Pages

Mos gjykoni dhe nuk do të gjykoheni - E Hënë 17 Mars 2014

Festa e Shën Patrikut (17 Mars)

Leximi i parë: Danieli 9:4-10
Psalm: Psalm 79:8-9, 11, 13
UNGJILLI: LUKA 6:36-38


Leximi i parë: Danieli 9:4-10

4 Unë iu luta Zotit Hyj, dëshmova e thashë:
Po të lutem, o Zot, Hyj i madhërishëm e i tmerrshëm, ti që e mban Besëlidhjen dhe mëshirën ndaj atyre që të duan e i mbajnë urdhërimet e tua.

5 Ne mëkatuam, bëmë keq, vepruam paudhësisht, kundërshtuam, i lamë urdhërimet e rregulloret e tua. 

6 Nuk i dëgjuam shërbëtorët e tu profetët, të cilët, në emër tënd, u folën mbretërve tanë, prijësve tanë, etërve tanë e mbarë popullit të vendit. 

7 Ty, o Zot, të përket drejtësia, kurse neve turpi në fytyrë, siç u ndodhi edhe sot njerëzve të Judës, banorëve të Jerusalemit, e mbarë Izraelit, këtyre që janë afër e atyre që janë larg anembanë tokës, ku i trete për shkak të paudhësisë së tyre, me të cilën mëkatuam kundër teje. 

8 O Zot, neve na takon turpi në fytyrë, mbretërve tanë, prijësve tanë e etërve tanë, sepse mëkatuam kundër teje; 

9 kurse Zotit, Hyjit tonë, i takon mëshira e falja, sepse ne u larguam prej teje. 

10 Nuk e dëgjuam zërin e Zotit, Hyjit tonë, për të ecur ligjit të tij që na e dha nëpërmjet shërbëtorëve të vet, profetëve.


Psalm: Psalm 79:8-9, 11, 13

8 Mos i kujto fajet e etërve tanë,
le të na vijë në ndihmë sa më parë mëshira jote,
sepse jemi bërë tepër të mjerë.

9 Na ndihmo, o Hyj, Shëlbuesi ynë,
për nder të Emrit tënd e na çliro:
pashë nderin e Emrit tënd na i fal fajet!

11 Le të arrijë tek ti gjëma e të robëruarve,
me fuqinë e krahut tënd
shpëtoji të dënuarit me vdekje.

13 E ne, populli yt ‑ delet e kullotës sate,
do të të lavdërojmë për amshim,
do ta shpallim nga brezi në brez
lavdinë tënde.


UNGJILLI: LUKA 6:36-38

36 Bëhuni edhe ju të mëshirshëm sikurse (edhe) Ati juaj është i mëshirshëm.”

Mos i gjykoni të tjerët
(Mt 7, 1‑5)

37 “Mos gjykoni dhe nuk do të gjykoheni! Mos dënoni e nuk do të dënoheni! Falni e do të gjeni falje! 

38 Jepni e do t’ju jepet: masë e mirë, e dendur, e tundur, me grumbull do t’ju jepet nën sqetullën tuaj: sepse me atë masë që të matni, do t’ju matet edhe juve në kthim.”



Me qëllim që Ungjilli i plotë dhe i gjallë të mund të ruhej gjithmonë në Kishë apostujt lanë peshkopët si ndjekësit e tyre. Ata ju dhanë atyre pozitën e tyre të autoritetit të mësimdhënies.

-- Shën. Iranaeus