Pages

Kjo brezni është brezni e keqe: po kërkon një shenjë - E Mërkurë 12 Mars 2014

Leximi i parë: Jona 3:1-10
Psalm: Psalm 51:3-4, 12-13, 18-19
UNGJILLI: LUKA 11:29-32


Leximi i parë: Jona 3:1-10

1 Fjala e Zotit i qe drejtuar Jonës të dytën herë. I tha:

2 “Çohu, shko në qytetin e madh të Ninivës e kumtoju sa do të të them unë!” 

3 Jona u ngrit e shkoi në Ninivë sipas urdhrit të Zotit. E Niniva ishte qytet tepër i madh: për ta përshkuar kërkoheshin tri ditë udhë! 

Jona kaloi nëpër qytet një ditë udhë. Predikoi kështu: “Edhe dyzet ditë e Niniva do të rroposet!”

5 Ninivasit besuan në Hyjin. Shpallën agjërim e u veshën me grathore prej më të madhit e deri në më të voglin. 

6 I arriti lajmi edhe mbretit të Ninivës. U çua nga froni i vet, i hoqi petkat e veta, u vesh me thes e u ul në pluhur. 

7 Atëherë shpallën në Ninivë me urdhër të mbretit e të të mëdhenjve të tij: “Njerëz e kafshë, të mëdha e të imëta, të mos kërkojnë gjë me gojë, as të mos kullotin, as ujë të mos pinë. 

8 Njerëz e kafshë le të mbulohen me thasë e Hyji le të thirret në ndihmë me të gjitha fuqitë. Secili njeri le të kthehet nga sjellja e vet e mbrapshtë e nga dhuna që bën. 

9 Kush e di: ndoshta Hyji ndërron mendimin, ka mëshirë e fal, e flak zemërimit e vet e nuk sharrojmë.”

10 Hyji i pa veprat e tyre: kishin hequr dorë nga sjellja e tyre e keqe. Kështu Hyjit i erdhi keq për të keqen, me të cilën i kishte kërcënuar se do t’ua çojë dhe nuk ua çoi.

Psalm: Psalm 51:3-4, 12-13, 18-19

3 Sepse e pranoj paudhësinë time:
mëkatin tim përherë e kam para sysh.

Ty, vetëm ty të kam rënë në faj
dhe kam bërë ç’është keq para teje,
prandaj je i drejtë sado të më ndëshkosh,
dhe i paanshëm në dënimin tënd.

12 Ma kthe gëzimin e shpëtimit tënd,
dhe më forco me shpirt të gatshëm.

13 E unë do t’ua mësoj mëkatarëve udhën e shëlbimit
e fajtorët do të kthehen tek ti.

18 Pashë mirësinë tënde, o Zot, bëji mirë Sionit,
ndreqi përsëri muret e Jerusalemit.

19 Atëherë do t’i pranosh flitë e drejtësisë,
flitë e shkrumbimit e të gjitha kushtet,
atëherë do të mund të kushtohen mëzetër mbi lterin tënd.


UNGJILLI: LUKA 11:29-32

Të dijshmit kërkojnë një shenjë
(Mt 12, 38‑42; Mk 8, 12)

29 Pasi populli shkonte gjithnjë duke u bashkuar ai filloi të flasë:
“Kjo brezni është brezni e keqe: po kërkon një shenjë! Porse nuk do t’i jepet shenjë tjetër, përveç shenjës së Jonës. 

30 Sikurse Jona u bë shenjë për ninivitët, ashtu edhe Biri i njeriut do të jetë shenjë për këtë brezni.

31 Mbretëresha e Jugut ditën e Gjyqit do të ngrihet bashkë me njerëzit e kësaj breznie dhe do t’i dënojë, sepse ajo erdhi nga skaji i dheut për të dëgjuar urtinë e Salomonit. Dhe, ja, këtu është Dikush më i madh se Salomoni!

32 Njerëzit e Ninivës, ditën e Gjyqit, do të ngrihen bashkë me këtë brezni dhe do ta dënojnë, sepse u kthyen me predikimin e Jonës, dhe, ja, këtu Dikush më i madh se Jona!”




Kur Zoti na urdhëroi të jemi vigjëlentë, Ai e kishte fjalën për vigjëlencë në të dyja pjesët e njeriut: në trup, kundër tendencës për të fjetur; në shpirt, kundër përtacicë dhe ndrojtjes. Ashtu si thotë Shkrimi: Zgjohuni, ju të drejtë, dhe Unë jam ngjallur, dhe jam përsëri me ju; dhe përsëri, Mos u dëshpëroni.

-- Shën Efrem