Pages

Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër. Atë dëgjojeni - E Djelë 16 Mar 2014

Leximi i parë: Zanafilla 12:1-4
Psalm: Psalm 33:4-5, 18-20, 22
Leximi i dytë: 2 e Timoteut 1:8-10
UNGJILLI: MATEU 17:1-9


Leximi i parë: Zanafilla 12:1-4

Thirrja e Abrahamit

1 Zoti i tha Abrahamit:
“Dil prej vendit tënd dhe prej vëllazërisë sate,
e prej shtëpisë së babait tënd
në drejtim të një vendi që do të ta tregoj.

2 Prej teje do të bëj një popull të madh
dhe do të të bekoj.
Do ta bëj të madh emrin tënd.
Ti vet do të jesh bekim.

3 Do t’i bekoj ata që do të bekojnë ty,
do t’i mallkoj ata që do të mallkojnë ty.
Në ty do të bekohen të gjitha fiset e tokës”!

4 Atëherë Abrahami u nis si i kishte urdhëruar Zoti dhe me të shkoi edhe Loti. Abrami ishte shtatëdhjetë e pesë vjet, kur doli prej Harranit.


Psalm: Psalm 33:4-5, 18-20, 22

4 Sepse e drejtë është fjala e Zotit
e të gjitha veprat e tija me besë.

5 E do drejtësinë e gjyqin,
plot është toka me mirësinë e Zotit.

18 Ja, sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë,
mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij:

19 për t’i shpëtuar nga vdekja
e për t’i ushqyer në kohën e urisë.

20 Shpirti ynë shpreson në Zotin,
ai është ndihma dhe mburoja jonë.

22 Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot,
sikurse ne shpresojmë në ty.


Leximi i dytë: 2 e Timoteut 1:8-10

8 Prandaj mos të të vijë turp ta dëshmosh Zotin tonë, as mua të burgosurin e tij, por hiq keq bashkë me mua për Ungjill duke u mbështetur në fuqinë e Hyjit, 

9 i cili na shëlboi dhe na grishi me thirrje të shenjtë – jo në saje të veprave tona, por në saje të vullnetit të vet dhe të hirit, që na u dha që prejamshimit në Jezu Krishtin 

10 dhe u dëftua tani me Ardhjen e Shëlbuesit tonë Jezu Krishtit. Ky e asgjësoi vdekjen dhe bëri të shndrisë jeta dhe pavdekësia me anë të Ungjillit.


UNGJILLI: MATEU 17:1-9

1 Pas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, vëllain e tij e i çoi në vetmi në një mal të lartë. 

2 Atëherë u shndërrua para syve të tyre: fytyra i shkëlqeu porsi dielli e petkat iu bënë të bardha porsi drita. 

3 Dhe ja, atyre iu dukën Moisiu dhe Elia e flisnin me të. 

4 Atëherë Pjetri i tha Jezusit:
“Zotëri, është mirë për ne të rrimë këtu: nëse do ti, po ngre këtu tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë.”

5 E ende pa e kryer fjalën, ja, i mbuloi një re e shndritshme dhe u dëgjua një zë nga reja që tha: “Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër. Atë dëgjojeni!” 

6 Nxënësit, posa e dëgjuan këtë zë, ranë me fytyrë për dhe e u trembën së tepërmi. 

7 Jezusi u afrua, i preku e tha: “Çohuni e mos u trembni!”

8 Ata kur i çuan sytë, s’panë tjetërkënd, përveç Jezusit vetëm.

9 Ndërsa po zbrisnin nga mali, Jezusi i urdhëroi:
“Mos i tregoni askujt çka patë, para se Biri i njeriut të ngjallet prej së vdekuri.”




Shmanguni nga praktikat e djallit; në të vërtetë, predikoni kundër tyre. Dëgjojeni peshkopin tuaj, që edhe Zoti të mund t'ju dëgjoj ju. Punoni të bashkuar në harmoni; përpiquni së bashku, vraponi së bashku, vuani së bashku, pushoni së bashku, ngrihuni së bashku, si drejtues, këshilltarë dhe shërbëtorë të Zotit. Prandaj të jeni të duruar dhe bujarë me njëri tjetrin, ashtu si Zoti është me ju.

-- Shën. Ignatius i Antioch