Pages

Feja jote të shpëtoi. Shko në paqe - E Enjte 19 Shtator 2013

Leximi i parë: 1 e Timoteut 4:12-16
Psalm: Psalm 111:7-10
UNGJILLI: LUKA 7:36-50


Leximi i parë: 1 e Timoteut 4:12-16

12 Askush të mos e përbuzë moshën tënde të re, por bëhu shembull për besimtarët në fjalë, në sjellje, në dashuri, në fe, në pastërti! 

13 Derisa të vij kushtohu Leximit, këshillimit dhe mësimit. 

14 Mos e lër pas dore hirin që është në ty, i cili të qe dhënë në saje të profecive dhe me vënien e duarve të kolegjit të pleqve. 

15 Kujdesohu për këto, jepu tërësisht pas tyre, që përparimi yt të jetë i dukshëm për të gjithë. 

16 Vërja mendjen vetes dhe mësimit! Të jesh i qëndrueshëm në këto gjëra! Sepse, duke vepruar kështu, do të shëlbosh veten dhe ata që të dëgjojnë.


Psalm: Psalm 111:7-10

7. Veprat e duarve të tij janë e vërteta dhe drejtësia; tërë urdhërimet e tij janë të qëndrueshme,

8. të patundura përjetë, për gjithnjë, të kryera me vërtetësi dhe drejtësi.

9. Ai i dërgoi popullit të tij shpëtimin, ka vendosur besëlidhjen e tij përjetë; i shenjtë dhe i tmerrshëm është emri i tij.

10. Frika e Zotit është zanafilla e diturisë; kanë dituri të madhe ata që zbatojnë në praktikë urdhërimet e tij; lëvdimi i tij vazhdon në përjetësi.


UNGJILLI: LUKA 7:36-50

Mëkatarja e falur

36 Një farise e grishi Jezusin për bukë. Ai hyri në shtëpinë e fariseut dhe u ul në tryezë. 

37 Kur, ja, hyri menjëherë një grua që ishte mëkatare e njohur në qytet. Ajo, kur mori vesh se Jezusi gjendej në tryezë, në shtëpinë e fariseut, mori një enë alabastri me parfum, 

38 zuri vend pas tij, te këmbët e tij dhe, duke qarë, filloi t’ia lajë këmbët me lot, t’ia fshijë me flokë, t’ia puthë e t’ia lyejë me parfum.

39 Kur e pa këtë gjë fariseu që e kishte thirrur, mendoi me vete: “Po të ishte ky profet, do ta dinte se kush dhe çfarë gruaje është kjo që po e përket: se është mëkatare.”

40 Jezusi mori fjalën dhe i tha:
“Simon, dua të të them diçka.”
“Fol, Mësues!” ‑ iu përgjigj ai.

41 “Një huadhënës ‑ vazhdoi Jezusi ‑ kishte dy borxhlinj. Njëri i kishte pesëqind e tjetri pesëdhjetë denarë. 

42 Pasi nuk kishin me çka t’ia kthenin, ua fali të dyve. Cili prej tyre do ta dojë më fort?”

43 Simoni iu përgjigj:
“Mendoj ai, të cilët i fali më shumë.”
“Mirë pleqërove! ‑ i tha Jezusi.

44 Dhe, si u soll kah gruaja, i tha Simonit:
“A po e sheh këtë grua? Hyra në shtëpinë tënde, ti nuk më dhe ujë për t’i larë këmbët. Kjo, përkundrazi, me lot m’i lau këmbët e me flokët e kresë m’i fshiu.

45 Ti nuk ma dhe puthjen e detyruar. Kjo, përkundrazi, që kur hyri, nuk pushon së puthuri këmbët e mia. 

46 Ti nuk ma leve kokën me vaj. Kjo, përkundrazi, me parfum m’i leu këmbët e mia. 

47 Këndej po të them: iu falën mëkatet e shumta, sepse tregoi dashuri të madhe. Ai, të cilit i falen më pak, më pak dashuri tregon.”

48 Atëherë i tha gruas:
“Të janë falur mëkatet!”

49 Ata që ishin në tryezë me të, filluan të mendonin me vete: “Kush është ky që po fal edhe mëkatet?!”

50 Por ai i tha gruas:
“Feja jote të shpëtoi. Shko në paqe!”