Pages

E Mërkurë 2 Prill 2014

Leximi i parë: Isaia 49:8-15
Psalm: Psalm 145:8-9, 13-14, 17-18
UNGJILLI: GJONI 5:17-30



Leximi i parë: Isaia 49:8-15

8 Kështu thotë Zoti:
Në kohën e volitshme të kam vështruar,
të ndihmova në ditën e shpëtimit;
të ruajta e të caktova të jesh
besëlidhja e popullit,
që ta ripërtëritësh vendin
e t’i rindash trashëgimet e shkretuara,

9 që t’u thuash të burgosurve: “Dilni!”
e atyre që janë në terr: “Ejani në dritë!”
Do të kullotin afër udhëve,
kullota e tyre mbi çdo kodër të shogët.

10 S’do të sprovojnë uri as etje,
s’do t’i mundojë vapa as dielli,
pse do t’u prijë Ai që ka mëshirë për ta
dhe do t’i mrizojë ndër gurra të freskëta.

11 Të gjitha malet e mia udhë unë do t’i bëj,
rrugët e mia do të lartësohen.

12 Ja, këta po vijnë prej së largu,
kurse këta nga veriu e përendimi,
këta të tjerët prej dheut të Sinimit.

13 Gëzo, o qiell, galdo, o tokë,
lavde, o male, ju këndoni,
sepse Zoti po e ngushëllon popullin e vet,
po ka mëshirë për varfanjakët e vet!

14 Tha Sioni: “Zoti më la,
më harroi Zoti!”

15 E harron ‑ thua ‑ gruaja foshnjën e vet,
që të mos ketë dhimbje për bamin e barkut të vet?
Po edhe nëse ndonjëra do të harronte,
unë ty kurrë nuk të harroj!



Psalm: Psalm 145:8-9, 13-14, 17-18

8 Zoti është i dhemshur dhe mëshirplot, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi.

9 Zoti është i mirë me të gjithë dhe plot dhemshuri për të gjitha veprat e tij.

13 Mbretëria jote është një mbretëri përjet dhe sundimi yt vazhdon brez pas brezi.

14 Zoti përkrah tërë ata që rrëzohen dhe ngre përsëri në këmbë tërë ata që janë rrëzuar.

17 Zoti është i drejtë në të gjitha rrugët e tij dhe dashamirës në të gjitha veprat e tij.

18 Zoti është pranë gjithë atyre që kërkojnë, pranë gjithë atyre që e kërkojnë në të vërtetë.


UNGJILLI: GJONI 5:17-30

17 Jezusi u përgjigj:
“Im Atë vepron gjithmonë e edhe unë veproj.”

18 Për këtë arsye judenjtë kërkonin edhe më tepër ta vritnin Jezusin, pse, jo vetëm se e prishte të shtunën, por edhe Hyjin e quante Atë të vetin, duke e barazuar veten me Hyjin.

Pushteti i Birit

19 Atëherë Jezusi u tha:
“Përnjëmend, përnjëmend po ju them:
Biri s’mund të bëjë asgjë prej vetvetes,
përveç çka sheh se bën Ati;
çka bën Ai,po atë gjë bën edhe Biri.

20 Sepse Ati e do Birin
dhe i zbulon gjithçka bën ai.
Do t’i zbulojë edhe vepra më të mëdha se këto
që të mbeteni të habitur.

21 Dhe, sikurse Ati i ngjall të vdekurit
e i bën të jetojnë,
ashtu edhe Biri i bën të jetojnë ata që do.

22 Ati në të vërtetë nuk gjykon askënd,
pse krejt gjykimin ia la në dorë Birit,

23 që të gjithë të nderojnë Birin
siç e nderojnë Atin.
Kush nuk e nderon Birin,
nuk e nderon as Atin që e dërgoi.

24 Përnjëmend, përnjëmend po ju them:
kush e dëgjon fjalën Time
dhe beson në Atë që më dërgoi,
ka jetën e pasosur dhe ai nuk del në gjyq,
por tashmë kaloi prej vdekjes në jetë.

25 Përnjëmend, përnjëmend po ju them:
po vjen koha ‑ tani është ‑
kur të vdekurit do ta dëgjojnë zërin e Birit
të Hyjit dhe ata që ta dëgjojnë, do të jetojnë.

26 Dhe, sikurse Ati e ka jetën në vetvete,
po ashtu i dha zotësinë edhe Birit ta ketë jetën
në vetvete.

27 Atij ia dha edhe pushtetin të gjykojë,
sepse është Biri i njeriut.

28 E mos u çuditni:
po vjen koha,
kur të gjithë ata që pushojnë në varre
do ta dëgjojnë zërin e Tij

29 dhe do të dalin:
ata që bënë mirë
‑ do të ngjallen për të jetuar,
ata që bënë keq,
‑ do të ngjallen për t’u dënuar.”

Dëshmitë e Jezusit

30 “Unë asgjë s’mund të bëj prej vetvetes;
si dëgjoj, ashtu gjykoj,
dhe gjykimi Im është i drejtë,
sepse nuk kërkoj vullnetin Tim,
por vullnetin e Atij që më dërgoi.


Sa më shumë ne lutemi, aq më shumë dëshirojmë të lutemi. Si një peshk që në fillim noton në sipërfaqe të ujit, dhe më pas zhytet poshtë, dhe është gjithmonë duke shkuar më thellë; po ashtu dhe shpirti hidhet, zhytet dhe e humbet veten në ëmbëlsinë e bashkbisedimit me Zotin.

-- Shën. Gjon Viannei