Pages

Vallë, a prej Galilesë do të dalë Mesia? - E Shtunë 5 Prill 2014

Leximi i parë: Jeremia 11:18-20
Psalm: Psalm 7:2-3, 9-12
UNGJILLI: GJONI 7:40-53


Leximi i parë: Jeremia 11:18-20

Jeremia i përndjekur në Anatot

18 Por ti, o Zot, më tregove dhe unë mora vesh; atëherë m’i dëftove synimet e tyre. 

19 Unë isha si qengji i butë që e çojnë për t’a prerë; nuk dija se ata kishin synime të mbrapshta kundër meje: “Ta presim drurin në fuqinë e saj tij të plotë, ta çrrënjosim nga toka e të gjallëve dhe emri i tij s’do të përmendet më.”

20 O Zoti i Ushtrive, gjykatës i drejtë,
që i shqyrton veshkat e zemrat,
bëj të shoh si hakmerresh,
sepse ty ta kam besuar çështjen time.

Psalm: Psalm 7:2-3, 9-12

2 Ndore tënde, o Zot, Hyji im!
Më shpëto prej të gjithë salvuesve të mi e më liro

3 që të mos ma rrëmbejnë shpirtin porsi luani
që shqyen kur s’ka kush të shpëtojë!

9 Zoti vendos mbi çështjet e popujve!
Më gjyko, o Zot, sipas drejtësisë sime,
dhe sipas pafajësisë sime.

10 Le të zhduket fajësia e mëkatarëve,
lart ngrite të drejtin, Hyji i drejtë,
që shqyrton zemrat e veshkat!

11 Mburoja ime është në Hyjin
që i shpëton zemërdrejtët.

12 Hyji është gjykatës i drejtë,
i fortë e që zemërohet çdo ditë.

UNGJILLI: GJONI 7:40-53

Përçarje në popull

40 Disa prej popullit, kur i dëgjuan këto fjalë, thoshin:
“Ky është me të vërtetë Profeti!”

41 Të tjerë thoshin:
“Ky është Mesia!”
Prapë disa të tjerë thoshin:
“Vallë, a prej Galilesë do të dalë Mesia?" 

42 Po a nuk thotë Shkrimi i shenjtë se Mesia vjen nga pasardhësit e Davidit, mu nga Betlehemi, prej vendit nga ishte Davidi?”

43 Kështu u bë përçarje në popull për shkak të tij.

44 Disa deshën edhe ta kapin, por prapë askush s’vuri dorë në të.

Autoritetet nuk besojnë në të

45 U kthyen, pra, rojtarët te kryepriftërinjtë e te farisenjtë dhe këta u thanë:
“Pse nuk e sollët?”

46 Rojtarët u përgjigjën:
“Askurrë askush s’ka folur si ky njeri!”

47 Atëherë farisenjtë u përgjigjën:
Po a mos u mashtruat edhe ju? 

48 Pse, a është ndokush prej anëtarëve të Këshillit apo prej farisenjve që besoi në të? 

49 Por veç, kjo vegjëli që s’e njeh Ligjin ‑ qoftë mallkuar!”

50 U tha njëri prej tyre, Nikodemi ‑ ai që më parë pati qenë te Jezusi:

51 “Ligji ynë a thua dënon ndokënd para se ta marrë në pyetje, para se ta dijë se çka bën?”

52 Ata iu përgjigjën:
“A mos je edhe ti prej Galileje? Hulumto e do të shohësh se prej Galileje nuk ngritet profet!”

53 Dhe secili shkoi në shtëpinë e vet.


Dlirësia është e kërkuar për shtëpinë e Krishtit dhe parajsa tokësore e zemrës.

-- Shën. Gjon Klimakus