Pages

Në këtë gjë vërtetohet fjala: ‘Njëri mbjell e një tjetër korr’ - E Djelë 23 Mars 2014

Leximi i parë: Dalja 17:3-7
Psalm: Psalm 95:1-2, 6-9
Leximi i dytë: Romakëve 5:1-2, 5-8
UNGJILLI: GJONI 4:5-42 ose 4:5-15, 19-26, 39-42


Leximi i parë: Dalja 17:3-7

3 Në këtë vend populli hoqi keq për ujë dhe përshpërisnin kundër Moisiut: “Përse na bëre të dalim prej Egjiptit për të na vrarë ne, fëmijët tanë dhe bagëtitë tona”? 

4Moisiu iu drejtua Zotit me këto fjalë: “Çfarë të bëj me këtë popull? Edhe pak dhe do të më vrasin me gurë”. 

5 Zoti i tha Moisiut: “Shko para popullit; merr me vete disa prej pleqve të Izraelit, merre në dorë shkopin, me të cilin e godite lumin dhe nisu! 

6 Ja, Unë do të qëndroj para teje përmbi shkëmbin e Horebit. Ti bjeri shkëmbit e prej tij do të shpërthejë uji që populli të pijë”. Moisiu bëri ashtu ndër sy të pleqve të Izraelit.

7 Atë vënd Moisiu e quajti: Masa dhe Meriba, për shkak të grindjes së bijve të Izraelit dhe pse e tunduan Zotin, kur thanë: “A është Zoti me ne apo nuk është”?


Psalm: Psalm 95:1-2, 6-9

1 Ejani t’i këndojmë Zotit,
t’i brohorisim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

2 T’i dalim para me falenderim,
t’i këndojmë këngë hareje!

6 Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para Tij,
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

7 Sepse Ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullotës së Tij,
grigja që ai ruan.

8 Oh sikur ta ndienit sot zërin e Tij:
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

9 porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
kur etërit tuaj më vunë në sprovë:
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e Mia".


Leximi i dytë: Romakëve 5:1-2, 5-8

1 Të shfajësuar, pra, me anë të fesë, jemi në paqe me Hyjin nëpër Jezu Krishtin, Zotin tonë, 

2 nëpër të cilin [me anë të fesë] fituam hirin, në të cilin tani jemi dhe me të cilin mburremi, sepse shpresojmë se do të kemi pjesë në lumturinë e Hyjit. 

5 E shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Hyjit u ndikua në zemrat tona me anë të Shpirtit Shenjt që na u dhurua.

6 Dhe njëmend, ndërkohë, kur ne ishim akoma të dobët, Krishti, në kohën e duhur, vdiq për keqbërësit. 

7 E pra, vështirë do të pranonte kush të vdesë për një njeri të drejtë ‑ ndoshta për ndonjë njeri të mirë ndokush edhe do të merrte guxim të vdesë. 

8 Por Hyji e dëftoi dashurinë e vet kundrejt nesh kështu: ndërsa ne ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne. 


UNGJILLI: GJONI 4:5-42

5 Arriti, pra, në qytetin e Samarisë që quhet Sihar, afër pronës që Jakobi ia pati dhënë Jozefit, birit të vet. 

6 Aty ishte pusi i Jakobit. Jezusi, i lodhur nga udhëtimi, u ul të rrijë në grykën e pusit. Ishte diku rreth orës gjashtë. 

7 Një grua nga Samaria erdhi të mbushë ujë. Jezusi i tha:
“Më jep të pi!”

8 Nxënësit e tij kishin shkuar në qytet të blejnë ushqime.

9 Samaritania i tha:“Si? Ti që je judeas, kërkon ujë prej meje që jam samaritane?”
[Sepse judenjtë nuk marrin e japin me samaritanë].

10 Jezusi iu përgjigj: Po ta dije ti çka të dhuron Hyji dhe kush është ai që të thotë:‘Më jep të pi!’, ti vetë do të lypje nga ai dhe ai do të të jepte ujë të gjallë!”

11 “Zotëri ‑ iu përgjigj gruaja ‑ ti s’ke as me çka të mbushësh ujë e pusi është i thellë! Nga, pra, mund të kesh ujë të gjallë? 

12 A mos je më i madh se ati ynë Jakobi, që na dha këtë pus, piu vetë prej tij, si edhe bijtë e tij e bagëtitë e tij.”

13 Jezusi iu përgjigj: “Kushdo që pi këtë ujë, përsëri do të ketë etje.

14 Kurse, kush do të pijë ujin që unë do t’ia jap, kurrë më nuk do të ketë etje, madje uji që unë do t’ia jap do të bëhet në të burim që rrjedh në jetën e pasosur.”

15 Po i thotë gruaja: “Zotëri, më jep ashtu uji që të mos etem më e të mos më duhet të vij këtu të mbush!”

16 Ai i tha: “Shko, thirre burrin tënd dhe eja këtu!”

17 “Unë nuk kam burrë!” ‑ iu përgjigj ajo. “Mirë the! ‑ ia ktheu Jezusi ‑ ‘S’kam burrë!’

18 Sepse i pate pesë burra, e ky që ke tani, nuk është burri yt! Fole të vërtetën!”

19 “Zotëri ‑ vijoi gruaja ‑ po shoh se je profet.

20 Etërit tanë adhuruan në këtë mal, kurse ju thoni se në Jerusalem është vendi ku duhet të bëhet adhurimi.”

21 Jezusi i tha: “Më beso mua, o grua, po vjen koha, kur nuk do ta adhuroni Atin as në këtë mal e as në Jerusalem.

22 Ju adhuroni atë që s’e njihni, ne adhurojmë atë që e njohim, sepse shëlbimi vjen prej judenjve.

23 Por po vjen koha ‑ e tani është!‑ kur adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin në shpirt e në të vërtetë, sepse Ati kërkon tamam adhurues të tillë.

24 Hyji është shpirt, dhe ata që e adhurojnë duhet ta adhurojnë në shpirt e në të vërtetë.”

25 Gruaja i tha: “E di se do të vijë Mesia, që quhet Krisht. Kur të vijë, ai do të na zbulojë gjithçka”

26 Jezusi i tha: “Unë jam Mesia, Unë që po flas me ty!”

27 Ndërkaq arritën nxënësit e tij dhe u çuditën që po fliste me një grua. Porse, prapë, askush nuk e pyeti: “Çka do?” ose: “Pse po flet me të?”

28 Gruaja e la enën dhe shkoi në qytet. U tha njerëzve: 

29 “Ejani e shihni njeriun që më tregoi gjithçka kam bërë. A mos është ky Mesia?”

30 Ata dolën prej qytetit dhe u nisën për tek ai.

31 Ndërkaq nxënësit po e lutnin: “Rabbi, ha!”

32 Ai u tha: “Kam për ushqim një gjellë tjetër që ju s’e dini.”

33 Nxënësit pyetën njëri‑tjetrin: “A mos i solli ndokush ushqim?”

34 Jezusi iu përgjigj: “Ushqimi im është të zbatoj Vullnetin e Atij që më dërgoi, të kryej veprën e Tij.

35 A nuk thoni ju: ‘Edhe katër muaj e, ja, korrja?’
Ja, unë po ju them: Çoni sytë tuaj dhe shikoni: arat u zbardhuan për korrje! Tanimë 

36 korrtari po e merr pagën dhe po mbledh frytin për jetën e pasosur,
që mbjellësi e korrtari të galdojnë së bashku!

37 Në këtë gjë vërtetohet fjala: ‘Njëri mbjell e një tjetër korr’!

38 Unë ju dërgova të korrni atje ku ju s’derdhët djersë:
të tjerët u munduan e ju trashëguat frytin e djersës së tyre.”

39 Shumë samaritanë prej atij qyteti besuan në të për shkak të fjalës së gruas që dëshmoi: “Më tregoi gjithçka kam bërë.” 

40 Kur, pra, samaritanët erdhën tek ai, iu lutën të rrijë tek ata. Jezusi ndenji mes tyre dy ditë. 

41 Por shumë më tepër njerëz besuan në të për arsye të mësimit të tij. 

42 Gruas i thoshin: “Tani nuk besojmë vetëm pse na tregove ti: vetë e dëgjuam dhe e dimë se me të vërtetë është Shëlbuesi i botës.”



Vigjëlenca dhe lutja janë mburoja e pastërtisë. Ju duhet të luteni shpesh dhe me zell për tu ruajtur nga tundimet kundër pastërtisë, dhe për hirin për t'i kapërcyer ato.

-- Shën. Gjon Baptist i Salës