Pages

Jezusi i shëronte duke vënë duart mbi secilin prej tyre - E Merkure 4 Shtator 2013

Leximi i parë: Kolosianëve 1:1-8
Psalm: Psalm 51:10-11
UNGJILLI: LUKA 4:38-44



Leximi i parë: Kolosianëve 1:1-8

1 Pali, për vullnet të Hyjit apostull i Krishtit Jezus, edhe vëllai Timote:
2 shenjtërve që janë në Kolos, vëllezërve besimtarë në Krishtin:
Hyji, Ati ynë, ju dhëntë hir e paqe!
Pali falënderon Hyjin për kolosianët
3 E falënderojmë Hyjin, Atin e Zotit tonë Jezu Krishtit dhe lutemi vazhdimisht për ju, 
4 sepse morëm vesh për fenë tuaj në Jezu Krishtin dhe për dashurinë që keni ndaj të gjithë shenjtërve, 
5 për arsye të shpresës që ruhet për ju në qiell. Për të keni dëgjuar në saje të fjalës së të vërtetës ‑ Ungjillit, 
6 që arriti te ju dhe po jep fryte e po zhvillohet, si në mbarë botën, ashtu edhe ndër ju, që prejditës kur dëgjuat dhe e njohët hirin e Hyjit me anë të së vërtetës, 
7 ashtu si e keni mësuar prej Epafrit të dashur, shokut tonë në shërbesë. Ai na zëvendëson ndër ju si mbarështues besnik i Krishtit. 
8 Ai edhe na njoftoi për dashurinë tuaj në Shpirtin Shenjt.
Personi dhe vepra e Krishtit

Psalm: Psalm 51:10-11

10. O Perëndi, krijo tek unë një zemër të pastër dhe përtëri tek unë një frymë të patundur.
11. Mos më largo nga prania jote dhe mos më hiq Frymën tënde të shenjtë.

UNGJILLI: LUKA 4:38-44

Shërimi i shumë njerëzve në popull
(Mt 8, 14‑17; Mk 1, 29‑34)

38 Si doli prej sinagogës, hyri në shtëpinë e Simonit. Vjehrrën e Simonit e kishin zënë ethe të forta e i bënë lutje për të. 
39 Ai u përkul kah ajo, u urdhëroi etheve ‑ e ato e lëshuan. U çua aty për aty dhe u shërbeu.
40 Kur perëndoi dielli, të gjithë ata që ishin të sëmurë me sëmundje të ndryshme, i binin tek ai e Jezusi i shëronte duke vënë duart mbi secilin prej tyre. 
41 Prej shumëkujt dilnin djajtë e thoshin: “Ti je Biri i Hyjit!” Jezusi u kërcënohej dhe ua ndalonte të flisnin, sepse e dinin se ai ishte Mesia.

Predikimi nëpër vende të ndryshme
(Mk 1, 35‑39)

42 Kur zbardhi drita doli dhe shkoi në një vend të pabanuar. Turmat u vunë ta kërkojnë, e kur e gjetën, u munduan ta ndalnin të mos largohej prej tyre. 
43 Ai u tha:
“Më duhet ta shpall Ungjillin e Mbretërisë edhe në qytete të tjera, sepse për këtë punë jam dërguar.”
44 E predikonte nëpër sinagoga të Judesë.



Qetësia dhe fshehtësia janë esenca e gjërave të mëdha. Për aq gjatë sa një punë qëndron e fshehtë, e panjohur për botën ajo do të shtohet me sukses; por menjëherë sa djalli e zbulon atë dhe e bën të njohur në botë, ai shfryn kundër saj dhe do ta luftoj atë me gjithë fuqinë e tij. Prandaj varet nga ne; ne duhet të qëndrojmë të fshehur nga bota përndryshe demoni i vetë-kënaqësisë do të na shkatërroj.

-- Shën Piter Emyard