Pages

Guri që ndërtuesit e qitën jashtë përdorimit u bë guri i këndit - E Premte 21 Mars 2014

Leximi i parë: Zanafilla 37:3-4, 12-13, 17-28
Psalm: Psalm 105:16-21
UNGJILLI: MATEU 21:33-43, 45-46


Leximi i parë: Zanafilla 37:3-4, 12-13, 17-28

3 Izraeli e donte Jozefin mbi të gjithë djemtë e tjerë, sepse e kishte fëmijë të pleqërisë. Ai ia punoi një petk deri në fund të këmbëve. 

4 Duke parë vëllezërit e tij se i ati e donte më tepër se të gjithë bijtë e tjerë, ia morën aq mëri dhe nuk mundnin t’i flisnin më njerëzisht.

Jozefi shitet prej vëllezërve

12 Vëllezërit e tij shkuan në Sikem për të kullotur grigjat e t’et. 

13 Izraeli i tha Jozefit: “Vëllezërit e tu po kullotin berret në Sikem. Çohu e shko tek ata”!

17 Ai njeri i tha: “E kanë lëshuar këtë vend, por unë i dëgjova duke thënë: ‘Të shkojmë në Dotain”. Kështu Jozefi u nis pas vëllezërve të vet dhe i gjeti në Dotain.

18 Ata e panë prej së largu. Para se të arrinte tek ata, vendosën ta vrasin. 

19 I thanë njëri‑tjetrit: “Ja, po vjen ëndërrtari! 

20 Ejani ta vrasim e ta hedhim në ndonjë ubël dhe do të themi:
‘E shqyen egërsirat’! Atëherë do të shihet sa i vlejnë ëndrrat e tija”!

21 Rubeni i dëgjoi dhe donte ta shpëtojë prej duarve të tyre. U tha: 

22 “Mos t’ia marrim jetën”! Dhe shtoi: “Mos derdhni gjak! Por hidheni në këtë ubël që është këtu në shkretëtirë e mos çoni dorë në të”! Tha kështu, sepse donte ta shpëtojë prej duarve të tyre e t’ia kthente të atit.

23 Posa arriti te vëllezërit e vet ata ia zhveshën petkun e gjatë deri në fund të këmbëve 

24 dhe e hodhën në ubël, që nuk kishte ujë. 

25 Dhe u ulën të hanë bukë. Kur i çuan sytë, panë se po vinin disa udhëtarë ismaelitë prej Galaadit me deve të ngarkuara me rrëshinë, balsam dhe peshkve erëmirë; i çonin në Egjipt. 

26 Atëherë Juda u tha vëllezërve të vet: “Çfarë fitimi kemi nëse e vrasim vëllanë tonë në moh? 

27 Më mirë është t’u shitet ismaelitëve dhe të mos i përdhosim duart tona. Sepse ai është vëllai ynë ‑ mishi ynë!” Vëllezërit e dëgjuan.

28 Ndërsa po kalonin andej disa tregtarë madianitë, vëllezërit e nxorën Jozefin prej ublës dhe ua shitën ismaelitëve për njëzet sikla argjendi. Ata e çuan në Egjipt.

Psalm: Psalm 105:16-21

16 Ai e grishi urinë përmbi dhe,
ua sosi të gjitha rezervat e bukës.

17 Para tyre dërgoi një njeri:
Jozefin e shitur skllav.

18 I qitën në pranga këmbët e tija,
në qafë i mbërthyen hekurat,

19 ditët kalonin e profecia iu plotësua,
fjala e Zotit i dha të drejtë.

20 Mbreti urdhëroi të zgjidhej prej prangash,
kryetari i popujve, e çliroi.

21 E bëri zot shtëpie të shtëpisë së vet,
kujdestar përmbi pasurinë e vet,


UNGJILLI: MATEU 21:33-43, 45-46

Shëmbëlltyra e vreshtarëve gjakësorë
(Mk 12, 1‑12; Lk 20, 9‑19)

33 “Dëgjojeni shëmbëlltyrën tjetër:
Ishte një zot shtëpie që kishte mbjellë një vresht. E thuri me gardh, punoi shtrydhësin e rrushit, ndërtoi kullën, ua dha vreshtarëve ta punojnë për gjysmë dhe shkoi në vend të huaj.

34 Kur u afrua koha e të vjelave, dërgoi te vreshtarët shërbëtorët e vet për të marrë frytin që i takonte. 

35 Vreshtarët i kapën shërbëtorët: njërin e rrahën, një tjetër e mbytën e një tjetër e vranë me gurë. 

36 Prapë dërgoi shërbëtorë të tjerë, më shumë se të parët, porse edhe atyre ua bënë ashtu.

37 Në fund dërgoi të birin duke menduar: ‘Do të kenë nderim ndaj djalit tim!’

38 Porse vreshtarët, kur e panë djalin i thanë njëri‑tjetrit: ‘Ky është trashëgimtari! Ejani ta vrasim dhe neve do të na mbesë pasuria e tij.’ 

39 E kapën, e qitën jashtë vreshtit dhe e vranë.

40 Tashti, kur të vijë i zoti i vreshtit, çka do t’u bëjë këtyre vreshtarëve?”

41 Iu përgjigjën:
“Të këqijtë do t’i shfaros keqas e vreshtin e vet do t’ua japë vreshtarëve të tjerë, të cilët do t’i japin frytin posa të vijë koha e të vjelave.”

42 Jezusi u tha:
“A nuk e lexuat asnjëherë në Shkrimin e shenjtë:
‘Guri që ndërtuesit e qitën jashtë përdorimit
u bë guri i këndit;
kjo është vepër e Zotit,
sa mrekulli në sytë tanë!’

43 Prandaj ‑ po ju them ‑ juve do t’ju hiqet dore Mbretëria e Hyjit e do t’i jepet një populli që i prodhon frytet e saj!”

45 Kryepriftërinjtë e farisenjtë, kur i dëgjuan shëmbëlltyrat e tij, e morën vesh se po fliste për ta. 

46 Kërkonin ta zinin, por druanin popullin sepse e mbante për profet.



Këto ditë asnjë nuk mendon për frikën që mban e ardhmja. Asnjë nuk e merr për zemër ditën e gjykimit, dhe zemërimin e Zotit. Ndëshkimet që do të vijnë për jobesimtarët, dhe mundimet e përjetshme të dekretuara për të pafetë. Vetëm nëse do të besonin, ata do të kushtonin vëmëndje, dhe po të kishin kushtuar vëmëndje, ata do të shpëtonin.

-- Shën. Ciprian i Kartages