Pages

Kujt t’i vijë turp për Mua e për fjalët e Mia, për atë do t’i vijë turp edhe Birit të njeriut ... - E Marte 17 Shtator 2013

Leximi i parë: Galatasve 6:14-18
Psalm: Galatasve 2:16, 20; Filipianëve 1:20-21
UNGJILLI: LUKA 9:23-26


Leximi i parë: Galatasve 6:14-18

14 Sa për mua, mos e thashtë Zoti të mburrem me tjetër gjë, përveçse me kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit, nëpër të cilin për mua bota është e kryqëzuar dhe unë për botën. 

15 Sepse s’vlen asgjë as rrethprerja as parrethprerja ‑ por krijesa e re.

16 Të gjithë ata që do ta mbajnë këtë rregull si edhe mbarë Izraeli i Hyjit, paçin paqe e mëshirë!

17 Që tani askush më të mos më trazojë, sepse unë mbart në trupin tim shenjat e Jezusit.

18 Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit qoftë me shpirtin tuaj, o vëllezër! Amen.


Psalm: Galatasve 2:16, 20; Filipianëve 1:20-21

16 Dhe e dimë [tashti] se njeriu nuk shfajësohet në saje të veprave të Ligjit, por vetëm në saje të fesë në Jezu Krishtin. Prandaj ne besuam në Jezu Krishtin, që ta fitojmë drejtësinë nga feja e Krishtit e jo nga veprat e Ligjit, sepse ‘askush nuk do të mund ta fitojë drejtësinë’ me anë të veprave të Ligjit.

20 jetoj, por jo më unë, në mua jeton Krishti. E këtë jetë që tani e jetoj në trup, e jetoj në fenë e Birit të Hyjit, i cili më deshi dhe e flijoi vetveten për mua. 

20 sikurse pres me dëshirë të flaktë dhe shpresoj se nuk do të turpërohem për asgjë, porse me guximin tim të plotë ‑ si gjithmonë ashtu edhe tani ‑ Krishti do të madhërohet në trupin tim, si në jetofsha si në vdiqsha.

21 Vërtet, për mua Krishti është jetë dhe vdekja fitesë! 

UNGJILLI: LUKA 9:23-26

23 Pastaj iu drejtua të gjithëve:
“Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet çdo ditë dhe të më ndjekë. 

24 Sepse, kush do ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbë, ndërsa kush ta humbë jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë.

25 E njëmend, ç’dobi do të kishte njeriu, nëse fiton mbarë botën, por humb vetveten ose e rrënon?

26 Për të vërtetë, kujt t’i vijë turp për mua e për fjalët e mia, për atë do t’i vijë turp edhe Birit të njeriut kur të hyjë në lavdinë e vet, të Atit dhe të engjëjve të shenjtë.


Ai që nuk e kërkon dashurinë e Zotit, zor të qëndroj në hirin e Zotit, sepse do ta ketë shumë të vështirë të heqi dorë nga mëkati, kryesisht nga frika e ndëshkimit.
-- Shën. Alfonsus Ligori