Pages

A është e lejueshme të shtunën të bësh mirë apo të bësh keq - E Hene 9 Shtator 2013

Leximi i parë: Kolosianëve 1:24 -- 2:3
Psalm: Psalm 62:6-7, 9
UNGJILLI: LUKA 6:6-11


Leximi i parë: Kolosianëve 1:24 -- 2:3

Shërbesa e Palit në Kishë

24 Dhe tani vetë u gëzohem vuajtjeve të mia për të mirën tuaj dhe plotësoj në trupin tim çka u mungon mundimeve të Krishtit për Trupin e tij ‑ Kishën. 
25 U bëra mbarështues i Saj në fuqi të misionit që Hyji më caktoi për të mirën tuaj që ta bëj të njohur njëherë e përgjithmonë Fjalën e Hyjit: 
26 ‑ Misterin e mbajtur fshehur gjatë shekujsh dhe breznish, të cilin tani ua zbuloi shenjtërve të tij. 
27 Këtyre Hyji deshi t’ua bëjë të njohur lavdinë e begatshme të këtij Misteri në paganë: d.m.th. : Krishti është ndër ju, shpresa e lavdisë! 
28 Ne kumtojmë Atë. Qortojmë çdo njeri dhe mësojmë gjithkënd me çdo njohuri për të bërë që gjithkush të arrijë përsosmërinë në Krishtin. 
29 Për këtë arsye edhe mundohem dhe luftoj me ndihmën e fuqisë së tij i cili me plot fuqi vepron në mua në mënyrë të pushtetshme.
1 Këndej dëshiroj ta dini se ç’luftë të ashpër më duhet të bëj për ju, për ata në Laodice edhe për të gjithë të tjerët që nuk më kanë parë kurrë personalisht, 
2 që të ngushëllohen zemrat e tyre dhe, të bashkuar në dashuri të arrijnë tërë begatinë, plotësinë e kuptimit, njohjen e vërtetë të Misterit të Hyjit ‑ Krishtit. 
3 Në Të janë të fshehura të gjitha visaret e dijes e të kuptimit.

Psalm: Psalm 62:6-7, 9

6. Vetëm ai është kështjella ime dhe shpëtimi im; ai është streha ime e lartë; unë nuk do të luaj kurrë.
7. Te Perëndia është shpëtimi im dhe lavdia ime; kështjella ime e fortë dhe streha ime janë te Perëndia.
9. Me siguri, njerëzit e shtresës së ulët nuk janë veçse avull dhe njerëzit e shtresës së lartë nuk janë veçse gënjeshtarë; po t`i vësh mbi peshore të gjithë së bashku janë më të lehtë se vetë avulli.


UNGJILLI: LUKA 6:6-11

Njeriu me dorë të thatë
(Mt 12, 9‑14; Mk 3, 1‑6)

6 Një të shtunë tjetër Jezusi hyri në sinagogë e filloi të mësojë. Ishte aty një njeri që e kishte dorën e djathtë të thatë. 
7 Skribët e farisenjtë nuk ia ndanin sytë a mos po shëron të shtunën, që, kështu, të kishin për çka ta paditnin. 
Jezusi ua dinte mendimet e i tha njeriut që e kishte dorën e thatë:
“Çohu e dil në mes!”
Ai u ngrit e qëndroi në këmbë.
9 Atëherë Jezusi vazhdoi:
“Ju po ju pyes: a është e lejueshme të shtunën të bësh mirë apo të bësh keq, t’ia shpëtosh jetën ndokujt apo t’ia humbasësh?”
10 Si i shikoi rreth e rrotull të gjithë, i tha atij: “Shtrije dorën!”
Ai bëri ashtu e dora iu shërua. 
11 Ata u tërbuan dhe kuvendonin mes tyre çka të ndërmarrin kundër Jezusit.