Pages

Vërjani mendjen mirë udhës që keni marrë - E Enjte 26 Shtator 2013

Leximi i parë: Hagai 1:1-8
Psalm: Psalm 149:1-6, 9
UNGJILLI: LUKA 9:7-9


Leximi i parë: Hagai 1:1-8

1 Në vitin e dytë të mbretit Dari, në të gjashtin muaj, të parën ditë të muajit, me anë të profetit Agje, i qe drejtuar fjala e Zotit Zorobabelit, birit të Salatielit, qeveritarit të Judës, edhe Jezuait, birit të Jozedekut, kryepriftit: 

2“Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Ky popull po thotë: ‘Ende s’ka ardhur koha të ndërtohet Shtëpia e Zotit. ’” 

3 Këndej edhe erdhi fjala e Zotit me anë të profetit Agje: 

4 “Vallë, për ju qenka koha të banoni në shtëpi të tavanosura e kjo Shtëpi të mbesë shkretë? 

5 Tani, pra, kështu thotë Zoti i Ushtrive: Vërjani mendjen mirë udhës që keni marrë: 

6 mbollët shumë, por bashkuat pak, hëngrët, por nuk u ngitë, pitë, por jo sa ju deshi zemra, u veshët, por nuk u ngrohët e, ai që punoi me mëditje, e vuri në qese të shqyer. 

7 Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Vërjani mendjen mirë udhës që keni marrë! 

8 Ngjituni në mal, sillni dru e ndërtojeni Shtëpinë; kjo gjë do të më pëlqejë e do ta dëftoj lavdinë time ‑ thotë Zoti.


Psalm: Psalm 149:1-6, 9

1 Aleluja. Këndojini Zotit një këngë të re, këndoni lavdinë e tij në kuvendin e shenjtorëve.

2 Le të ngazëllohet Izraeli tek ai që e ka bërë, le të ngazëllohen bijtë e Sionit te Mbreti i tyre.

3 Le të lëvdojnë emrin e tij me valle, të këndojnë lavdet e tij me dajre dhe me qeste,

4 sepse Zoti kënaqet me popullin e tij; ai i kurorëzon me shpëtim njerëzit e përulur.

5 Le të ngazëllohen shenjtorët në lavdi, le të këndojnë nga gëzimi mbi shtretërit e tyre.

6 Le të kenë në gojën e tyre lavdet e Perëndisë dhe në dorën e tyre një shpatë që pret nga të dy anët;

9 për të zbatuar mbi ta gjykimin e shkruar. Ky është nderi që u rezervohet mbarë shenjtorëve të tij. Aleluja.



UNGJILLI: LUKA 9:7-9

Shqetësimi i Herodit
(Mt 14, 1‑12; Mk 6, 14‑29)

7 Herodi tetrark kishte dëgjuar për të gjitha këto ngjarje dhe ishte shumë i shqetësuar, sepse disa thoshin: “U ngjall Gjoni së vdekuri!” 

8 Disa të tjerë: “U duk Elia!” Disa të tjerë prapë: “U ngjall një prej profetëve të vjetër!”

9 Kurse Herodi tha: “Gjoni! Atij unë ia preva kokën! Po ky kush do të jetë, për të cilin po dëgjoj kaq shumë?” E kërkonte rastin ta shihte.




I dashur Zot, Ti e njeh dobësinë time. Çdo mëngjes unë e bëj plan të jem e përulët, dhe në mbrëmje e kuptoj se shpesh kam qënë me faj për krenari. Pamja e këtyre gabimeve më tundon për dekurajim. Por e di se vetë dekurajimi është një formë krenarie. Megjithatë, unë dëshiroj, o Zoti im, ta ngre gjithë besimin tim mbi Ty. Pasi Ti mund të bësh të gjitha gjërat, denjo të futësh në shpirtin tim këtë virtyt që unë dëshiroj.

-- Shën Tereza e Lisieux