Pages

Dhe përmbi tokë mos thirrni askënd Atë, sepse keni vetëm një Atë - ‑ atë që është në qiell! - E Martë 18 Mars 2014

Leximi i parë: Isaia 1:10, 16-20
Psalm: Psalm 50:8-9, 16-17, 21, 23
UNGJILLI: MATEU 23:1-12


Leximi i parë: Isaia 1:10, 16-20

10 Dëgjojeni fjalën e Zotit,
o prijës të Sodomës!
Dëgjoje urdhrin e Hyjit tonë,
o populli i Gomorrës!

16 Lahuni, pastrohuni,
Hiqeni fajësinë tuaj prej syve të mi,
pushoni të bëni keq!

17 Mësoni të bëni vepra të mira:
kërkojeni drejtësinë,
ndihmoni të shtypurit,
jepini të drejtën bonjakut,
mbrojeni të vejën!

18 “Atëherë, ejani të pleqërohemi”
‑ thotë Zoti.
Edhe në qofshin mëkatet tuaja kuq si gjaku,
do të bëhen bardhë si bora
edhe në qofshin të kuqe si purpuri,
do të bëhen porsi leshi.

19 Nëse doni të më dëgjoni,
do t’i gëzoni frytet e tokës;

20 nëse s’do të doni e do të më ngacmoni të hidhërohem,
shpata do t’ju përpijë!”
Kështu ka thënë goja e Zotit.


Psalm: Psalm 50:8-9, 16-17, 21, 23

8 Nuk të qortoj për flitë e tua,
flitë e shkrumbimit të tuat i kam gjithherë para sysh!

9 S’do të pranoj prej shtëpisë satë mëzat,
as cjap prej tufave të tua.

16 Kurse mëkatarit Hyji i thotë:
“Si guxon ti t’i shtjellosh urdhërimet e mia?
Si e merr nëpër gojë Besëlidhjen time,

17 kur ti e urren disiplinën,
pas shpine i hedh urdhrat e mi?

21 Kështu veprove e unë heshta.
A mendon ti se unë jam si ti?
Po të qortoj e po t’i përplas në fytyrë”.

23 Më nderon ai që më kushton flinë e lavdit,
do t’ia tregoj shpëtimin e Hyjit
atij që ecën udhës së drejtë.


UNGJILLI: MATEU 23:1-12

1 Atëherë Jezusi i tha turmës dhe nxënësve të vet:

2 “Në katedrën e Moisiut ndenjën skribët e farisenjtë. 

3 Pra, ju duhet t’i dëgjoni e të zbatoni gjithçka t’ju thonë, por mos bëni si bëjnë ata. Ata nuk veprojnë siç thonë. 

4 Ata lidhin barrë të rënda që mezi mund të barten dhe ua ngarkojnë njerëzve në krahë, kurse vetë as me gisht nuk i luajnë.

5 Pastaj të gjitha veprat e veta i bëjnë me qëllim që t’i shohin njerëzit. Këndej i zgjerojnë filakteritë e veta dhe i zgjasin thekët. 

6 Në gosti dëshirojnë kryet e vendit, në sinagoga vendet e para, 

7 përshëndetjet në sheshe dhe të quhen prej njerëzve ‘rabbi’.

8 Ju mos lejoni t’ju quajnë rabbi, sepse vetëm njëri është Mësuesi juaj, kurse ju të gjithë jeni vëllezër. 

9 Dhe përmbi tokë mos thirrni askënd Atë, sepse keni vetëm një Atë ‑ atë që është në qiell! 

10 Gjithashtu mos lejoni t’ju quajnë udhëheqës ‑ sepse keni vetëm një Udhëheqës ‑ Krishtin! 

11 Më i madhi ndër ju le të jetë shërbëtori juaj. 

12 Sepse, kush krenohet, do të përvujtërohet e kush përvujtërohet do të lartësohet.




Është një varfëri e madhe që një fëmij duhet të vdesi që ju të mund të jetoni si të dëshironi

-- Nënë Tereza