Pages

Hyji mund të bëjë gjithçka - E Hënë 3 Mars 2014

Leximi i parë: 1 e Pjetrit 1:3-9
Psalm: Psalm 111:1-2, 5-6, 9-10
UNGJILLI: MARKU 10:17-27


Leximi i parë: 1 e Pjetrit 1:3-9

Shpresa jetësore

3 Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili na rilindi me anë të mëshirës së vet të madhe në saje të ngjalljes prej të vdekurish të Jezu Krishtit, për shpresën jetësore, 

4 për trashëgim të pashkatërrueshëm, të panjollë e të pavyshkshëm që e ruajti për ju në qiell; 

5 për ju që jeni të ruajtur me fuqinë e Hyjit në saje të fesë për shëlbimin që është gati të zbulohet në kohën e fundit.

6 Këndej gëzoheni edhe pse, në qoftë se duhet, për pak kohë jeni të trishtuar për shkak të provave të ndryshme, 

7 që feja juaj e sprovuar - shumë më e çmueshme se ari i shkatërrueshëm, që edhe ai sprovohet në zjarr - të fitojë lëvdatë, nder dhe lavdi në ditën e Zbulesës së Jezu Krishtit:

8 Atë e doni edhe pse nuk e patë, në Atë besoni edhe pse ende nuk e shihni; dhe galdoni me gëzim të patregueshëm dhe të lavdishëm, 

9 që ia arritët qëllimit të fesë suaj: shëlbimit të shpirtit.


Psalm: Psalm 111:1-2, 5-6, 9-10

1 ALELUJA!
Me gjithë shpirt do ta lavdëroj Zotin,
në kuvendin e të drejtëve, në mbledhjen e tyre.

2 Të mëdha janë veprat e Hyjit,
për t’u shqyrtuar prej atyre që i duan.

5 U jep ushqim atyre që e druajnë,
kurrë s’e harron Besëlidhjen e vet.

6 Popullit të vet ia kumtoi fuqinë e veprave të veta,
duke ua dhuruar pronën e paganëve.

9 Shpërblim i dha popullit të vet,
Besëlidhjen e vet e bëri të amshueshme:
i shenjtë dhe i tmerrshëm është Emri i tij.

10 Fillimi i dijes është frika e Zotit,
janë të mençur të gjithë ata që veprojnë sipas saj,
lavdia e Tij qëndron për amshim.


UNGJILLI: MARKU 10:17-27

Djaloshi pasanik
(Mt 19, 16‑30; Lk 18, 18‑30)

17 Kur doli në rrugë, një njeri u lëshua me vrap, ra në gjunjë para tij dhe e pyeti:
“Mësues i mirë, çka duhet të bëj për të fituar Jetën e pasosur?” 

18 Jezusi iu përgjigj:
“Pse më thua: i mirë? Askush s’është i mirë përveç Një Hyji të vetëm! 

19 Urdhërimet i di: 
Mos vra! 
Mos the kurorën! 
Mos vidh! 
Mos dëshmo rrejshëm! 
Mos bëj kurrfarë padrejtësie! 
Ndero babain tënd e nënën!’“

20 Ai iu përgjigj:
“Mësues, të gjtha këto i kam zbatuar që prej rinisë sime.”

21 Atëherë Jezusi e shikoi ëmbël, i pëlqeu dhe i tha:
“Të mungon edhe një gjë: shko, shit çka ke, ndajua skamnorëve e do të kesh thesar në qiell; atëherë kthehu e eja pas meje!” 

22 Djaloshi u prish kur e dëgjoi këtë fjalë e, i trishtuar, u largua, sepse kishte prona të shumta.

23 Jezusi, pasi e hodhi shikimin përreth, u tha nxënësve të vet:
“Sa vështirë do të hyjnë pasanikët në Mbretërinë e Hyjit!”

24 Nxënësit mbetën shtang të habitur prej këtyre fjalëve të tij. Por Jezusi foli përsëri dhe u tha:
“Bijtë e mi! Sa vështirë është të hyhet në Mbretërinë e Hyjit! 

25 Më lehtë është të përshkohet gamilja nëpër vrimë të gjilpërës se të hyjë i pasuri në Mbretërinë e Hyjit!”

26 Nxënësit çuditeshin edhe më tepër dhe i thoshin njëri‑tjetrit:
“Atëherë kush do të mund të shëlbohet?”

27 Jezusi ua nguli sytë dhe tha:
“Sa për njerëz, njëmend, është punë që s’bëhet, por jo për Hyjin, Hyji mund të bëjë gjithçka.”


Ju kurrë nuk duhet të lavdëroni dikë, deri kur ta shikoni se si përfundon në fund.

-- Shën. Francis i Assisi