Pages

Derisa të jetë qielli e toka, asnjë germë dhe asnjë presje nuk do t’i hiqet Ligjit, por do të zbatohen të gjitha - E Mërkurë 26 Mars 2014

Leximi i parë: Ligji i Përtërirë 4:1, 5-9
Psalm: Psalm 147:12-13, 15-16, 19-20
UNGJILLI: MATEU 5:17-19


Leximi i parë: Ligji i Përtërirë 4:1, 5-9

1 “E tani, o Izrael, dëgjo urdhërimet dhe rregulloret që po jua mësoj që, duke i kryer ato, të jetoni dhe të hyni e ta bëni pronë tokën që Zoti, Hyji i etërve tuaj, do t’jua japë.

5 Ja, po ju mësoj urdhërimet e rregulloret, si më urdhëroi Zoti, Hyji im, që t’i zbatoni në tokën që do ta merrni pronë, 

6 që t’i mbani e t’i vini në zbatim. Kjo do t’ju bëjë të dijshëm e të urtë në sytë e popujve. Kur t’i kenë dëgjuar të gjitha këto urdhërime, do të thonë:’Ja, një popull i dijshëm e i kuptueshëm! Ky qenka popull madhor!’ 

7 E njëmend, ku gjendet një popull tjetër aq i madhërueshem, që t’i ketë hyjnitë e veta kaq afër vetes, siç është pranë nesh në të gjitha kërkesat tona Zoti, Hyji ynë?! 

8 Dhe, ku ka një popull tjetër kaq të përmendur që të ketë urdhërime e rregullore të drejta, siç është i tërë ky Ligj, që unë sot po e shtroj para syve tuaj?!”

9 “Kujdes, pra, ki mendjen mirë të mos i harrosh assesi ngjarjet që i pe me sytë e tu e të mos zbehen askurrë gjatë krejt jetës sate! Mësojua fëmijëve e nipave të tu!


Psalm: Psalm 147:12-13, 15-16, 19-20

12. Lëvdo Zotin, o Jeruzalem, kremto Perëndinë tënd, o Sion.

13. Sepse ai ka përforcuar shufrat e portave të tua dhe ka bekuar bijtë e tu në mes teje.

15. Dërgon mbi tokë urdhërin e tij, fjala e tij merr dheun.

16. Dërgon borën si lesh dhe përhap brymën si hi.

19. Ai ia ka bërë të njohur Jakobit fjalën e tij, dhe Izraelit statutet e tij dhe dekretet e tij.

20. Ai nuk e ka bërë këtë me asnjë komb tjetër; dhe ato nuk i njohin dekretet e tij. Aleluja.


UNGJILLI: MATEU 5:17-19

Qëndrimi i Jezusit ndaj Besëlidhjes së Vjetër

17 “Mos t’ju shkojë ndër mend se erdha për ta shlyer Ligjin ose Profetët! Jo, s’erdha të shlyej, por të përkryej. 

18 Për të vërtetë po ju them: derisa të jetë qielli e toka, asnjë germë dhe asnjë presje nuk do t’i hiqet Ligjit, por do të zbatohen të gjitha.

19 Prandaj, kushdo që do ta shlyejë njërin ndër këta urdhra, qoftë edhe më të voglin, dhe do t’i mësojë njerëzit të bëjnë ashtu, do të jetë më i vogli në Mbretërinë e Qiellit; ndërsa ai që do t’i mbajë dhe do t’i mësojë, do të jetë i madh në Mbretërinë e Qiellit.


Mos harroni se djalli kurrë nuk fle, por kërkon shkatërrimin tonë në një mijë mënyra.

-- Shën . Angela Merici