Pages

Unë erdha në Emër të Atit Tim e ju nuk më pranoni - E Enjte, 3 Prill 2014

Leximi i parë: Eksodi 32:7-14
Psalm: Psalm 106:19-23
UNGJILLI: GJONI 5:31-47


Leximi i parë: Eksodi 32:7-14

Zoti e vë në dijeni Moisiun

7 Por Zoti i tha Moisiut: “Mos vono e zbrit poshtë, sepse populli yt që e nxore nga dheu i Egjiptit, u prish. 

8 E lanë me të shpejtë rrugën që ua kam caktuar. Punuan një viç të metaltë e adhuruan dhe i kushtuan fli e thanë: “Këta janë zotat e tu, o Izrael, që të nxorën nga dheu i Egjiptit!”

9 Pastaj Zoti i tha Moisiut: “Po shoh se ky popull është popull zverkngurrtë. 

10 Më lësho të ndizet flakë hidhërimi im kundër tij e ta shfaros e pastaj prej teje do të bëj një popull të madh”.

Moisiu lutet për popullin

11 Porse Moisiu i lutej Zotit, Hyjit të vet, e i thoshte: “Përse, o Zot, do të ndizet flakë hidhërimi yt kundër popullit tënd, të cilin e nxore nga dheu i Egjiptit me fuqi të madhe e dorë të fortë? 

12 Jo, të lutem, që të mos thonë egjiptianët: ‘I nxori me dredhi që t’i vrasë në male e t’i shfarosë nga toka. 
‘Le të qetësohet hidhërimi yt dhe dëftohu i mëshirshëm mbi të keqen e popullit tënd. 

13 Të bie ndër mend Abrahami, Izaku e Izraeli, shërbëtorët e tu, të cilëve u përbetove me vetvete, kur u the: 
‘Do ta shtoj farën tuaj si yjet e qiellit dhe tërë këtë tokë, për të cilën ju fola, do t’ia jap farës suaj; e do të jetë juaja përgjithmonë’”.

14 Zoti pati mëshirë dhe nuk ia çoi të keqen me të cilën i ishte kërcënuar popullit të vet.


Psalm: Psalm 106:19-23

19 E punuan një viç në Horeb,
adhuruan një shtatore metali.

20 E ndërruan Hyjin e tyre
me truporen e një kau që ha sanë.

21 Harruan Hyjin që i shpëtoi,
që bëri mrekulli në Egjipt,

22 punë të madhërishme në dheun e Kamit,
emnesë në Detin e Kuq.

23 Mendoi Hyji farën t’ua shuante,
por iu lut Moisiu, i zgjedhuri i tij,
ndërmjetësoi përpara fytyrës së tij
për ta ngurruar zemërimin e tij,
e dëgjoi e nuk ua treti farën.


UNGJILLI: GJONI 5:31-47

31 Nëse unë vetë i bëj dëshmi vetvetes,
dëshmia ime nuk është e vërtetë.

32 Është Një tjetër që bën dëshmi për mua
dhe unë e di:
dëshmia të cilën ai e bën për mua,
është e vërtetë.

33 Ju dërguat disa njerëz te Gjoni
dhe Gjoni e dëshmoi të vërtetën.

34 Unë nuk kam nevojë për dëshmi të njeriut,
por ua përmend këtë që ju të shëlboheni.

35 Gjoni ishte dritëz që digjej e ndriçonte,
por juve ju pëlqeu të kënaqeni në atë dritë vetëm për një çast.

36 Por unë e kam një dëshmi
më të madhe se atë të Gjonit:
veprat që Ati m’i besoi për t’i kryer;
pikërisht këto që unë kryej,
dëshmojnë për mua
se më dërgoi Ati.

37 Edhe Ai që më dërgoi ‑ Ati,
vetë Ai dëshmoi për mua!
Ju kurrë s’e dëgjuat zërin e tij,
kurrë s’e patë fytyrën e tij;

38 as fjala e tij nuk banon në ju,
sepse nuk i besoni atij,
që ai e dërgoi.

39 Ju i shqyrtoni Shkrimet
sepse mendoni me anë të tyre të keni jetën e pasosur;
edhe ato, pra, dëshmojnë për mua,

40 e ju, prapë se prapë nuk doni të vini tek unë,
që ta keni jetën.

41 Nuk kërkoj lavdi prej njerëzve,

42 po ju njoha deri në palcë:
nuk e keni në vetvete dashurinë e Hyjit.

43 Unë erdha në Emër të Atit tim
e ju nuk më pranoni;
po erdhi ndonjë tjetër në emër të vet,
atë do ta pranoni!

44 Po si mund të besoni ju,
ju që kërkoni lavdi prej njëri‑tjetrit,
e nuk e kërkoni lavdinë që vjen prej Një Hyji të vetëm?

45 Mos t’ju shkojë në mend se do t’ju padis tek Ati!
Paditësi juaj është Moisiu,
në të cilin shpresoni.

46 Për të vërtetë, po t’i besonit Moisiut,
do të më besonit edhe mua,
sepse ai për mua shkroi.

47 Por, nëse nuk u besoni Shkrimeve të tij,
si do t’u besoni fjalëve të mia?”


Nëse ju nuk mësoni ta mohoni veten, ju nuk mund të bëni aspak progress në përsosmëri.

-- Shën. Gjon i Kryqit