Pages

Kush nuk është me Mua, është kundër Meje - E Enjte, 27 Mars 2014

Leximi i parë: Jeremia 7:23-28
Psalm: Psalm 95:1-2, 6-9
UNGJILLI: LUKA 11:14-23


Leximi i parë: Jeremia 7:23-28

23 Porse unë u kam dhënë këtë urdhër: Dëgjojeni zërin tim dhe unë do të jem Hyji juaj e ju do të jeni populli im. Ecni vazhdimisht udhës që do t’ju urdhëroj që të jeni të lumë. 

24 Por nuk më dëgjuan as nuk e prirën veshin e vet, por shkuan sipas ëndjeve dhe mbrapshtisë së zemrës së vet të prishur edhe ma kthyen shpinën e jo fytyrën,

25 që nga dita kur etërit tuaj dolën nga toka e Egjiptit e deri në ditën e sotme. E unë ju dërgova të gjithë shërbëtorët e mi, profetët, si një ditë përditë e me kujdes. 

26 Por ata s’më dëgjuan as s’më vunë vesh dhe u bënë kokëfortë dhe vepruan edhe më zi se etërit e tyre. 

27 Ti thuaju të gjitha këto fjalë, por ata s’do të dëgjojnë; do t’i thërrasësh, por ata s’do të të përgjigjen. 

28 Atëherë thuaju: Ky është një popull që nuk e dëgjon zërin e Zotit, Hyjit të vet, e nuk e pranon mësimin. U zhduk besnikëria, u zhduk nga goja e tyre.

Psalm: Psalm 95:1-2, 6-9

1 Ejani t’i këndojmë Zotit,
t’i brohorisim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

2 T’i dalim para me falenderim,
t’i këndojmë këngë hareje!

6 Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij,
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

7 Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullotës së tij,
grigja që ai ruan.

8 Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij:
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

9 porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
kur etërit tuaj më vunë në sprovë:
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.


UNGJILLI: LUKA 11:14-23

Jezusi dhe Beelzebuli
(Mt 12, 22‑30; Mk 3, 20‑27)

14 Një herë Jezusi po dëbonte një djall [e ky ishte memec]. Kur djalli doli, foli memeci e populli u habit. 

15 Disa prej tyre thanë: “I dëbon djajtë me ndihmën e Beelzebulit, kryetarit të djajve.” 

16 Disa të tjerë, pastaj, për ta vënë në provë, kërkonin prej tij një shenjë prej qiellit. 

17 Por ai, duke i njohur mendimet e tyre, u tha:
“Çdo mbretëri, e përçarë në vetvete, shkretohet; një shtëpi bie mbi tjetrën. 

18 Po qe se djalli është i ndarë në vetvete ‑ pasi ju po thoni se unë i dëboj djajtë me ndihmën e Beelzebulit ‑ si do të qëndrojë mbretëria e tij? 

19 Tashti, pasi unë i dëbokam djajtë me ndihmën e Beelzebulit, bijtë tuaj, me ndihmën e kujt i dëbojnë? Prandaj, ata do të jenë gjykatësit tuaj. 

20 Por, në qoftë se unë i nxjerr djajtë me pushtetin e Hyjit, atëherë me të vërtetë erdhi ndër ju Mbretëria e Hyjit!

21 Kur trimi i fortë, i armatosur mirë, e ruan pallatin e vet, mbarë pasuria e tij është e sigurt. 

22 Por, kur vjen një më i fortë se ai, e mund atë, ia merr armët në të cilat shpresoi e i ndan plaçkat e tij.

23 Kush nuk është me Mua, është kundër Meje. Kush nuk bashkon me Mua, shpërndan.”



Një njeri me të vërtetë i bindur nuk diskriminon midis një gjëje apo një tjetër, pasi qëllimi i tij i vetëm është të kryej me besim gjithçka që i është caktuar atij.

-- Shën. Bernard