Pages

Shumë nga ata që janë të parët do të jenë të fundit, ndërsa ...- E Martë 4 Mars 2014

Leximi i parë: 1 e Pjetrit 1:10-16
Psalm: Psalm 98:1-4
UNGJILLI: MARKU 10:28-31


Leximi i parë: 1 e Pjetrit 1:10-16

10 Për këtë shëlbim kanë vëzhguar dhe kanë shqyrtuar profetët, të cilët e paralajmëronin hirin e caktuar për ju. 

11 Shqyrtonin cila ishte koha dhe rrethanat, që shënonte Shpirti i Krishtit që ishte në ta, kur paralajmëronte mundimet që do t’i vuante Krishti dhe lavditë që do të vinin pas mundimeve. 

12 Atyre u qe zbuluar se, jo për ta, por për ju, u treguan ato që tani juve u ungjillëzohen prej predikuesve tuaj me anë të Shpirtit Shenjt të dërguar prej qiellit, të cilat edhe engjëjt dëshirojnë t’i vëzhgojnë.

Thirrje për një jetë të shenjtë

13 Prandaj, shpirtërisht të gatshëm, rrini zgjuar dhe nguleni tërë shpresën tuaj në hirin që ju sjell Zbulesa e Jezu Krishtit. 

14 Porsi fëmijë të dëgjueshëm, mos iu përshtatni dëshirave të mëparshme, kur ishit në padije, 

15 por, siç është Shenjt Ai që ju ka thirrur, ashtu edhe ju jini të shenjtë në tërë jetën tuaj. 

16 Sepse shkruan: »Të jeni të shenjtë sikurse edhe Unë Jam i Shenjtë«.


Psalm: Psalm 98:1-4

Zoti gjykatës i tokës

1 Psalm.
Këndoni Zotit një këngë të re,
sepse bëri vepra të mrekullueshme!
Ngadhënjeu me fuqi të së djathtës së vet,
me fuqi të krahut të vet të shenjtë.

2 Zoti e dëftoi shpëtimin e vet,
përpara paganëve e zbuloi drejtësinë e vet.

3 I ra ndër mend dashuria dhe besnikëria e vet
kundrejt shtëpisë së Izraelit.
Të gjitha skajet e botës e panë
shëlbimin e Hyjit tonë.

4 Mbarë toka le t’i brohorisë Zotit,
le të gëzojë, të duartrokasë e të këndojë.


UNGJILLI: MARKU 10:28-31

28 Atëherë Pjetri mori fjalën e i tha:
“Ja, ne lamë çdo gjë e erdhëm pas teje.”

29 Jezusi iu përgjigj:
“Për të vërtetë po ju them: s’mund të ketë asnjë njeri që la për shkak timin e për shkak të Ungjillit shtëpinë, ose vëllezërit, ose motrat, ose nënën, ose babain, ose fëmijët, ose arat 

30 e të mos marrë tani në këtë botë, edhe pse me salvime ‑ njëqind herë aq shtëpi, vëllezër, motra, nëna, fëmijë e ara ‑ e në botën e ardhshme Jetën e pasosur.

31 Shumë nga ata që janë të parët do të jenë të fundit, ndërsa shumë të fundit do të jenë të parët.”



Zoti ynë i jep shpirtrave të lutjes një kuptim të thellë të Vetes së Tij. Ai kurrë nuk i mashtron ata.

-- Shën. Piter Julian Eymard