Pages

E kush t’i thotë vëllait të vet: ‘Budalla’, do të jetë përgjegjës.. - E Premte 14 Mars 2014

Leximi i parë: Ezekieli 18:21-28
Psalm: Psalm 130:1-8
UNGJILLI: MATEU 5:20-26



Leximi i parë: Ezekieli 18:21-28

21 Por, në qoftë se i paudhi pendohet për të gjitha mëkatet e veta që i ka bërë dhe i mban të gjitha urdhërimet e mia, e bën të drejtën e drejtësinë, po, do të jetojë, nuk do të vdesë! 

22 Asnjë prej mëkateve të tij që ka bërë nuk do t’i kujtohet; do të jetojë në saje të drejtësisë që bën. 

23 Vallë, a thua i kënaqem vdekjes së mëkatarit ‑ është fjala e Zotit Hyj ‑ e jo që të kthehet nga sjellja e vet e të jetojë?

24 Por, në qoftë se i drejti largohet nga drejtësia e vet dhe bën padrejtësinë e të gjitha turpësitë që i bën i patenzoni, vallë a do të jetojë? Asnjë prej drejtësive të tij që i ka bërë, nuk do t’i merren parasysh; për shkak të pabesisë së vet me të cilën e theu besën e të mëkatit që e bëri, në to do të vdesë. 

25 Ju thatë: ‘Nuk është e drejtë udha e Zotit’. Dëgjoni, pra, shtëpia e Izraelit: A thua mënyra e sjelljes sime vërtet s’është e mirë? Apo më parë mënyra e veprimit tuaj është e keqe? 

26 Sepse, kur i drejti e lë drejtësinë e vet e bën padrejtësinë, ai do të vdesë: për shkak të padrejtësisë që bëri, do të vdesë. 

27 E kur i paudhi kthehet prej paudhësisë së vet që e ka bërë, e bën të drejtën e drejtësinë, ai ia kthen jetën vetvetes: 

28 ai pleqëron imët dhe kthehet nga të gjitha padrejtësitë që i ka bërë, këndej do të jetojë e, jo, nuk do të vdesë. 


Psalm: Psalm 130:1-8

Shpresa në Zotin
1 Këngë shtegtimi.
Prej humnerës klitha tek ti, o Zot,

2 o Zot, dëgjoje britmën time!
Le ta dëgjojnë veshët e tu,
zërin e lutjes sime.

3 Nëse do t’i mbash mend paudhësitë, o Zot,
O Zot, e kush do të qëndrojë para teje?

4 Por tek ti gjendet falja
që të dimë të të druajmë.

5 Shpresoj në ty, o Zot,
shpirti im shpreson në premtimin e tij.
E pret 

6 shpirti im Zotin
më tepër se rojtarët agimin.
Më tepër se rojtarët agimin

7 le të shpresojë Izraeli në Zotin,
sepse te Zoti është mëshira
dhe i madh është tek Ai shpërblimi.

8 Ai do ta nxjerrë Izraelin
prej të gjitha paudhësive të tija.


UNGJILLI: MATEU 5:20-26

20 Sepse, unë po ju them: nëse drejtësia juaj nuk do të jetë më e madhe se drejtësia e skribëve dhe e farisenjve, nuk do të hyni në Mbretërinë e qiellit.”

Zemërimi

21 “Keni dëgjuar se u qe thënë të vjetërve: ‘Mos vra!’ Kush vret do të jetë përgjegjës para gjyqit.

22 E unë po ju them: Kushdo zemërohet kundër vëllait të vet, do të jetë përgjegjës para gjyqit; e kush t’i thotë vëllait të vet: ‘Budalla’, do të jetë përgjegjës para Sinedrit; kush t’i thotë: ‘I marrë’, do të përgjigjet në zjarrin e ferrit.

23 Pra, nëse e sjell dhuratën tënde për ta kushtuar në lter e aty të bie në mend se yt vëlla ka diçka kundër teje, 

24 lëre dhuratën tënde aty para lterit, shko e pajtohu më parë me vëllain tënd e pastaj eja e kushtoje dhuratën tënde!

25 Rregullohu shpejt me kundështarin tënd sa të jesh ende në udhëtim me të, që kundërshtari të mos të të dorëzojë te gjykatësi e ky te rojtari i gjyqit, që të mos të ndryejnë në burg. 

26 Për të vërtetë po të them: s’do të dalësh prej andej para se ta paguash edhe paranë më të fundit.”


Arma më e fuqishme për të mundur Djallin është përulësia. Sepse ai nuk e di fare se si ta përdori atë, dhe as nuk di se si të mbrohet prej saj.

-- Shën Vincent de Paul