Pages

Nëse, vërtet, nuk e dëgjojnë Moisiun e profetët, nuk do t’u mbushet mendja edhe nëse ndokush ngjallet prej të vdekurish - E Enjte 20 Mars 2014

Leximi i parë: Jeremia 17:5-10
Psalm: Psalm 1:1-4, 6
UNGJILLI: LUKA 16:19-31


Leximi i parë: Jeremia 17:5-10

Fjalë urtie

5 Kështu thotë Zoti:
Qoftë mallkuar ai njeri që në njeriun shpreson,
ai që mbështjetjen e vet e ka në njeriun
e zemra e tij largohet prej Zotit.

6 Ai do të jetë porsi marena në shkretëtirë:
nuk sheh kurrë asnjë të mirë,
i shkon ditët në thatësirën e shkretëtirës,
në tokë të kriposur, të pabanueshme.

7 Qoftë bekuar ai që shpreson në Zotin,
Zoti do të jetë shpresa e tij.

8 Ai do të jetë porsi druri
i mbëltuar në breg të ujit,
që kah përroi i lëshon rrënjët
e s’do të trembet kur të vijë zhegu:
gjethi i tij do të jetë i blertë.
Për vit thatësie nuk merakoset,
nuk pushon së dhëni fruta.

9 Më dinake se çdo gjë tjetër është zemra,
e pashërueshme;
kush është ai që mund ta njohë?

10 Unë, Zoti, shqyrtoj zemrën, sprovoj veshkat,
i jap secilit sipas sjelljes së tij,
sipas fryteve të veprave të tij.

Psalm: Psalm 1:1-4, 6

1 Lum njeriu që nuk i ndjek këshillat e keqbërësve,
që nuk qëndron në udhën e mëkatarëve
e nuk rri së bashku me përqeshës,

2 por kënaqet në Ligjin e Zotit
dhe e kujton atë ditë e natë.

3 Ai është porsi pema e mbjellë në bregun e ujit që rrjedh,
e cila frytin e vet e jep në stinë
dhe gjethet kurrë s’i vyshken:
i ecën mbarë gjithçka të ndërmarrë.

4 Jo, kështu jo, s’do t’u ndodhë të paudhëve,
por ata janë porsi byku që shpërndan era.

6 Sepse Zoti e di udhën e të drejtëve,
kurse udha e keqbërësve do të mbarojë.

UNGJILLI: LUKA 16:19-31

Njeriu i pasur dhe Lazri skamnor

19 “Ishte një njeri i pasur që vishej me cohë të kuqe e me pëlhurë të çmueshme dhe gostitej shkëlqyeshëm si një ditë përditë. 

20 Kurse para derës së tij rrinte një skamnor, plot çibana, që quhej Lazër 

21 e dëshironte të ngihej me dromcat që binin nga tryeza e pasanikut. Madje edhe qentë vinin e ia lëpinin varrët.

22 Vdiq skamnori e engjëjt e çuan në prehër të Abrahamit. Vdiq edhe pasaniku dhe e varrosën.

23 Në ferr, ndër mundime të mëdha, çoi sytë e pa prej së largu Abrahamin dhe Lazrin në prehrin e tij 

24 e bërtiti: ‘O atë Abraham, ki mëshirë për mua e dërgoje Lazrin ta lagë majën e gishtit të vet në ujë e të ma flladisë gjuhën se po mundohem për së tepërmi në këtë flakë.’ 

25 Abrahami iu përgjigj: ‘Mos harro, o bir, se ti i gëzove të mirat e tua gjatë jetës sate, ndërsa Lazri të këqijat; tashti, ky këtu gëzon e ti vuan. 

26 Por, për më tepër, ndërmjet nesh e jush është një humnerë e madhe, kështu që, edhe ata që do të donin të kalojnë prej këndej te ju, nuk munden, po ashtu edhe prej andej të kalojë këndej, s’mundet askush!’

27 Pasaniku vazhdoi: ‘Atëherë, po të lutem, o atë, çoje Lazrin në shtëpinë e tim eti, 

28 se i kam pesë vëllezër e le t’i qortojë seriozisht që të mos vijnë edhe ata në këtë vend mundimesh.’ 

29 Abrahami iu përgjigj: ‘Kanë Moisiun e profetët, le t’i dëgjojnë ata!’ 

30 Pasaniku i tha: ‘Jo, o atë Abraham, por nëse shkon ndokush prej të vdekurish tek ata, veç atëherë do të kthehen!’ 

31 Iu përgjigj: ‘Nëse, vërtet, nuk e dëgjojnë Moisiun e profetët, nuk do t’u mbushet mendja edhe nëse ndokush ngjallet prej të vdekurish. ’“



Besimi i të gjithë Kristjanëve qëndron tek Trinia e Shenjtë.

-- Shën. Cesarios i Arles