Pages

Kushdo që krenohet, do të përvujtërohet ndërsa kush përvujtërohet, do të lartësohet - E Shtunë 29 Mars 2014

Leximi i parë: Osea 6:1-6
Psalm: Psalm 51:3-4, 18-21
UNGJILLI: LUKA 18:9-14


Leximi i parë: Osea 6:1-6

1 Ejani të kthehemi te Zoti!
Ai na bëri kortarë ‑ kortarë
Ai edhe do të na shërojë,
na goditi, por edhe do të na shëndoshë.

2 Pas dy ditësh do të na e kthejë jetën,
të tretën ditë do të na çojë në këmbë,
do të jetojmë në praninë e Tij.

3 Le ta dimë, le ta ndjekim
që Zotin mirë ta njohim.
E sigurt si agimi ardhja e Tij,
do të vijë porsi shiu për ne i përshtatshëm,
si shiu i vjeshtës që ujit tokën.

4 Çfarë do të bëj për ty, o Efraim,
çfarë do të bëj për ty, o Judë?
Re mëngjesi dashuria juaj
e kalon si vesë mëngjesi.

5 Këndej i latova me anë të profetëve,
i vrava me fjalë të gojës sime,
gjyqi im do të lindë si drita.

6 Dua dashurinë e jo flinë,
njohjen e Hyjit më se holokaustet.
Fajet e shkuara e të tashmet të Izraelit


Psalm: Psalm 51:3-4, 18-21

3 Ki mëshirë për mua, o Hyj, sipas mëshirës sate,
pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim!

4 Më laj krejtësisht prej mëkatit tim
e më pastro prej fajit tim!

18 Sepse ti nuk kënaqesh në fli,
e, nëse të kushtoj fli shkrumbimi, s’të pëlqejnë.

19 Flia e vërtetë për Hyjin: shpirti i penduar;
ti, o Hyj, nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërmuar!

20 Pashë mirësinë tënde, o Zot, bëji mirë Sionit,
ndreqi përsëri muret e Jerusalemit.

21 Atëherë do t’i pranosh flitë e drejtësisë,
flitë e shkrumbimit e të gjitha kushtet,
atëherë do të mund të kushtohen mëzetër mbi lterin tënd.

UNGJILLI: LUKA 18:9-14

Shëmbëlltyra e fariseut dhe e tagrambledhësit

9 U tregoi edhe këtë shëmbëlltyrë për disa që e mbanin veten të drejtë e i përbuznin të tjerët:

10 “Dy njerëz u ngjitën në Tempull për t’u lutur: njëri farise e tjetri tagrambledhës. 

11 Fariseu, qiri në këmbë, lutej në vetvete kështu: ‘Të falënderoj, o Hyj, që nuk jam porsi njerëzit e tjerë: cuba, të padrejtë, kurorëshkelës, ose ‑ si ky tagrambledhës. 

12 Agjëroj dy herë në javë, jap të dhjetën e krejt fitesës.’ 

13 Kurse tagrambledhësi zuri vend në fund, nuk i bëhej as sytë t’i ngrejë drejtë qiellit, por rrihte kraharorin e vet e thoshte: ‘O Hyj, ki mëshirë për mua mëkatarin!’

14 Unë po ju them: ky u kthye në shtëpinë e vet i shfajësuar e jo ai, sepse: kushdo krenohet, do të përvujtërohet ndërsa kush përvujtërohet, do të lartësohet.”



Paqja është thjeshtësia e zemrës, kthjelltësia e mëndjes, qetësia e shpirtit, lidhja e dashurisë. Paqja do të thotë rregull, harmoni në gjithë qënien tonë; ajo do të thotë lumturi të vazhdueshme që buron nga njohuria e një ndërgjegje të mirë; ajo është gëzimi i shenjtë i një zemre në të cilën Zoti mbretëron. Paqja është mënyra e përsosmërisë, me të vërtetë në paqe përsosmëria duhet të gjendet. Djalli, që është i mirë vetëdijshëm për të gjitha këto, bën çdo përpjekje për të na bërë ne ta humbasim paqen tonë.

-- Shën Pio i Pietrelcinës