Pages

Kush nuk e pranon Mbretërinë e Hyjit porsi fëmija i vogël, nuk do të hyjë në të - E Shtunë 1 Mars 2014

Leximi i parë: Jakobi 5:13-20
Psalm: Psalm 141:1-3, 8
UNGJILLI: MARKU 10:13-16


Leximi i parë: Jakobi 5:13-20

13 Vuan ndoshta ndokush ndër ju? Le të lutet! A është ndokush në gëzim? Le të këndojë himne! 

14 Është ndokush ndër ju i sëmurë? Le t’i thërrasë udhëheqësit e Kishës! Ata le të luten mbi të duke e lyer me vaj në emër të Zotit 

15 dhe lutja e fesë do ta shpëtojë të sëmurin dhe Zoti do ta ripërtërijë e, në qoftë se ka bërë mëkate, do t’i falen. 

16 Rrëfejani mëkatet njëri-tjetrit dhe lutuni për njëri-tjetrin që të shëroheni!
Lutja e të drejtit ka shumë fuqi kur thuhet me gjithë zemër. 

17 Elia ishte njeri tamam si ne: u lut me gjithë shpirt të mos bjerë shi dhe mbi tokë nuk ra shi për tri vjet e gjashtë muaj. 

18 Dhe përsëri u lut dhe qielli dha shi e toka dha frytin e vet.

19 Vëllezërit e mi, në qoftë se ndonjë prej jush e lë Udhën e së Vërtetës, por nëse ndokush e kthen, 

20 le ta dini se kush e kthen mëkatarin prej udhës së gabuar do të (ia) shëlbojë shpirtin nga vdekja dhe do të bëjë të zhduket një shumicë mëkatesh.

Psalm: Psalm 141:1-3, 8

1 O Zot, unë të këlthas ty; nxito të më përgjigjesh. Vëri veshin zërit tim, kur të këlthas ty.

2 Le të arrijë lutja ime para teje si temjani, ngritja e duarve të mia si flijimi i mbrëmjes.

3 O Zot, vër një roje para gojës sime.

8 Por sytë e mia janë drejtuar te ti, o Zot, Zoti im; unë strehohem te ti, mos më lër të pambrojtur.


UNGJILLI: MARKU 10:13-16

Jezusi bekon fëmijët e vegjël
(Mt 19, 13‑15; Lk 18, 15‑17)

13 Ia sillnin fëmijët që të vinte dorën mbi ta, por nxënësit ua ndalonin. 

14Jezusit, kur i pa, i erdhi keq dhe u tha:
“Lërini fëmijët të vijnë tek unë e mos i ndaloni; sepse atyre u përket Mbretëria e Hyjit! 

15 Përnjëmend po ju them: kush nuk e pranon Mbretërinë e Hyjit porsi fëmija i vogël, nuk do të hyjë në të.”

16 Atëherë i përqafoi fëmijët dhe i bekoi duke vënë duart mbi ta.



Në krah të çdo besimtari qëndron një ëngjëll si mbrojtës dhe bari për ti çuar ata drejt jetës.

-- Shën. Basili