Pages

Ja, u shërove! Mos mëkato më, që të mos të të gjejë ndonjë e zezë më e madhe! - E Martë 1 Prill 2014

Leximi i parë: Ezekieli 47:1-9, 12
Psalm: Psalm 46: 2-3, 5-6, 8-9
UNGJILLI: GJONI 5:1-16


Leximi i parë: Ezekieli 47:1-9, 12

1 Atëherë më ktheu te hyrja e Tempullit dhe, ja, buronte ujët nën pragun e Tempullit në lindje, sepse ballaniku i Tempullit ishte në krahun e lindjes, kurse ujët rridhte nën krahun e djathtë të Tempullit, në anën jugore të lterit. 

2 Atëherë më priu në derën e veriut e më priu rreth e rreth përjashta në daljen e jashtme që shikon nga lindja: dhe, ja, uji buronte në krahun e djathtë! 

3 Kur njeriu doli në drejtim të lindjes me litar në dorë mati një mijë kute. Më bëri të kaloj nëpër ujë: ujët më arrinte deri në nyje të këmbës. 

4 Prapë mati një mijë kute. Më bëri të kaloj ujët: ujët më arrinte deri në gju. 

5 Mati edhe një mijë e më bëri të kaloj ujin: ujët më arrinte deri në ijë. Mati edhe një mijë: u bë një përrua që s’mund ta kaloja, sepse ujët u çua e duhej të kalohej me not: ishte përrua që nuk mund të kalohej në va.

6 Atëherë më tha: “A po sheh, biri i njeriut!”, dhe më ktheu në brigjet e përroit. 

7 Posa u ktheva, dhe ja, në brigje, në të dy anët, shumë lëndë! 

8 E më tha: “Ky ujë rrjedh në krahinën e lindjes, zbret në Arabë e derdhet në det: në ujë të kripur dhe e shëron ujët. 

9 Çdo gjë e gjallë, që lëviz, kudo të arrijë burimi, do të jetojë; do të ketë shumë peshq, sepse, kudo që arrin ky ujë, gjithçka përtërihet në jetë e shërohet ‑ kudo kalon ky përrua.

12 Përmbi përrua, në të dy anët, në brigjet e tij, do të rritet çdo lloj peme: gjethet s’do t’u bien e frutat nuk do t’u mungojnë: çdo muaj do të japin fruta të reja, sepse ujët u vjen nga Shenjtërorja. Frutat do t’u jenë për ushqim e gjethet do të përdoren për barna.”

Psalm: Psalm 46: 2-3, 5-6, 8-9

2 Hyji është për ne strehim dhe fuqi,
ndihmë gjithherë e gatshme në çdo vështirësi.

3 Prandaj as s’do të trembemi edhe nëse lëkundet toka
dhe nëse malet do të kapërdihen nga deti!

5 Rrëketë e lumit do ta gëzojnë qytetin e Hyjit,
tendat e shenjta të të Lartit Zot.

6 Hyji është brenda nuk do të tronditet askurrë,
Hyji i ndihmon heret në agim.

8 Zoti i Ushtrive është me ne,
strehimi ynë, Hyji i Jakobit!

9 Ejani e shikoni veprat e Zotit
‑ mrekullitë që i bëri ai përmbi dhe!


UNGJILLI: GJONI 5:1-16

1 Pas disa kohësh ishte festa e judenjve dhe Jezusi u ngjit në Jerusalem. 

Jerusalem, te Dera e deleve, është një ndërtesë banje, që hebraisht quhet Betsata. Ajo ka pesë treme. 

3 Nën to rrinin të shtrirë shumë të sëmurë ‑ të verbër, të çalë dhe të marrë gjymtyrësh. [4]

5 Aty ishte një njeri që ishte i sëmurë prej tridhjetë e tetë vjet. 

6 Jezusi, kur e pa ashtu të shtrirë e kur e mori vesh se është për një kohë të gjatë në atë gjendje, i tha:
“A dëshiron të shërohesh?”

7 “Zotëri ‑ iu përgjigj i sëmuri ‑ nuk kam njeri që, kur të tundet uji, të më shtjerë në banjë e, derisa unë ulem, një tjetër zbret para meje.”

8 “Çohu ‑ i tha Jezusi ‑ merre shtrojën tënde dhe ec!”

9 Ai njeri u shëndosh përnjëherë, mori shtrojën e vet dhe ecte.
Ajo ditë ishte e shtunë. 

10 Prandaj judenjtë i thoshin të shëruarit:
“Është e shtunë! Nuk ke leje ta mbartësh shtratin tënd!”

11 Ai iu përgjigj:
“Ai që më shëroi, më tha: ‘Merre shtrojën tënde dhe ec!’“

12 Ata e pyetën:
Kush është ai njeri që të tha: ‘Merre dhe ec?’“

13 Por, i shëruari nuk e dinte kush është, sepse Jezusi u zhduk në popullin që gjendej aty.

14 Më vonë Jezusi e gjeti në Tempull dhe i tha:
“Ja, u shërove! Mos mëkato më, që të mos të të gjejë ndonjë e zezë më e madhe!”

15 Ai njeri shkoi te judenjtë dhe u tha se Jezusi ishte ai që e shëroi. 

16 Prandaj judenjtë zunë ta sulmojnë Jezusin, sepse bënte vepra të tilla ditën e shtunë.



Kur të tundoheni, thirreni ëngjëllin tuaj. Ai është më i gatshëm për t'ju ndihmuar se sa ju jeni për t'u ndihmuar! Shpërfilleni djallin dhe mos kini frikë prej tij: ai dridhet dhe ja mbath me të parë ëngjëllin tuaj mbrojtës.

-- Shën. Gjon Bosko