Pages

Nuk mund t’i shërbeni Hyjit dhe pasurisë - E Djele 22 Shtator 2013

Leximi i parë: Amosi 8:4-7
Psalm: Psalm 113:1-2, 4-8
Leximi i dytë: 1 e Timoteut 2:1-8
UNGJILLI: LUKA 16:1-13


Leximi i parë: Amosi 8:4-7

Kundër tradhtarëve e shfrytëzuesve

4 Dëgjojeni këtë ju, që e shtypni skamnorin, që shfrytëzoni nevojtarët e vendit,

5 ju që thoni: ‘Kur po kalon më hëna e re, të mund t’i shesim mallrat?’
Edhe e shtuna e të mund të shesim grurë? Të zvogëlojmë masën e të shtojmë siklin, të përdorim peshore të rreme,

6 për t’i blerë skamnorët me para, të vobektin me një palë këpucë,
t’i shesim edhe të hedhat e grurit?’

7 Zoti përbetohet me nderin e Jakobit: “Kurrën e kurrës s’do t’i harroj veprat e tyre!


Psalm: Psalm 113:1-2, 4-8

1 Aleluja. Lëvdoni, o shërbëtorë të Zotit, lëvdoni emrin e Zotit.
2 Qoftë i bekuar emri i Zotit tani dhe përjetë.
4 Zoti shkëlqen mbi tërë kombet, lavdia e tij ndodhet përmbi qiejtë.
5 Kush i përngjan Zotit, Perëndisë tonë, që banon në vende shumë të larta,
6 kush ulet për të parë gjërat që ndodhen në qiejtë dhe mbi tokë?
7 Ai e ngre të mjerin nga pluhuri dhe nevojtarin nga plehrat,
8 për ta bërë të ulet me princat, me princat e popullit të tij.


Leximi i dytë: 1 e Timoteut 2:1-8

1 Po të porosis, pra, më së pari le të bëhen kërkesa, lutje, lutja, falënderim për të gjithë njerëzit, 

2 për mbretër dhe për të gjithë ata që janë në pushtet, që ta kalojmë jetën të qetë e të kthjellët në përkushti të plotë dhe në mënyrë të denjë. 

3 Kjo gjë është e mirë dhe e pëlqyeshme para Hyjit, Shëlbuesit tonë, 

4 vullneti i të cilit është që të shëlbohen të gjithë njerëzit dhe ta arrijnë njohjen e së vërtetës. 

5 Sepse, Hyji është një i vetëm, një i vetëm është edhe Ndërmjetësi mes Hyjit e njerëzve: Njeriu ‑ Jezu Krishti,

6 i cili e flijoi vetveten si shpërblim për të gjithë njerëzit. Këtë dëshmi Ai e dha në kohën e caktuar. 

7 Kësaj dëshmie unë iu bëra predikatar dhe apostull ‑ ju them të vërtetën, nuk gënjej ‑ mësues i fesë dhe i së vërtetës për paganët.

8 Dua, pra, që meshkujt në çdo vend të luten duke i lartësuar duart e pastra pa hidhërim dhe pa grindje.


UNGJILLI: LUKA 16:1-13

1 U thoshte edhe nxënësve të vet: “Ishte një njeri i pasur, i cili kishte mbarështuesin që e paditën se ia shkapërderdhte pasurinë. 

2 E thirri dhe i tha: ‘Ç’po dëgjoj kështu për ty? Jep llogari për mbarështimin tënd, sepse t’i s’mund të jesh më mbarështues.’

3 Atëherë mbarështuesi tha me vete: ‘Çka të bëj pasi zotëria po ma heq mbarështimin? Të mih... ? Nuk mundem! Të dal e të lyp... ? Më vjen turp! 

4 E di ç’do të bëj që njerëzit të më pranojnë në shtëpitë e veta kur të nxirrem prej mbarështimit.’

5 Atëherë thirri një nga një borxhlinjtë e zotërisë së vet. E pyeti të parin: ‘Sa i detyrohesh zotërisë tim?’ 

6 Ai iu përgjigj: ‘Një qind masë vaj.’ Mbarështuesi i tha: ‘Merre letrën tënde, ulu me të shpejtë e shkruaj pesëdhjetë!’ 

7 Pastaj e pyeti të dytin: ‘Po ti sa detyrohesh?’ Ai i tha: ‘Një qind kora grurë.’ I tha mbarështuesi: ‘Merre letrën tënde e shkruaj tetëdhjetë!’

8 E zotëria e lëvdoi mbarështuesin e padrejtë që punoi aq me shkathtësi. Dhe njëmend, bijtë e kësaj bote janë më të kujtueshëm në marrëdhënie me njëri-tjetrin se sa bijtë e dritës.

9 Ndërsa unë po ju them: fitoni për vete miq me anë të pasurisë së rreme të kësaj bote që, kur kjo t’ju mungojë, t’ju pranojnë në banesat e amshuara.

10 Kush është besnik në gjëra të vogla, është besnik edhe në gjëra të mëdha; e kush nuk është besnik në gjëra të vogla, ai nuk është besnik as në gjëra të mëdha. 

11 Po qe se nuk u dëftuat besnikë në pasurinë e rreme, kush do t’jua besojë pasurinë e vërtetë? 

12 Po qe se nuk u dëftuat të besueshëm në gjënë e huaj, kush do t’jua japë tuajën?

13 Asnjë shërbëtor nuk mund t’u shërbejë njëkohësisht dy zotërinjve:
Sepse, ose do ta urrejë njërin e tjetrin do ta dojë, ose pas njërit do të shkojë e tjetrin do ta përbuzë. Nuk mund t’i shërbeni Hyjit dhe pasurisë.”



Edhe unë po të them: Ti je Pjetër‑Shkëmb dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time dhe dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj! Ty do të t’i jap çelësat e Mbretërisë së qiellit: gjithçka të lidhësh mbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell e gjithçka të zgjidhësh mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell.”

-- Mateu 16:18-19