e shpëtimi im,
kështjella ime: më kurrë nuk do të trandem!

6 Vetëm në Hyjin pusho, o shpirti im,
vetëm në të qëndron shpresa ime!

7 Vërtet vetëm Ai është Hyji im e shpëtimi im,
kështjella ime: më kurrë nuk do të trandem!

8 Në Hyjin është shëlbimi im e nderi im,
në Hyjin shpresa e fuqisë sime, strehimi im në Hyjin.

9 Shpreso në të gjithmonë, o popull,
atij hapi zemrën,
sepse Hyji është strehimi ynë.


Leximi i dytë: 1 e Korintasve 4:1-5

1 Prandaj, gjithkush le të na mbajë për shërbëtorë të Krishtit e për mbarështues të mistereve të Hyjit. 

2 Tashti, në fund të fundit, prej mbarështuesve kërkohet që secili të jetë besnik. 

3 Sa për mua, aspak nuk shqetësohem se më gjykoni ju apo çfardo gjyqi njerëzor. Por as vetë nuk e gjykoj vetveten. 

4 Vërtet, ndërgjegjja ime nuk më padit për asgjë, por nuk është kjo që më bën të drejtë, sepse gjykatësi im është Zoti. 

5 Prandaj, mos gjykoni para kohe, para se të vijë Zoti! Ai do të qesë në dritë çka është e fshehur në errësirë dhe do t’i zbulojë synimet e zemrave. Atëherë gjithkush do të marrë prej Hyjit lavdinë që i përket.


UNGJILLI: MATEU 6:24-34

Hyji dhe mamona
(Lk 16, 13)

24 “Askush s’mund t’u shërbejë dy zotërinjve, sepse: ose do ta urrejë njërin e tjetrin do ta duajë, ose do t’i mbështetet njërit e tjetrit do t’ia kthejë shpinën. Nuk mund t’i shërbeni Hyjit dhe pasurisë.”

Kujdesi i tepruar ndaj pasurisë dhe brengosja
(Lk 12, 22‑34)

25 “Prandaj po ju them: mos u brengosni për jetën tuaj se çka do të hani dhe çka do të pini, as për trupin tuaj se çka do të vishni: vallë a nuk është jeta më e vlefshme se ushqimi e trupi se petku? 

26 Shikoni shpendët e qiellit! As nuk mbjellin, as nuk korrin, as nuk mbledhin në drithnikë, e Ati juaj qiellor i ushqen! A nuk jeni ju më të vlefshëm se ata? 

27 E kush prej jush, me gjithë përpjekjet shqetësuese që mund të bëjë, është i zoti ta zgjasë sado pak jetën e vet? 

28 E për veshje, përse brengoseni aq? Shikoni si rriten lilat e fushës: nuk heqin keq as nuk tjerrin! 

29 E unë po ju them: as vetë Salomoni me tërë madhërinë e vet nuk është veshur si njëri nga ata! 

30 Tashti, nëse Hyji e vesh kështu barin e tokës, që sot është e nesër hidhet në furrë, vallë, a nuk do t’ju veshë më me ëndje ju, o fepakët? 

31 Mos u brengosni, prandaj, duke thënë: ‘Çka do të hamë?’ e ‘Çka do të pimë?’ ‘Me çka do të vishemi?’ 

32 ‑ këto gjëra i kërkojnë paganët ‑ sepse Ati juaj qiellor e di mirë se ju keni nevojë për të gjitha këto. 

33 Kërkoni, pra, më së pari, Mbretërinë dhe drejtësinë e tij e të gjitha këto do t’ju jepen si shtesë! 

34 Prandaj: mos u brengosni për të nesërmen, sepse e nesërmja do të kujdeset vetë për vete. Secilës ditë i del mjaft mundimi i vet!”



Për Hyjin e Gjithpushtetshëm…, për arsye se Ai është mirësia supreme, kurrë nuk do të lejonte që ndonjë ligësi e çfarëdo lloji të egzistonte në punët e Tij, po të mos ishte kaq i gjithëpushtetshëm dhe i mirë sa të shkaktonte që e mira të nxirrej nga vetë ligësia.

-- Shën. Agustini