Pages

Nëse ndokush dëshiron të vijë pas Meje, ta mohojë vetveten - E Enjte 6 Mars 2014

Leximi i parë: Ligji i Përtërirë 30:15-20
Psalm: Psalm 1:1-4, 6
UNGJILLI: LUKA 9:22-25


Leximi i parë: Ligji i Përtërirë 30:15-20

Dy udhët

15 “Shiko! Unë sot po të lus ndër sy të tu me jetën e lumturinë po edhe me vdekjen e mjerimin. 

16 Nëse do t’i dëgjosh urdhërimet e Zotit, Hyjit tënd, që unë sot po t’i urdhëroj: ta duash Zotin, Hyjin tënd, të ecës urdhërimeve të tija, t’i mbash urdhërimet, ligjet e rregulloret e tija, atëherë do të jetosh. Për më tepër, Zoti do të të shtojë e do të të bekojë në tokën që po hyn për ta trashëguar. 

17 Por, nëse zemra jote shmanget e nuk do të dëgjosh dhe, i ngashënjyer nga gabimi, shkon e adhuron dhe u shërben zotave të tjerë, 

18 unë sot po ju parakallëzoj: do të zhdukeni fare e do të vdisni në një kohë të shkurtër në tokën që, pasi ta keni kaluar Jordanin, do të hyni për ta trashëguar.

19 Thërras sot për dëshmitarë kundër jush qiellin e dheun: jua vura para jetën e vdekjen, bekimin e mallkimin. Zgjidhe, pra, jetën, që të jetosh ti e trashëgimtarët e tu, 

20 e duaje Zotin, Hyjin tënd, dëgjo zërin e tij, qëndroji besnik ‑ sepse ai është jeta jote, gjatësia e ditëve të tua ‑ që të banosh në tokën për të cilën Zoti iu përbetua etërve të tu Abrahamit, Izakut e Jakobit, se do t’ua japë.”


Psalm: Psalm 1:1-4, 6

Dy udhët

1 Lum njeriu që nuk i ndjek këshillat e keqbërësve,
që nuk qëndron në udhën e mëkatarëve
e nuk rri së bashku me përqeshës,

2 por kënaqet në Ligjin e Zotit
dhe e kujton atë ditë e natë.

3 Ai është porsi pema e mbjellë në bregun e ujit që rrjedh,
e cila frytin e vet e jep në stinë
dhe gjethet kurrë s’i vyshken:
i ecën mbarë gjithçka të ndërmarrë.

4 Jo, kështu jo, s’do t’u ndodhë të paudhëve,
por ata janë porsi byku që shpërndan era.

6 Sepse Zoti e di udhën e të drejtëve,
kurse udha e keqbërësve do të mbarojë.


UNGJILLI: LUKA 9:22-25

Jezusi paralajmëron vdekjen e ngjalljen e vet
(Mt 16, 20‑28; Mk 8, 30‑9, 1)

22 E vazhdoi:
“Birit të njeriut i duhet të pësojë shumë, ta përbuzin pleqtë, kryepriftërinjtë dhe skribët, ta vrasin dhe të tretën ditë të ngjallet.”

23 Pastaj iu drejtua të gjithëve:
“Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet çdo ditë dhe të më ndjekë. 

24 Sepse, kush do ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbë, ndërsa kush ta humbë jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë.

25 E njëmend, ç’dobi do të kishte njeriu, nëse fiton mbarë botën, por humb vetveten ose e rrënon?



Në rreziqe, në dyshime, në vështirësi, mendo për Marien, thirre Marien. 
Le të mos ndahet emri i saj nga buzët e tua, kurrë mos e duro atë të largohet nga zemra jote. 
Dhe që të mund të fitosh ndihmën e lutjes së saj, mos neglizho të ecësh në hapat e saj. 
Me atë si drejtuese, ju kurrë nuk do të shkoni në udhë të gabuar; 
ndësa e thërrisni atë, ju kurrë nuk do të dëshpëroheni; 
për aq kohë sa ajo është në mëndjen tuaj, ju jeni të sigurtë nga mashtrimi;
ndëra ajo ju mban për dore, ju nuk mund të bini; 
nën mbrojtjen e saj nuk keni pse të keni frikë; 
nëse ajo ecën para jush, ju nuk do të lodheni; 
nëse ajo ju tregon mirësi, ju do të arrini qëllimin.

-- Shën Bernard